Karantina po prodhon Diktaturë?
Edi Rama po instalon diktaturën.
Këtë fjali Partia Demokratike po e përsërit përditë duke kapur copëza vendimesh në këtë kohë pandemie. Lëvizja Socialiste për Integrim madje e quan zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyore si shprehje të kësaj sjellje autoritare. Nga ana tjetër e njëjta Parti Demokratike bënte thirrje sot që të mbyllen fasoneritë sepse po kthehen në bomba me sahat.
Nuk dihet si ta klasifikosh këtë sjellje politike që kërkon të gjejë kumbimin e vet tek akuza se Edi Rama po bëhet diktator. Po për çfarë i duhet Diktatura një politikani si z. Rama që vazhdon të kutohet përherë më lart sesa Lulzim Basha, i cili edhe kur ka patur propozime shumë të dobishme, nuk ka patur mënyrën për ta imponuar si alternativë e dhënë nga opozita.
Dhe këto propozime të dobishme zhbëhen sa hap e mbyll sytë kur një parti si PD-ja, akuzon për Diktaturë, ndërkohë që vetë liria e saj për të deklaruar çdo gjë mohon vetë akuzën.
Diktatura është diçka shumë serioze. Po aq serioze sa edhe demokracia e vërtetë e cila do përkushtim, kulturë dhe një histori nga pas. Diktatura e vërtetë është ajo që e kaluam të gjithë dhe që ka tjetër aromë nga kjo që jetojmë sot.
Për Diktator akuzonin edhe Sali Berishën kur ishte kryeministër. U kapën te ngjarja e 21 janarit dhe Gërdecit për të prodhuar alibinë më false: Saliu të vret, pra ai është diktator.
Kjo ishte një akuzë po kaq pak serioze sa kjo që i bëhet Edi Ramës sot. Berisha dorëzoi pushtetin pas humbjes në zgjedhje, njohu rezultatin dhe deklaroi se që këtej e tutje jam një deputet i thjeshtë. Cili diktator ka ndjekur këtë shteg?
Akuza e PD-së është çorientuese për vetë elektoratin e saj, pak e besueshme për njerëzit në përgjithësi që janë nën diktaturën e varfërisë, por jo të lirive të munguara, të cilat në asnjë vend nuk janë dhuratë, por produkt lufte dhe përballjeje. Dhe duke qenë e tillë ajo nuk dëmton kryeministrin, por vetë opozitën.
Sigurisht, njësoj si Berisha, Edi Rama vuan nga deliri, atë e deh pushteti dhe iluzioni i rremë se duke dhënë urdhëra majtas-djathtas, duke parë se fjala e tij bëhet ligj, ai në fakt është vetë shteti.
Por asnjë lloj pushteti, as ai ekonomik nuk mundet sot në Shqipëri të sfidojë votën e njerëzve dhe këtu qëndron kriza, këtu buron edhe forca e z. Rama që sa më shumë e forcon pushtetin, aq më shumë e humbet autoritetin. Por autoritet ky që mbetet shumë më i madh sesa ai i opozitës, e cila vuan nga gërryerja morale. Ajo sot drejtohet nga një njeri që nuk ka besim në asgjë veç ndonjë pazari ditor. Që quan shprehje dikattoriale se Edi Rama po vjedh me tendera sekretë, ndërkohë që sipas PD-së ai ka vjedhur vazhdimisht edhe me tendera të hapur!!!
Një njeri që tradhëtoi dy lëvizje masive të mbështetësve të vet, që nuk kërkoi falje për katastrofën e dyfishtë të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe për vrasjen e çdo shprese.
Duke treguar me gisht nga Diktatori, opozita nuk po thotë ndonjë gjë që e beson realisht, por po përhap tymëse në mënyrë që njerëzia të mos shohë Diktaturën e Dështimit që ajo përfaqëson duke këmbëngulur në 7 vjet rresht në kauza gjysmake, në rotacion klanesh në parti, në mbylljen e saj, në gjoja denoncime që kanë tipare gjobvënieje dhe në paaftësinë e vet për të kapitalizuar dy akte për të cilat duhet t’ia njohim se kanë dobinë e tyre, por edhe kurajon: dekriminalizimin dhe dorëzimin e mandateve. Është ky i fundit një akt që do të regjistrohet në aktet më kurajoze edhe pse ka shumë që e cilësojnë atë vetëvrasje.
Në fund të fundit opozitës i duhet një plan konkret. Ne lexojmë se Basha foli si kryeministër dhe kishte pesë pika. Por për pandeminë nuk po shihet asnjë plan në botë veç karantinës dhe ajo sado që sot duket si favorizuese për Ramën, mund të rezultojë edhe disfavorizuese. Por në çdo rast, ajo nuk do të prodhojë një diktator dhe as edhe ndonjë diktaturë të ndryshme nga ajo që bashkëjeton në mentalitetin tonë. Të të gjithëve ne.
Comments
Me pelqen Respublica, me
Me pelqen Respublica, me pelqen per kendveshtrimin me te vertet ndryshe nga shume portale. Shume here nuk bej komente po pothuaj i lexoj te gjitha shkrimet. Doja te thosha qe te shtoni ndonje link apo si quhet... , qe me pelqen shkrimi, nje si simbol apo fjali qe shkrimi u pelqye.
E njejta gje. Por dhe keta
E njejta gje. Por dhe keta kane mekatet e tyre dhe sikur rrahin pak si shume nga Siberia.
Ti je askushi per te na
Ti je askushi per te na treguar mekatet qe nuk ekzistojne.
Add new comment