NATO e gatshme të mbrojë Turqinë, pas shkeljes së hapësirës ajrore nga rusët
NATO-ja tha se është e gatshme të dërgojë trupa në Turqi për të mbrojtur këtë vend aleat pas shkeljes së hapësirës ajrore turke nga aeroplanët rusë që bombardonin në Siri. Ndërkohë, Britania e qortoi Moskën për shkallëzimin e luftës civile në Siri e cila ka lënë 250 mijë të vrarë. Zyrtarët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ende po analizojnë inkursionin rus në hapësirën ajrore të Turqisë pranë Sirisë veriore, ndërsa shefat e mbrojtjes të vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior po takohen në Bruksel ku kriza në Siri dominon rendin e ditës. “NATO-ja ka aftësitë dhe është e gaëshme të mbrojë të gjithë aleatët, përfshi Turqinë, kundër çdo lloj kërcënimi. Kemi shtuar gatishmërinë, përgatitjen e forcave dhe dyfishuar madhësinë e forcave reaguese, kemi bashkërenduar dhe rritur efikasitetin e vendimmarrjes. Ky është reagim ndaj sfidave që vijnë nga lindja po edhe nga jugu”, tha për gazetarët Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ndërsa aeroplanët rusë dhe amerikanë zhvillojnë misione luftarake në të njëjtin vend për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, NATO po përpiqet të mënjanojë shkallëzimin e konfliktit sirian në shkallë ndërkombëtare. Pikërisht ky konflikt ka zhvendosur vëmendjen e aleancës nga Ukraina pas aneksimit rus të Krimesë vitin e kaluar.
Për 40 vjet, detyra kryesore e NATO-s ka qenë frenimi i Rusisë në Lindje gjatë Luftës së Ftohtë, por tani, pas një dekade përfshirjeje në Afganistan, aleanca po përballet me një realitet të ri dhe disa kërcënime shumë pranë kufijve të saj.
Add new comment