Këshilltarët e PD-së në Bashkinë Tiranë fitojnë gjyqin. Gjykata detyron kryetarin e Bashkisë Erjon Veliaj të japë informacion
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj detyrihet nga Gjykata Administrative që të japë informacion për këshilltarët e kësaj bashkie që i përkasin Partisë Demokratike. Situata absurde u bë e njohur para disa javësh kur këshilltarët denoncuan mosdhënien e informacionit duke paralajmëruar padinë civile. “Ashtu sikundër ju kemi bërë me dije, prej më shumë se 2 muajsh kemi qenë të detyruar, si rezultat i teatrit absurd të z.Veliaj, për të fshehur çdo informacion, t’i drejtohemi Gjykatës Administrative. Me vendimin e saj na dha plotësisht të drejtë dhe, për fat të keq, detyron kryetarin e Bashkisë që të respektojë dhe zbatojë ligjin. Besoj se ky analfabetizëm institucional është krejtësisht i patolerueshëm dhe i panevojshëm. Të detyrohen të kërkojnë nga gjykatat që të zbatohet ligji, të nenit 51, pikën 3, që këshilltari ka të drejtë të informohet me kërkesën e tij për gjithçka dhe në çdo kohë nga kryetari i bashkisë, besoj se është totalisht absurde. Por, për fat të mirë, jo vetëm të këshilltarëve, por për fatin e mirë të qytetarëve, vendimi i Gjykatës nuk i lë asnjë ekuivok kryetarit në detyrë të bashkisë, por të zbatojë në mënyrën më rigoroze, ligjin”, u shpreh kreu i këshilltarëve demokratë, Leonard Olli.
Këshilltarët e PD-së kanë dërguar një seri kërkesash për informacion që lidhen me procedura prokurimi, me donatorë etj., gjëra pra që kanë të bëjnë me përdorimin e parasë publike.
Sipas Ollit Veliaj futi fshehurazi madje edhe paketën fiskale, nuk ka transparencë për sheshin “Skëndërbej”, ku janë bërë disa ndërhyrje, si dhe janë bërë shpërdorime të mëdha në punimet në Unazën e Vogël. “Vetëm pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shpërdorime të rënda të detyrës në ndërhyrjen në Unazën e Vogël dhe në të drejtat esenciale të njeriut sikundër kishin të bënin me çështjet e dëmshpërblimeve nga ndërhyrjet apo prishjet e banesave. Kjo është arsyeja që z.Veliaj nuk bën transparencë. Do të përballet me gjithçka sepse në fund të fundit kemi bërë një betim dhe kemi detyrimin moral dhe ligjor ndaj çdo qytetari të Tiranës, të mbrojmë me çdo kusht interesin publik”, deklaroi Olli.
Add new comment