Proza e shantazhit në emër të Shtetit
Qeveria, madje më shumë se kaq, Shteti, ka nisur gjuetinë e ujqërve. Po e bën këtë pa zhurmë, duke vëzhguar, duke llogaritur, e duke marrë shënim gjurmët që po lihen. Shteti është i sofistikuar: kësaj radhe parlajmëron aplikimin e represionit në ligjëratë të zhdrejtë. Dhe nuk e ka nisur keq.
Si fillim është konstatuar Mjegulla. Mjegulla e përgjimeve, pas së cilës dhe për shkak të së cilës ujqërit kanë nisur të grumbullohen e gjallërohen. Kjo padyshim është mënyrë e zgjuar, perspektivë dinake, që tregon se në ndryshim nga sa u tha në Parlament së fundmi, mes radhëve të fyejve dhe karabushëve profesonistë të Rilindjes, ka nga ata që mendojnë. Nga ata që premtojnë ta nxjerrin breshkën e kërrusur qeveritare nga bataku i viktimës dhe i mbrojtjes, në aradhë sulmuese. Siç mund të pritet me ligjin në dorë, në mendje dhe në zemër. Ja një fragment nga kjo prozë e re politike: “Sot, Tirana zyrtare është pothuajse e pastruar nga mjegulla e përgjimit si dhe……nga njerëzit politikisht seriozë që dhe “përgjojnë” edhe “përgjohen”.
Aferim! E kemi të pastër qeverinë, ndrin, ndaj edhe duhet ta ulim kurrizin, apo edhe t’i lëmë shkrepëtimat e mendjes, e t’ia puthim dorën e t’ia këndojmë me mall iradenë.
“Por……është mjegulla ajo që prodhon njerëz “kaq politikisht seriozë”, apo janë njerëzit “kaq politikisht seriozë” ata që prodhojnë këtë mjegull ??? Këtë nuk po mundemi ta gjejmë ende”, thuhet në dorëshkrimin, që ngjan këtu si apokrif. Pasi ne populli, kemi bërë tonën prej kohësh atë thënien e mençur se “është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo njerëzit që korruptojnë sistemin”, ndaj nuk na mbetet që këtë parafrazim ta lexojmë si metaforë. Pasi përndryshe do të na dukej si një çartje për të zhdukur Mjegullën, me të cilën njeriu dialogon. Qoftë duke admiruar heshtjen dhe padukshmërinë e saj, qoftë duke u ndruajtur nga të papriturat e saj. Nuk është gjë e mençur që për të kuruar frikën e dikujt të rendet në zgjidhje revolucionare. Ose më saktë, radikale.
Me këto zgjidhje nuk kemi parasysh largimin e ndonjë nëpunësi që së fundmi ka krijuar probleme dhe ka prishur nervat e atyre që rrinë në kodrinat majë kënetës shqiptare. Pasi detyra e këtij nëpunësi, PËRGOJUAR shpesh edhe për atributet dixhitale, mundet që të jetë ambicie apo objektiv i hershëm i atyre që e kanë kaq për zemër ligjin dhe sidomos Shqipërinë.
Duhet davaritur mjegulla që të gjendet drejtimi i duhur. Dhe ka nga ata që e kanë gjetur, madje po e shesin jo keq “raison d’etat” me prozën e shantazhit:
“Veç një gjë e dimë fort mirë. Spiunimi dhe spiunët që dëgjojnë e përgjojnë për Shtetin e sigurinë e tij, nuk po na hyjnë më në punë, në Shqipërinë tonë. Zanati i tyre pothuaj ka mbaruar profesionalisht dhe ligjërisht. Tashmë punën e tyre po e bëjnë televizionet, gazetat dhe gazetarët e tyre interceptues. Spiunimi dhe spiunët, që duhet të dëgjojnë e përgjojnë për Shtetin dhe sigurinë e tij, me sa pamë e dëgjuam nuk paskan PËRGJUAR sipas Ligjit, por thjesht kanë PËRGOJUAR …. sipas Ligjit. Ka ardhur Ora që prodhuesit e News-eve të “përgjimit”, “përgjuesve” dhe “të përgjuarve”, të zbulohen e të japin llogari përpara Ligjit”.
Ky është paragrafi i duhur, sanksioni, që pason dispozitën morale që kacavirret në rreshtat e mësipërm. Është një sanksion që vjen me përrallën “Na ishte njëherë Shteti”, ose “Ah sikur të kishim shtet”. Pasi kërcëllitja e dhëmbëve ndaj Orave dhe Njuzeve, gazetarëve dhe interceptorëve, po lidhen me shtetin, që, të na falë lexuesi, nuk dihet pse këtu në mënyrë implicite barazohet me dekonspirimin e vrimës së brekëve të dikujt që desh pa bëri atë që bëri. Imazhi flet sa një mijë fjalë.
Por gjithsesi është mirë që dikush kujtohet e flet për Shtetin, që na thotë se Shtet ka, e jo se “Ne do bëjmë shtet”. Pasi, për ta shprehur me kryefjalën e dorëshkrimit të mësipërm, apo me frymën e tij, kjo parrullë e dytë, pra që “Do bëjmë shtet”, implikon se shtet nuk ka. Ndaj edhe shqetësimi për gazetarë e interceptorë, është Përgojim i pastër, si prej zanatçiu.
Dhe në fund ndoshta është me vend të kujtojmë se kjo punë funksionon si puna e duhanit për arabët, që e nisën se ua ndaluan. Autori mund ta dijë shumë mirë se hapja është rruga më e mirë për të davaritur mjegullën. Ajo hapje që ekzistonte natyrshëm në vitet 1997-2005, një hapje që ka kosto, por e bën të pavlefshëm Përgjimin e Përgojimin.
Shaptilografisti
Comments
Degradim i shtetit Rilindas e
Degradim i shtetit Rilindas e khtyer si shpia me"gjethe"..
Te lumte ajo pene ,po sic po
Te lumte ajo pene ,po sic po duken bathet mbetem vetem tek te shkruarat .
Si duket,,ujrat turbullohen
Si duket,,ujrat turbullohen per te peshkuar,,
Add new comment