Të rinjtë memecë
Pas pak në Facebook – Kryetari Edi Rama me skuadrën e të rinjve të PS Tiranë
Një njoftim që shpërndahet me një tekst fjali që padashur zbulon disa pyetje. Së pari lexoni pak termin “skuadër”: çfarë nënkupton ky term?
Garën, angazhimin, inkuadrimin, detyrat dhe qëllimin. Por skuadra siç na shfaqet në këtë njoftim të thatë dhe rutinë, është më saktë një armatë anonimësh të qeshur dhe me mirëqenie familjare që kanë kuptuar biznesin e partisë. Dhe të Bashkisë. Tashmë është e provuar se në radhët e këtyre skuadristëve ka vetëm një garë: të bien në sy të kryetarit apo shefit. Akomodimi, rehatia, karriera pa meritë, e shpejtë, katapultimi, janë ambiciet kryesore.
Asnjë pyetje për Tjetrin dhe për Veten. Thjesht angazhim statistikor për të qenë dhe pë t’u dukur sa më shumë aty ky është gjahu. Të rinjtë janë dekor dhe patologji: dekor sepse përherë krijojë efektin diversiv të pasurimit njerëzor të subjekteve të plakura dhe kapura, sikurse janë patologji sepse pas këtyre të rinjve ka një kulturë të tërë që qëndron. I ushqen.
Njoftimi në pamje të parë rutinor, shtron pyetjen: pse duhet sot një i ri që shkollohet teorikisht shumë më mirë sesa brezi ynë, të shkojë pranë një partie, në aktivitete ku flet vetëm një njeri? Pse duhet dikush të jetë roje nderi në kartolinat elektorale?
Mund të ketë shumë arsye, por një ndër to është fakti se partitë në Shqipëri janë edhe forma të fitimit të shpejtë, ku konkurenca është për cilësi të tjera nga ato që lidhen me të ashtuquajturën “ekselencë në shkollë”. Përndryshe çdo i ri do të shihte diçka tjetër nga përfshirja në një politikë që nuk ofron gjë veç korrupsionit.
Për cilat ide, mendime, projekte flitet aty? Për asgjë. Thjesht një orë e informacionit politik ku flitet për bufin e kënetës dhe kristalizohet mobilizimi dhe mobiliteti elektoral. Këneta është aty po aq sa te bufi plak. Është një kënetë me shushunja të reja, agresive që shumohen dhe tubohen ethshëm pranë laçkës dhe plaçkës, pa konsumuar edhe të dikurshmen “jetë partie” që mirë apo keq, një edukim politik e jepte.
Suksese Kryetarit Edi me skuadrën e të rinjve që qeshin, duartrokasin, por as dëgjojnë dhe as mendojnë. Edhe pse Të Menduarit ka dalë nga moda prej kohësh.
s.zaimi
Add new comment