LSI nuk heq dorë nga politika e shapkave. Qeveri brenda qeverisë

Postuar në 10 Gusht, 2015 22:27

LSI e ka bërë zakon që në gusht, kur gjithë populli mendon me të drejtë se politika ja ka futur plazhit,  ajo si parti qeverisëse me vlera dhe kontribute të patjetërsueshme del dhe tregon se është vigjilente ndaj qeverisjes që i takon në veçanti pjesës së Edi Ramës. Petrit Vasili ka të gjithë seriozitetin dhe përvojën e duhur të bëjë opozitarizimin brenda qeverisë sidomos kur bëhet fjalë për tema që i përkasin sektorit të shëndetësisë, ku LSI gjithmonë ka treguar se është shumë e ndjeshme. Rasti më i fundit është ai i shkarkimit direkt të drejtorit Rajonal  të Institutit të Kujdesit Shëndetësor, i përfshirë në skemën korruptive të rimbursimit të barnave. Petrit Vasili nuk është kaq i shpenguar sa Ilir Meta që disa vite më parë doli me shapka plazhi në konferencë shtypi për  folur lidhur me problemet e qeverisjes. Por nuk ka asnjë kompleks të kritikojë qeverinë ku ai bën pjesë, pasi LSI-nuk mund të lejojë abuzime dhe shpërfillje të shqiptarëve nga ministra të papërgjegjshëm që vijnë nga radhët e Partisë Socialiste apo vetë LSI-së kur bëhet fjalë për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Dhe problemet dolën. Po pse është nevoja që LSI  ta bëjë këtë publikisht, kur shqetësimet dhe kritikat që ka mund t’i përcjellë në rrugë zyrtare apo konfidenciale, kur ka treguar se kryetari i  saj di të merret shumë mirë vesh me Edi Ramën. Kryeministri poshtë nga jugu është, ka bërë edhe disa foto që i ka shpërndarë në rrjetet sociale me disa aktorë humori. Edhe Ilir Meta andej e bën plazhin sepse viziton herë pas here të rinjtë në kampingjet e LRI-së. Njëri me shapka dhe tjetri me pantallona të shkurtra mund të qartësojnë idetë për një qeverisje më të mirë, çfarë duhet podiumi dhe Petrit Vasili të dalë në televizor për të të bërë kritizerin. Kujt ja thotë vërejtjet për punën e qeverisë kur partia e tij është vetë qeveria? Pse duhet që  edhe ne ta shohim qeverinë sipas optikës së LSI-së, si dy pjesë ku njëra nuk ka përgjegjësi për kusuret e tjetrës. Fatkeqësia është se media i jep më shumë vëmendje se çduhet kësaj lloj politike që di të bëjë LSI-ja dhe Petrit Vasili në këtë rast. Një shantazh që buron nga motoja “të ecim më shpejt”, dhe që nuk lidhet aspak me interesin publik, por me hallet dhe llogaritë e parisë së LSI-së që si me shapka si pa shapka vazhdon të bëjë të njëjtën politikë, në grackën e së cilës bie vazhdimisht media e “lirë”.

l.mitro

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.