Ambasadorët mbështesin Berishën?
Si shpjegohet që diplomatët perëndimorë janë vënë në mbështetje të Berishës? – kjo është pyetja që më është bërë herë pas here nga njerëz të ndryshëm në rrethana të ndryshme. Kam frikë se edhe kolegëve të mij, apo dhe plot të tjerëve që supozohet se, për shkak të “profesionit a detyrës”, dinë ndonjë gjë më tepër lidhur me këtë argument, u është bërë e njëjta pyetje kohë pas kohe. Duket sikur kemi të bëjmë me një rebus të madh shqiptar. Ende i pazgjidhur. Ndoshta i pazgjidhshëm.
Në të vërtetë, kisha ca kohë që s’po e vrisja mendjen mbi këtë rebus, por kur Kolegji bëri adetin, dmth i vuri vulën falsifikimit të rezultatit elektoral, protagonizmi i atypëratyshëm i ambasadorëve ma risolli në vëmendje. Të kuptohemi, nuk është se ata thanë “rroftë Berisha!”; thanë amá atë që Berisha do donte që ata të thoshin, dmth që institucionet e thanë fjalën e tyre, që maxhoranca e opozita duhet t’i rikthehen dialogut, që palët duhet të respektojnë vendimet e marra nga institucionet, etj, etj. Formalisht, të gjitha deklaratat e tyre me këtë rast ishin tepër korrekte (çfarë mund e duhej të thoshin tjetër?), e në këtë kuptim, nuk ke se ku të kapesh. Por problemi nuk është tek deklaratat e tyre të momentit. Problemi është një tjetër.
Problemi është, se ata e dinë, që Shqipëria po largohet frikshëm nga praktikat e demokracisë e të shtetit të së drejtës, dhe nuk po bëjnë asgjë për ta shkurajuar këtë zhvillim; përkundrazi, në të shumtën e kohës janë vënë hapur në mbështetje të sundimtarit të Tiranës, i cili po i bën zap një e nga një të gjitha institucionet e pushtetet e pavarura kushtetuese, median, shoqërinë civile. Ja, sapo mori bashkinë e Tiranës; madje, nuk e mori; e grabiti; e grabiti faqe botës; dhe e festoi me fishekzjarre, shí si feston Robert Mugabe (ku tjetër është parë që pushteti të festojë me fishekzjarre një rezultat elektoral?). Vitin e ardhshëm do të marrë në dorë (në rrugë ligjore, kuptohet) zyrën e kryeprokurorit, pastaj atë të Presidentit të Republikës, rrjedhimisht do të shtjerë në dorë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Çfarë mbetet? Mbetet ndonjë gazetë e ndonjë televizion për të llomotitur. Por edhe ato mund t’i marrë; në mos, mund t’i shtrojë; në mos, mund t’i tredhë; në mos, mund t’i frikësojë; në mos, nuk ka pse të shqetësohet, pasi mediat jo qeveritare kanë mësuar mirë se si të mos jenë opozitare e anti qeveritare, kanë mësuar të llomotisin aq sa qeveria të mos shqetësohet; madje, në ndonjë rast duket se qeveria është e shqetësuar, jo ngaqë këto media janë agresive me qeverinë, por ngaqë s’janë; edhe vetë bandës qeveritare i duhet një fasadë demokracie.
Një nga grupet mediatike më të rëndësishme të vendit, bajagi i zhurmshëm dhe i rreshtuar majtas qysh në lindje (News 24, Gazeta Shqiptare, balkanweb-i, etj), nuk është më as i majtë, as i zhurmshëm. Me anë të një takeover-i në tregun mediatik (të realizuar me mënyra krejt legjitime, si gjithnjë) i është prerë një krah i fuqishëm media-s jo qeveritare. Po flitet se mund të ketë takeover-a të tjerë. Biznesmenët e pushtetit po bëjnë gati paratë. Operacionet financiare të blerjes së media-ve opozitare do të jenë sërish legjitime, bash si procesi i grabitjes së bashkisë së Tiranës (foli KQZ-ja, foli Kolegji Zgjedhor, ç’doni më? Dini ju ndonjë rrugë më legjitime të nxjerrjes e çertifikimit të rezultatit elektoral?). Janë aq mirë të kopsitura në pikëpamje ligjore këto operacione financiare e procedura vendimmarrjeje në dëm të opozitës e në të mirë të fuqizimit të regjimit putin-ian të Tiranës, sa ambasadorët, dashamirës në kulm ndaj Berishës, janë të lumtur që ky i fundit i kopsit mirë zullumet, dhe kështu këtyre nuk u duhet të komprometojnë statusin për ta marrë në mbrojtje. Po edhe sikur t’u duhej ta komprometonin pozicionin e tyre, ata s’do ta kishin për hall ta bënin. Na e kanë dëshmuar në ditët që pasuan 21 janarin, se janë aleatë pa kushte të Berishës.
Pse pra? E gjithë kjo nuk ka se si dhe se pse të ketë lidhje me antipatinë që provokon tek ata Edi Rama. Dakord, Ramën nuk e çmojnë, dhe mirë bëjnë që s’e çmojnë (e pse do duhej ta çmonin?), por mbështetja për Berishën e për regjimin e tij është tjetër gjë. Këta ambasadorë, tok me qeveritë e tyre, mund të merren vesh fare mire për ta mbajtur gjithë kohën Berishën në pushtet, por të paktën le të na bëjnë të kuptojmë se e kanë nën kontroll e të domestikuar. Mirëpo as që bëhet fjalë: ata po bëjnë të kundërtën, po e mbajnë të tërbuar e të zgjidhur nga zinxhirët.
Kori i ambasadorëve që mban avazin e Berishës nuk ka lidhje as me gjoja kulturën e tyre të legalitetit. Ka ca e ca që e hanë toptan këtë pretendim të tyren, dhe duket sikur kanë të drejtë, pasi këta ambasadorë flasin herë pas here për respekt të ligjit e të institucioneve. Ja, edhe tani, pas vendimit të Kolegjit, me këtë gjuhë folën. Atëherë? Atëherë ec e gjeje pse flasin me gjysmë zëri, apo me zë të mekur, në mbrojtje të institucioneve kur këto të fundit dhunohen e nëpërkëmben nga Berisha. Reagimi i tyre në kohën kur kryeministri ynë refuzoi hapur e brutalisht urdhërin e Prokurorisë së Përgjithshme të nesërmen e 21 janarit (Prokuroria është gjithashtu një institucion, ashtu si KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor), apo kur zuri t’i hakërrehej udhëheqësit të opozitës përpara kamerave me fjalët “provoje sërish, dhe do ta shohësh që do të ndëshkoj siç ndëshkohet një bandit!”, ishte në limitet e paturpësisë. Doni më? Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, që është këtu për të monitoruar, përveç të tjerash, gjendjen e lirinë e mass-media-s, s’mbahet mend të ketë ngritur zërin e të ketë shprehur ndonjë mospajtim me faktin, që televizioni ynë publik (TVSH) është shndërruar në një instrument propagandistik i stilit goebbels-ian. S’e ka ngritur zërin, me sa duket, edhe ngaqë në ekranin e këtij kanali që mbahet me paratë tona shfaqet disa herë në ditë maska pa shprehje e surratit të tij. Kjo sjellje mund të përkthehet e shpjegohet veç në një mënyrë: atij, dhe kolegëve të tij, aq u bën për institucionet.
Dhe në këtë pikë kemi një shpjegim tjetër që dëgjohet në xhiro: Berisha i ka hapur rrugën protagonizmit të shfrenuar të ambasadorëve; këta të fundit vinë në Shqipëri, dhe për herë të parë në jetën e tyre ndihen të përfillur e objekt i kërshërisë e vëmendjes publike. Në vendet e tyre ata kanë qënë e janë një në mes dhjetra e qindra milionë të tjerëve. Askush nuk kujtohet se egzistojnë. Ndërsa në Tiranë e në Shqipëri janë më shumë se sa një rock-star. Këtu jetojnë si në ëndërr. Nuk është çudi që edhe një pjesë vajzash e grash t’i kenë bërë pjesë të fantazirave të tyre erotike; ose të paktën, nuk është çudi që ambasadorët vetë ta besojnë këtë haluçinacion. “Kjo është Shqipëria e Sali Berishës”, mendojnë ata, dhe nuk u shkon në mendje të besojnë se Shqipëria e ambasadorëve të përkëdhelur është e të gjitha kohëve.
Mos vallë e bëjnë në emër e në të mirë të stabilitetit politik të vendit? S’besoj se janë kaq të trashë sa ta shesin mbështetjen që i japin një sundimtari si kontribut në favor të stabilitetit. Historia e botës, sidomos kjo e kohëve të fundit, ka treguar se pikërisht mbështetja e banditëve në pushtet është kontributi më i mirë për ta destabilizuar një vend. Edhe historia postkomuniste shqiptare ka provuar të njëjtën gjë, sidomos në vitin 1997. Udhëheqësi i rrethuar atëmot me mbështetje, pavarësisht se po ndërtonte një regjim policor, ka qënë po ai, Sali Berisha.
Apo e bëjnë, ngaqë Berisha është një leader ballkanik që di t’u thotë vetëm “ok”? Në të vërtetë, Berisha është mjeshtër për t’iu qurravitur të gjithë atyre që kanë në dorë në një mënyrë a në një tjetër avenirin e tij politik. Nëse e lë në pushtet Berishën, ai nuk të hap punë kurrë. Përkundrazi, bëhet masha jote në çdo kohë, qoftë dhe duke u hyrë në hak interesave kombëtarë. Por në këtë mes duhen bërë dy saktësime. Së pari, kush tha se Rama do të sillej ndryshe? Madje, Rama ngjan të jetë fare i çinteresuar për përmasën e jehonën ballkanike të emrit e të personalitetit të vet. Rama nuk ka minimumin e kureshtjes dhe të dijeve për punët e jashtme, e kur vjen puna tek punët e brendshme, ka për të qenë njësoj i gatshëm për t’i thënë kakës kek e kekut kakë, nëse këtë gjë do t’ia kërkojnë ndërkombëtarët (dhe rëndom ndërkombëtarët, një dreq e di pse, këtë gjë kërkojnë). Së dyti, Berisha është një yesman e gentleman sa kohë lihet i patrazuar të konsumojë pushtet; në momentin që do të ndjejë se i cënohet pushteti, Arvizu-ja, Sequi-ja e Wollfarth-i do t’i duken si gogla.
Ndonjë shpjegim që i bëhet mbështetjes në favor të Berishës është i natyrës konspirative, dhe ky version thotë, se Berisha ka futur në xhep Bechtel-in, Bush-ët, Berlusconi-n, dhe është ky faktor “B” (së fundmi u faneps dhe një “B” e harruar: ish-sekretari i shtetit amerikan, Baker-i) që punon për të. Mund të jetë një limit i imi, dhe i formimit tim, por shpjegime të tilla më ikin duarsh e mendsh. Nuk i kap dot. Nuk i bëj dot të mijat.
Apo duhet besuar që Berisha ka korruptuar e ka blerë një e nga një ambasadorët? Nuk janë shumë. Praktikisht janë vetëm tre: Arvizu, Sequi, Wollfarth, e në këtë kuptim s’do ishte e pamundur, por kjo është një pandehmë shumë e trashë, shumë folklorike, shumë shqiptare. Është një tezë aq vulgare sa të vjen zor edhe ta fusësh e llogarisësh si variabël në ekuacionin me shumë zgjidhje (ndoshta pa zgjidhje) të mbështetjes ndërkombëtare në të mirë të Berishës. Personalisht, do ta refuzoja këtë shpjegim edhe sikur dikush t’ish në gjendje t’ma dokumentonte tezën e blerjes së ambasadorëve.
Përgjigja më e besueshme që kam gjetur dhe kam dëgjuar në vijimësi për pyetjen që kam shtruar qysh në krye të herës është një tjetër. Ambasadorët mendojnë gjithë ditën e ditës, se kjo është Shqipëria, dhe se këta janë shqiptarët. Ata e njohin mirë Berishën, dhe fakti që ky është në pushtet është për ta thjesht një anomali më tepër në një vend ku anomalia është rregull; e pse u dashka të shqetësohen për një situatë absurde në mes të një bote absurde?
Nuk kam mundur dot të gjej një përgjigje më të gëlltitshme se sa kjo për pyetjen: pse ambasadorët perëndimorë janë kaq të marrosur pas një marroku? Dhe është i vetmi shpjegim që i nxjerr disi të larë nga kjo histori. Për turpin tonë, kuptohet.
Comments
Aresyen e vertete ti zoti
<p>Aresyen e vertete ti zoti Mustafa e di shume mire ,por nuk te leverdis ta thuash.Ata ndermjet dy te keqijave zgjedhin ate me te voglen.Edhe e gjithe Shqiperia ate ben.</p>
Add new comment