Haxhinasto i fyen të gjithë duke dhënë leksione për shkaqet e aksidenteve: “Ka nevojë për policim dhe edukim të drejtuesve”
Nëse ka një fjalë për të përshkruar ministrin e Transportit, Edmond Haxhinasto, kjo është "I Pacipë". Etiketë në raport me publikun dhe sjelljen e tij në publik, pasi është shumë e sigurtë se kjo fjalë nuk e prek asfare ministrin, që ka dëgjuar nga shefi i tij, Ilir Meta, të tjera. Më pickuese.
Ditët pas aksidentit tragjik të Kavajës ikën dhe ministri heshti për të shmangur çdo polemikë. Për ta vulosur atë përfundimisht, ai shkon edhe më tej: kujtohet për detyrën e vet dhe për të bërë edhe disa leksione, që janë në fakt një mesazh shfajësues duke shpallur fajtorë gjetkë. Gjithnjë pasi emocionet dhe jehona ka rënë.
Duke folur sot nga rruga Durrës-Kukës, Haxhinasto ndër të tjera tha: “Në fakt shifrat janë shumë të sakta që sinjalistika në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në uljen e aksidenteve me vdekshmëri, por në disa segmente siç e thatë dhe ju, ka pasur aksidente me pasoja të rënda. Mendoj se përmirësimi i standardit të rrugëve mund ti motivojë njerëzit të ecin me shpejt, dhe të injorojnë ato detyrime që kanë ndaj rregullave të qarkullimit, dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, u shpreh ai.
Ja një mënyrë sesi një ministër, një njeri që po t’i heqësh funksionin, është asgjë në këtë botë, ia del të fyejë të gjithë. Sepse aksidenti i Kavajës erdhi në vëmendje të opinionit jo për të shfajësuar personin që drejtonte automjetin, por për shkak se neglizhenca e autoriteteve shtetërore për sigurimin e standardit të sigurisë ishte flagrante. Nuk ka pse të përsërisim ato që janë thënë, por më minimalja: nuk ishte zbatuar një vendim gjykate. Ndaj kur ministri flet për injorim të rregullave të qarkullimit, ai po na pështyn të gjithëve në fytyrë, pasi kjo kërkesë bëhet kur ke krijuar kushtet siç duhet.
Meqenëse ka ndenjur gjatë pa folur, duket se ka patur kohë të mendohet se çfarë të thotë, tani që duket si kryeministri si shefi i tij direkt, i kanë bërë të qartë se asgjë nuk do të ndodhë. Ndaj Haxhinasto theksoi se aksidentet janë edhe çështje e policimit të rrugëve.
Kujtojmë se Policia Rrugore kishte bërë shkresë disa herë që në sektorin e aksidenteve duhej ndërhyrë. Për cilin policim e ka fjalën ministri kur dokumentacioni flet qartë?
Dihet përgjigja, mund të merret me mend, te një qenie që standardin më të lartë ka bindjen ndaj shefit deri sa arrin të thotë këto që thotë: “Sot 70 përqind e aksidenteve, ndodhin si pasojë e faktorit njerëzor. Ne kemi filluar një plan kombëtar të sigurisë rrugore që e rishikojmë herë pas here, dhe e përmirësojmë në bazë të kërkesave të momentit. Besoj se është momenti të forcohet elementi i edukimit, trajnimit si të përdoruesve të rrugës, si të drejtuesve të mjeteve ashtu edhe këmbësorëve, por veçanërisht forcimi i elementi i të “policimit” të rrugëve të vendit”, deklaroi pas vakisë ministri i Transportit. Me faktor njerëzor ministri me sa duket nuk ka parasysh shkeljet dhe neglizhencën e vet, ndaj po e thërrasim qenie.
I cili meqë ra fjala në këtë inspektim ishte me drejtorin e Autoritetit Shtetëror Rrugor, Dashamir Xhika.
Add new comment