Veç për ide të reja nuk flasim
Një nga eksponentët e rëndësishëm të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, dha para disa ditësh një intervistë të gjatë për “Shqipin”. Në kundërshtim me çfarë prisja (jemi pas humbjes së tyre në zgjedhjet e 8 majit dhe në prag të kongresit të radhës së PS-së), ai nuk e kish parë të udhës të fokusohej te klima politike në Shqipërinë e këtyre ditëve, te gjendja e opozitës, e te fakti e faktorët e dështimit elektoral. E vërteta është se opozitarët janë me idenë se nuk kanë humbur. Ka një numër politikanësh, por dhe komentatorësh politikë, që nuk kanë lënë rast pa thënë se këtë herë opozita ka fituar. Nuk duket se është kështu. Opozita ka humbur. Po, dominon nëpër qytete, por kjo e dhënë, përpara se të shihet si forcë e opozitës, duhet parë si një refuzim i qartë që banorët e qyteteve i kanë bërë Berishës. Por edhe sikur të mos ish kështu, diferenca e ngushtë në Tiranë (një barazim i plotë në terma politikë) dhe kalimi de facto i bashkisë së kryeqytetit në duart e Berishës, e zbehu jashtë mase llamburitjen urbane të PS-së e të opozitës. Nëse pastaj e shtyjmë diskutimin edhe në terma jo elektoralë, nuk do të kishim zor të dallonim një opozitë dështake; ajo i ka humbur të gjitha garat e të gjitha betejat e viteve të fundit.
Por Majko, ashtu si dhe shumë të tjerë, nuk ecte kësaj ane në intervistën e tij. Ai merrej me gjëra të tjera, merrej me marksizmin, merrej me patologjitë e politikës e të shoqërisë shqiptare, e me probleme të tjera të kësaj natyre, të cilave rrekej t’u përgjigjej në mënyrë disi akademike. Nuk ka ndonjë të keqe në gjithë këtë, por teksa e lexoja, nuk më shqitej asosacioni se ish duke u marrë me gjininë e engjëjve. Ai thosh, megjithatë, diçka që më goditi në mënyrë të veçantë. Dhe e thosh qysh në krye të herës, në përgjigje të pyetjes së parë lidhur me kongresin e pritshëm. “Nuk besoj se do të bëjmë zbulime në këtë kongres. Shoqëria shqiptare është në pikën e ngopjes me idetë e reja”. Prisja që ta zhvillonte këtë tezë, por nuk e kish bërë; e kish lënë të papërpunuar. Thjesht e kish hedhur, dhe e linte ashtu bruto, e prandaj, në thelb, nuk kemi shumë ç’të diskutojmë. Por teza e vet, s’ka gjë se e pashpjeguar (nëse antenat e mia kanë kapur mesazhin e duhur), nuk të lë indiferent. Majko mendon se jemi të nginjur me ide të reja. Aq shumë jemi bombarduar me to, sa na kanë dalë e po na dalin prej hundësh.
Nuk e di nëse ka, apo jo, të tjerë që e shohin këtë punë si Majko. Por mua më duket se nuk është fare rasti që Shqipëria të vihet në dietë për sa u takon ideve të reja; përkundrazi, është rasti që Shqipëria të ushqehet non stop me ide të tilla. Kudo ka vend për ide të reja. Edhe atje ku duket se gjërat shkojnë mirë (vendet e mbrothëta, pa konflikte sociale e me regjime politike të formësuara e të konsoliduara në rrjedhën e kohës), shfaqet çdo ditë nevoja për ide të reja. Sfidat e jetës nuk kanë të mbaruar. Dhe popujt, kombet, shoqëritë, përpiqen jo thjesht për të përparuar në udhën e zhvillimit, por edhe për të ruajtur e mbrojtur arritjet e mëparshme. Mjaft të shohësh perëndimin në mes të kësaj krize ekonomike e financiare që ka filluar prej disa vitesh e që s’i duket fundi, dhe kupton se atje ka pllakosur një frikë se begatia, siguria, stabiliteti e rendi politik nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë. Dhe kjo është vetëm njëra nga frikërat.
Por le ta lëmë perëndimin. Në Shqipëri bëhet një diskutim tjetër. Kur flasim për ide të reja, kuptohet se nuk është fjala për ide të reja in assoluto. Është fjala për ide që bota i ka zbuluar, e që neve na duhet t’i adoptojmë (në ndonjë rast edhe t’i adaptojmë; kuptohet, po të kemi fuqi, pasi adaptimi qëllon shpesh të jetë më i vështirë se sa vetë zbulimi). Në këtë kuptim, ne veç një gjë nuk kemi bërë në periudhën postkomuniste. Nuk kemi folur për ide të reja.
Po hyj në një terren konkret. Kemi artikuluar aspiratën dhe objektivin për të ndërtuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Gjatë dy dekadave të fundit janë bërë hapa para në disa drejtime, por në këtë fushë, në fushën e demokracisë e të shtetit të së drejtës pra, ne jemi ende në një fazë embrionale. Ende s’po mundim të organizojmë zgjedhje normale, media është nën kontrollin e plotë të padronëve, interesat e të cilëve janë bërë njësh me politikën, hapësira publike (“public space” edhe në kuptimin që e përdor Hannah Arendt), pothuaj njësoj si në regjimin totalitar, është e tëra në duart e establishmentit sundues, institucionet varen e komandohen prej pushtetit ekzekutiv, burokracia është partiake, praktika “rule of law” vijon të rivalizohet nga morali publik që del prej besimit të qëmotshëm të shqiptarëve, se “ka ligj, por ka dhe Maliq” etj., etj., etj.
Ngre pyetjen: nuk ka vend për ide të reja këtejpari? Ka që ç’ke me të. Dhe opozita nuk ka pse të heqë shumë për t’i shpikur e zbuluar këto ide. Këto dihen. Puna është të kesh vullnet për t’i bërë të tuat, e të kesh kurajë për t’i sendërtuar. Kjo e fundit është gjëja më e rëndësishme për shoqëri si kjo shqiptarja, d.m.th. për shoqëri reaksionare, d.m.th. akoma për një shoqëri të kapur keq pas praktikave të vjetra e të frikësuara prej prurjeve e prirjeve të reja.
Një ilustrim i kësaj që sapo thashë. Nuk besohet se ka ndonjë njeri, që nuk e di se administrata publike duhet të ndërtohet mbi kritere të meritës e duhet të jetë e depolitizuar. Opozita e di, gjithashtu. Por nuk e ngre si problem rindërtimin e kësaj administrate mbi këto baza, pasi kështu do të shkurajonte militantizmin politik, që ka marrë formën e klientelizmit politik. Mirëpo, për sa kohë që kjo gjë nuk bëhet, ideja e rindërtimit të administratës publike mbi baza të meritës, do të mbetet një ide e re. Fringo e re. Dhe të tilla ka sa të duash. Duhet folur për to. Pa pushim. Deri në ditën që do t’i shohim të materializuara në praktikë.
Comments
Shume interesante ceshtja e
Shume interesante ceshtja e kapur nga z. nano dhe ai ka plotesisht te drejte trajtimit nen kendin e tij.
Ne nje plan tjeter, te ndryshem nga ajo e z. Nano, deklarata te tilla si ajo e z. Majko eshte nje deshmi e gjalle e kohes se humbur, qe kalon dhe qe nuk kthehet. Kur doli per here te pare ne TV dhe me vone si Kryeminister, z. Majko krijoi entuziazem ne shume bashkekombas. Sepse ishte fytyre e re, kishte ide te reja dhe pergjithesisht nje personalitet rinor me te cilen u identifikuan nje pjese e madhe e shqiptareve.
Majko 40 e ca vjecari, prej mbi 20 vjetesh i rregjur ne betejat e Realpolitik-es shqiptare, i thinjur, i graduar dhe shkarkuar periodikisht nga makineria socialiste, Majkoja i mplakur ne nje fare menyre deklaron me gojen e vete se e reja, vektor i se ciles ka qene per shume kohe, e ka lodhur shume. Ceshtje e paster brezash: majko i ri per ide te reja dhe ai i vjeter konservator. Kjo eshte nje aresye me teper perse duhet te kujtohemi se ne Perendimin e afert publiku e sheh te domosdoshme rifreskimin e fytyrave te politikberesve te rendesishem.
Sepse pas disa vitesh idete e reja jo vetem shterrojne por edhe koncepti i tyre duket thuajse i huaj dhe armiqesor.
Add new comment