Modeli “Rama” i kryebashkiakut të suksesshëm nuk i përgjigjet më realitetit

Postuar në 03 Tetor, 2015 16:12

Nëse Edi Rama përfaqëson ndonjë model në politikë, ai është modeli i kryebashkiakut të suksesshëm. Përtej këtij modeli, që është më shumë një model esteti, nuk ka gjë të pazakonshme për politikën shqiptare në aktet e tij: pabesi, hipokrizi, paaftësi për të ndërtuar e mishëruar vizione, mungesë principesh dhe sidomos korrupsion. Pafund korrupsion. Në terma realistë, modeli i Edi Ramës në bashki është shprehje e kërkesës për ndryshim dhe frenim të kaosit, në disa akte dhe ndërhyrje të thjeshta: heqja e kioskave, realizuar me mbështetjen e qeverisë së asaj kohe, lyerje fasadash, hapje e punës për ndërtimin, ardhur nga momenti i zhvillimit ekonomik, dhënia e një dimensioni social në politikat e bashkisë dhe kujdesi për infrastrukturën e qytetit. Të gjitha këto janë fiksuar në memorie si suksesi i një bashkiaku. Por ky sukses ishte i tillë sepse pasonte një “Shqipëri me fytyrë të vrerosur”, më tepër sesa një plan zhvillimi. Kujdesi për trumbetimin e tyre bashkoi në një operacion politik, “disa punë” me ambiciet e një kryebashkiaku, por pa krijuar një raport të ri mes Bashkisë dhe qytetarit. Fasada e Tiranës ishte sa për krahasim, si marrja e televizorit me ngjyra dikur, që pavarësisht se kënaqte ndonjë tekë, nuk sillte ndonjë gjë të re. Ka nevojë për të madhe që ky lloj modeli, që ndërtohet në sipërfaqe të problemeve, të analizohet dhe të ulet në realitet në mënyrë që aksidenti i rigjenerimit të tyre të shmanget. Kjo pasi ai nuk i përgjigjet më nevojave dhe ritmit të shoqërisë. Vetëm sot ka dy njoftime për “punë” dhe angazhim nga kryebashkiakët rilindas: i pari është kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj që thotë se ka nisur projekti “Colors of Tirana”.  “Ca i shanë, ca i deshën por fasadat e Tiranës e vunë qytetin tonë në hartë!”. Këto ndërhyrje të Bashkisë janë pjesë e projektit “Colors of Tirana”, shkruan ai. Edhe dje Veliaj takoi disa të moshuar me të cilët piu kafe. Të kujtojmë se këtë e bënte edhe Edi Rama, gjithë në një përpjekje për të ndërtuar politika personale në emër të një bashkie ndryshe. Po sot, kryebashkiaku socialist i Vlorës, Dritan Leli “bëri lajm” ndreqjen e sahatit në Vlorë. “Rivënia e tij në funksion, është rrjedhojë e vëmendjes së kthyer ndaj këtij objekti të vjetër dhe me vlera të rralla. Kështu e përshkruan edhe kryebashkiaku vlonjat, Dritan Leli, rikthimin “në jetë” të Sahatit, simbolit të Vlorës dhe vlonjatëve”, shkruan Harilla Koçi në “Shekulli”. Nuk dimë se çfarë është simbol për vlonjatët: Sheshi i Flamurit, Flamurtari, deti, lulishtja te “Tri racat”, Xhamia, shkolla “Ali Demi”, apo Sahati. Ndërhyrje të tilla janë larg nevojave që kanë qytetet, ato janë larg premtimeve të bëra në fushatë dhe në thelb nuk bëjnë gjë tjetër veçse imitojnë e përsërisin modelin për të cilën folëm më lart. Nuk është se këto nuk duhen dhe nuk kanë vlerë, por ato nuk janë prioritare dhe nuk ka sesi me këmbëngulje të fyejncë çdo qytetar duke u thënë: ja sesi punojmë ne. Sepse këto nuk janë punë, por DETYRA. Punët janë të tjera, janë ato që nuk u bënë ndonjëherë, e që me sa duket nuk kanë ndërmend të bëhen. Shoqëria është sot me më shumë kërkesa, më e strukturuar dhe nuk mund të habitet nga dy bojëra e dy rehabilitime rrugësh. Aq më tepër kur kemi parasysh se kufijtë administrativë të bashkive janë shumë më tepër se vija e verdhë e një qyteti. Janë kryebashkiakët ata që duhet të zgjohen, ose nëse nuk zgjohen, të paktën të shohin ëndrra të tjera për hapësirat që qeverisin. 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Erjoni ben mire t'i fusi nje "color" edhe fytyres se vet dhe ta quaje qe po ben pune, pastaj te beje nje dore llogje me komshiun dhe ta quaje qe po krijon lidhje me qytetaret, pastaj t'i hipi bicikletes per nje xhiro dhe ta quaje qe po realizon programin ekologjik, dhe ne fund duke bere xhiron po pa ndonje qe po ben shurren rreze ndonje peme te therrase ne celular policet e bashkise dhe ta quaje qe po ben pune operative ne terren.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.