Kushti kryesor i Shqipërisë për Greqinë: Shfuqizimi i Ligjit të Luftës
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka paralajmëruar disa kushte për homologun e tij grek, Nikos Kotzias, përpara se ky të vizitojë Tiranën në fillim të qershorit. Siç është bërë e ditur, Kotizas vjen me disa propozime, ndaj edhe Bushati, ka ndarë me opinionin shqiptar, kërkesat e palës shqiptare. "Nuk ka kushte nga Shqipëria dhe nga Greqia, ka një dialog të vërtetë, propozime, hulumtime për mënyrën më të mirë sesi mund të adresohen këto lloj problematikash. Por natyrisht, nëse mund të flasim për një vijë të kuqe, vija e kuqe qëndron te koncepti që ne kemi investuar në këtë proces. Që do të thotë ndërsjellësi, që do të thotë dialog mes dy fqinjësh të barabartë, të përgjegjshëm, anëtarë në NATO, që shikojnë nga e ardhmja e përbashkët europiane. Dy fqinjë që respektojnë njëri-tjetrin, respektojnë traditat kushtetuese dhe, natyrisht, respektojnë modelet që e kanë frymëzimin tek e drejta ndërkombëtare. Pavarësisht se ne i ndajmë në 3 kapituj, janë çështje që kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.
Nëse flasin për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, ka lidhje me rishikimin e teksteve të historisë, ka lidhje me çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë dhe shtetit shqiptar në Greqi. Ka lidhje gjithashtu me nderimin për të rënët grekë në territorin shqiptar, sepse duhet që të përfundojë lufta, në mënyrë që të fillojnë të gjitha proceset e tjera. Shfuqizimi ka vlera të drejtpërdrejta politike dhe ligjore, apo adresimi i çështjes çame, si një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare, do t’i shërbente shumë klimës së besimit ndërmjet dy vendeve tona”, tha Bushati në një intervistë për Top-Channel.
Add new comment