Siç ka qenë...

Postuar në 27 Gusht, 2024 17:29

Ish-zëdhënësja e Syriza-s, Popi Tsapanidou ka njoftuar se do të zëvendësojë në Parlament Othon Iliopoulos, që ka dhënë dorëheqjen nga mandati.  Është episodi i radhës në serinë e ngjarjeve të tensionuara që kanë përfshirë partinë e majtë të drejtuar dikur nga Alexis Tsipras dhe Yannis Varoufakis. Aktualisht partia që drejtohet nga një homoseksual greko amerikan, Kassellakis, po përjeton momente të rënda përçarjeje dhe aty janë kristalizuar tri grupime që përfaqësojnë potencial shpërbërës.

Një lajm jo i mirë për partinë në fjalë, ndoshta edhe të majtën greke, por tregues i vibrimit të jetës politike aty. Tsipras ishte një lider i kohës sonë, me pirueta të jashtëzakonshme në vendimmarrje, që kishte pas një trashëgimi të madhe historike dhe politike e që diti të afronte afër intelektualë si Varoufakis, i pamenaxhueshëm në vetvete dhe Euklid Tsakalotos.

Sipas Wikipedia-s, partia u themelua në vitin 2004 si bashkim i partive të ekstremit të majtë dhe të majtë për t’u kristalizuar si subjekt zgjedhor në vitin 2012. Pro-europianiste, shekullariste, pjesë e Partisë së Majtë Europiane.

Debatet e tanishme në këtë subjekt sinkretik mund të lidhen me shumë aspekte: pikëpamje të ndryshme, vendime të pakonsultuara, ndarje ideologjike e kështu me radhë. Por në theme lato ilustrojnë një gjallëri mendimi që është demokratizuese në një plan më të gjerë, pa rënë në zhurmë të kotë. E majta greke e ka këtë karakteristikë: të kujtojmë se PASOK-u ishte një nismë gati personale e Andre Papandreut për të ardhur në rënien në pikiatë pas krizës së vitit 2008, por me kontribute të cilësueshme në stabilizimin e Greqisë demokratike pas vitit 1974.

Personaliteti i Andrea Papandreut është diskutuar jo pak dhe ai është një përfaësues atipik i intelektualizmit grek, aktivizmit politik, grekut dok që i përcillte këto të gjithë në shfaqjen dhe vendimet publike edhe pse ai ishte shumëçka larg këtyre.

Situata e të majtës greke, që origjinon si narrativë bazë te konflikti i Luftës së Dytë Botërore, mundëson analogji me evolucionin e të majtës shqiptare që ndonëse pa tharmin ideologjik dhe dinamikën intelektuale të së parës, përfaqëson një histori suksesi politik të gjatë. Ndonëse ky sukses nuk i korrespondon zhvillimit të vendit dhe madje tashmë mund të thuhet pa mëdyshje se Partia Socialiste, si pasardhëse e PPSh-së me të gjithë derivatët e tjerër, janë në themel të konfliktit social mes shqiptarëve.

Ne nuk gjejmë dot një përballje ideologjike apo reformuese te ky subjekt, te kjo e ashtuquajtur e majtë, të denjë për rreshtimin që deklaron. Që nga themelimi më 1941 e deri më sot, subjekti në fjalë ka përcaktuar ecurinë politike të vendit vetëm mbi kriterin e tribalizmit dhe luftës për pushtet. Të gjitha nismat ekonomike që u aplikuan, ndonëse formalisht në sens të së majtës, ishin në të vërtetë, apo u reduktuan në instrumente pushteti aq sa dokumentet më afatgjata dhe të paerodueshme nga koha, mbeten direktivat dhe vendimet organizative të partisë sesa ndonjë aspekt që ka të bëjë me orientimin e vendit në emër të zhvillimit. Çështja e pushtetit I jep këtyre dokumenteve vlerë të madhe historike dhe zbërthen më mirë se çdo gjë tjetër atë që ndodh dhe ka ndodhur.

Fraksioni i Vlorës, Peza, Mukja, Konferenca e Tiranës, spastrimet në disa sektorë, konfrontmi delirues me Eurokomunizmin, drejtimi nacionalist i politikës, reformimi nominal dhe legal i 1991-t, KPD-ja dhe saga e statuteve apo kongreseve, nuk prodhojnë asnjë element të qenësishëm politik përpos; Luftës për Pushtet.

Kirurgjia organizative e të majtës shqiptare, e rrënjosur si politikë sociale dhe elektorale, pa refuzuar as aleancën dhe kooptimin e vagabondazhit dje dhe krimit sot, ka gjeneruar një marrëdhënie solide pushteti që ka siguruar kufij të qartë dhe të dallueshëm të një feudi që dominon ende. Është një proces që ka një aspekt emancipues në kuptimin e brendësimit të mesazhit dhe kthimit të tij në psikologji veprimi: Nga Lart-Poshtë asgjë nuk diskutohet jashtë mureve të shtëpisë.

Sepse në të vërtetë shkolla e asaj partie ka vetëm një lëndë: rigjenerimin e urdhërit me statistikat e maternitetit. Me historinë e brendshme orale që kalon nga një brez në tjetrin, përherë me garancinë që sjell suksesi ekonomik i një klase që tashmë sfidon dhe paralelizon me forcën e tij edhe besimin se ka një Shqipëri përtej këtij pushteti.

Është kjo një ndër arsyet se pse në atë parti heshtja luan rolin e myshkut që ruan dhe konservon, brenda mureve të saj ka vlerë vetëm një interes dhe një fabul. Është një parti dhe një milet i pangjashëm me asgjë në kontinent, që nuk vuan nga plaga e vjetër njerëzore e Ndërgjegjes. Apo nga problemi Historik. Ku mendja njerëzore ka fshirë çdo rezistencë dhe asociohet automatikisht me sigurinë që ofron Partia si Vendi Im, dalja prej të cilit thellë-thellë përjetohet ende si arratisje.

Nuk ka shkollë, përvojë dhe Liri, sidomos Liri të ngrejë pikëpyetje apo të relativizojë mësimin bazik, katekizmin e korrupsionit shpirtëror që aplikohet në atë mjedis. Natyrshëm tanimë, pa u sforcuar dhe në formën e “një gjëje që dihet”.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.