Të gënjesh e të bësh sikur

Postuar në 20 Korrik, 2011 06:11
Umberto Eco

Në trillin e tregimtarit kufiri ndarës midis të vërtetës dhe sajimit është i zbehtë. Kështu, ndodh që lexuesit i marrin romanet seriozisht. Sikur të flitej për gjëra që kanë ndodhur vërtet. Dhe i veshin autorit idetë e personazheve të tij.

(8 korrik 2011)

Lexuesit e mi me siguri do të kujtohen që, së fundi, në disa nga shkrimet e mia, jam marrë me gënjeshtrën. Në fakt, isha duke përgatitur një referat, të cilin e mbajta të hënën që shkoi në Milanesiana 2011, për temën “gënjeshtra dhe të vërteta”. Këtu fola edhe për trillet e tregimtarit.

Mund të themi që romanet janë rrena? Në pamje të parë, takimi në rrethinat e Lekos i don Abbondios me dy horrat duket si gënjeshtër, ngaqë Manconi e dinte fare mirë se po rrëfente një ngjarje të sajuar prej tij. Por Manconi nuk ka dashur të gënjente: “bënte sikur” çka po tregonte kishte ndodhur vërtet dhe i ftonte edhe lexuesit të bëheshin pjesë e trillit të tij. Njësoj siç pranojmë se fëmija që vringëllon një shkop në ajër, bën gjasme sikur ka në dorë një shpatë.

Sigurisht, trilli i shkrimtarit e lyp që në krye të na jepen ca shenja trillimi, me fjalën “roman” mbi kapakun e librit apo me nistoren “na ishte seç na ishte”. Por ndodh shpesh që shkrimtarët e fillojnë me një sinjal të rremë vërtetësie. Ja një shembull: “Zotin Lamuel Guliver, …, e kam mik të vjetër dhe të ngushtë; … Aty e tre vjet më parë, …, i lodhur nga kureshtarët që i hynin e i dilnin në shtëpinë e tij të Redrifit, bleu një copë tokë dhe një shtëpi të rehatëshme pranë Niuarkut… Para se të largohej nga Redrifi, më dorëzoi këto shkrime… Nuk e di sa e vërtetë do të duket vepra në përgjithësi; po në këtë punë autori ka fituar kaq emër, sa në rrethet e Redrifit, kur duan të provojnë gjësendi, njerëzit thonë: “Zëre sikur e ka thënë Guliveri!” (sipas shqipërimit të Halit Selfos tek “Udhëtimet e Guliverit ndër vise të largëta të Dheut”, NSHB, Tiranë 1958).

Në ballinën e botimit të parë të librit "Udhëtimet e Guliverit" nuk del emri i Xhonatan Suiftit si autor i krijimit, por emri i Guliverit, si jetëshkruesi i vërtetë. Mbase lexuesit nuk e hanë këtë, sepse nga “Historia e vërtetë” e Luçianos të Samostasës e këtej, pohimet e tepruara të vërtetësisë ngjajnë si shenja stisjeje, por, në një roman, faktet e fantazuara dhe referencat me botën reale pleksen aq keq sa shumë lexues e humbasin pusullën. Kështu, ndodh që i marrin romanet seriozisht, sikur në to të flitej për ngjarje që kanë ndodhur vërtet dhe i veshin autorit mendimet e personazheve të tij. Si autor romanesh, unë ju siguroj se kufiri midis publikut të mësuar me trillin tregimtar dhe publikut të pastërvitur, që e lexon romanin si një zinxhir ngjarjesh të vërteta, ndahet, le të themi, tek 10 mijë kopjet e para. Të tjerët janë si ata shikuesit e teatrit të kukullave që fyejnë nga galeria Ganon e Magoncës, paladinin që tradhëtoi atdheun e perandorin Karl i Madh.

Nga romani im “Lavjerrësi i Fukosë” po kujtoj një personazh të quajtur Diotallevi, i cili për t’u tallur me mikun e tij Belbo, shumë i shtënë pas kompjuterit, i thotë në faqen 45: “Sigurisht që makina ekziston, por ajo nuk është prodhuar në luginën tënde të Silikonit”. Një kolegu im, i cili jep lëndët shkencore, më shpotiti duke vënë në dukje që “Silicon Valley” përkthehet “Lugina e Silicit”.

Iu ktheva dhe i thashë që e dija shumë mirë se kompjuterat bëhen me silic (në anglisht "silicon"). Aq e vërtetë është kjo sa mjafton të shkosh tek faqja 275 dhe të lexosh pjesën ku zoti Garamond i thotë Belbos ta futë kompjuterin tek “Historia e metaleve”, ngaqë bëhet me silic, kurse Belboja i përgjigjet: “Po silici nuk është metal, është metaloid”. I theksova edhe se, në faqen 45, nuk flas unë por vetë Diotallevi, të cilit nuk ia hiqja dot të drejtën të mos kishte haber nga shkenca, as nga anglishtja. Shtova që në libër kuptohet se Diotallevi vë në lojë përkthimet e këqia nga anglishtja, njëlloj sikur “hot dog” të përkthehej “qen i nxehtë”. Kolegu im (që s’para na beson ne të shkencave shoqërore) qeshi me mosbesim, ngase shpjegimi im iu duk copë-copë.

Ja pra, rasti i një lexuesi që, edhe pse njeri i mësuar, së pari, nuk dinte ta lexonte një roman si një të tërë, duke i bërë bashkë të gjitha pjesët e tij. Së dyti, nuk e kuptonte hiç ironinë dhe, në fund fare, nuk ishte në gjendje të dallonte mendimet e autorit nga mendimet e personazhit. Për shkencëtarin si ai “të bësh gjasme sikur” ishte një koncept i panjohur.

Përktheu: Henrik Ligori

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.