Tim Judah: Katastrofik, vendimi i britanikëve për të dalë nga BE
Publicisti dhe gazetari britanik, Tim Judah, e ka konsideruar “si katastrofik” vendimin e britanikëve për dalje nga Bashkimi Evropian. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Judah tha se çështja e zgjerimit të BE-së në kushtet e këtilla është “jorelevante”.
“Kjo çfarë ka ndodhur është vërtet katastrofë për Britaninë e Madhe dhe nuk do të thotë vetëm largim nga Bashkimi Evropian, por edhe ndarje e vetë Britanisë, sepse Skocia tani vërtet do të largohet. Kjo është keq edhe për pjesën tjetër të Evropës, sepse do të inkurajojë forcat nacionaliste dhe mund të çojë në shpërbërje të mëtejshme të BE-së.
Mendoj se çështja e zgjerimit të BE-së në këto kushte bëhet jorelevante. Askush nuk do të dëshironte zgjerimin në këtë periudhë dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund të fundit”, tha Judah. Ai shtoi se nuk është i befasuar me rezultatin, pasi, sipas tij, duhet marrë parasysh frustrimin me dekada të opinionit britanik.
“Shumë hulumtime kanë treguar se një pjesë e madhe e shoqërisë britanike ka qenë shumë e zemëruar në 20-30 vjetët e fundit, pasi industria ka përjetuar kolaps. Njerëzit janë të zemëruar me udhëheqjen dhe e kanë ndëshkuar atë”, tha Judah, për të shtuar se dalja e Britanisë së Madhe do të trimërojë të gjitha forcat e djathta në Evropë.
“Mendoj se ky është një lajm i mirë për forcat e djathta nacionaliste në Evropë dhe mendoj se duhet të frikësohemi nga kjo. Kontinenti është qartazi i ndarë ndërmejt vendeve të vogla, të cilat janë armiqësore ndaj njëra-tjetrës”, u shpreh Judah. Judah, si njohës i çështjeve të Ballkanit, konstatoi se çështja e zgjerimit të BE-së, pas referendumit në Britani, del në margjina të prioriteteve evropiane.
“Çështja e zgjerimit ndalon së qëni aktuale në këtë moment, sepse Evropa, në tre vjetët e ardhshëm, do të përqendrohet në atë se si të mbetet e bashkuar. Çështja e Ballkanit nuk do të jetë në agjendën e askujt, bëhet jorelevante. Çështje kryesore bëhet problemi i migrimit në Britaninë e Madhe”, tha Judah.
Add new comment