Na mbeti flamuri të paktën me orat me Skënderbe dhe çantat Vuitton
Grupi HomeLand Justice ka publikuar këto momente të dhënat bankare të hollësishme të qindra qytetarëve dhe subjekteve shqiptare. Mes të dhënave figurojnë edhe llogaritë korente, gjendja e tyre me degët përkatëse. Një skandal ky i jashtëzakonshëm që tregon se depërtimi në të dhënat tashmë është kapilar dhe thuajse përfundimtar.
Kanë kaluar muaj që ne u njohëm me agresionin dhe agresorit iu vu një emër. Dëgjuam se kundërsulmi ishte epik, mirëpo goditja në sektorin privat që u parapri nga zhveshja tërësisht përdhunuese e shërbimeve qeveritare, po rezulton më kritike. Është fatkeqësi e madhe të shohësh se për këtë që po ndodh, kryeministri i Shqipërisë nuk pipëtin, është fshehur ndoshta pas agroturizmit dhe majave të bukura që reklamon, duke injoruar një aspekt bazik që po e kuptojmë të gjithë: në botën digjitale nuk ka të dhëna nën administrim publik apo privat, për nga perspektiva e sigurisë. Ka vetëm të DHËNA që duhen mbrojtur dhe për sigurimin e të cilave duhen imponuar masa të rrepta për të gjithë.
Ky është një mësim i hidhur shumë për të gjithë, kjo është incidence vullkanike e episodit të pastrueses në shtëpitë e vjedhura që dëgjuam këto ditë, sepse pastruesi kibernetik ka hyrë ku ka dashur e ka marrë çfarë ka dashur. Për të na lënë vetëm në rolin e kultivuar të atij që bën sehir dhe nuk ka asnjë garanci më. Transparencë kërkuam dhe e morëm. Falemnderit shumë! Filani ka aq lekë, fisteku kaq, kur i bëri e me çfarë i bëri, Shqipëria e gjithë u katandis në një kotec ku janë mbledhur të gjithë e po përflasin të gjithë. Ankthi vazhdon. Sepse lista nuk ka mbaruar. Argëtimi i atyre që kanë sulmuar është i madh ndërkohë që në aspektin politik askush nuk e shtron më çështjen:
Ky shtet për çfarë duhet dhe çfarë bën?
Kujt i hyn në punë kjo fuqi hapësinore që gëzon respektin e të gjithëve?
Kur do konsiderohet largimi i muxhahedinëve nga Shqipëria në kushtet kur ata kryejnë sulme kibernetike ndaj një vendi tjetër dhe faturën e paguajnë shqiptarët e Republikës së Qyqarëve?
Cilët ekspertë mund të zgjidhin një situatë kaq komplekse ku ndërthuret amatorizmi me papërgjegjshmërinë në shfrytëzim sporadik dhe fatal të injorancës së përgjithshme të shoqërisë?
Askush. As forumet e diasporës që tubohen për arsye koniunkturale. Meqë jemi te thiatrua e parave, le ta ruajmë kuriozitetin për llogaritë e atyre që kanë marrë përsipër ta çojnë këtë vend në shekullin e 21-të, sepse edhe shifra 3000 euro, apo Zero do të ishte shumë interesante.
s.zaimi
Comments
Heu bre
Nje shkrim me vlere. Po perseri beni pyetje naive : "Ky shtet për çfarë duhet dhe çfarë bën?" Nese nuk e keni kuptuar po jua them e mos beni me te tille gabime: KY SHTET DUHET PER TE NA VJEDHUR DHE PO NA VJEDH.
Add new comment