Qeveria i bëri shqiptarët më të pasur në letra, duke i përzënë nga vendi

Postuar në 20 Korrik, 2024 13:26

 

Kur Shqipëria doli nga diktatura në fillim të viteve ’90 ishte ndër shtetet më të varfra në botë. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të ardhurat për frymë ishin 408 dollarë në vit, duke na renditur të 23-tin nga fundi në botë. Në Europë, në atë kohë, ia kalonim vetëm një shteti, që edhe ai dilte nga një regjim komunist, Bullgarisë (336 dollarë për frymë). Mesatarja e Europës në atë kohë ishte 13 mijë dollarë dhe e Europës Qendrore, 943 dollarë. Shpresat ishin të mëdha në një vend të vogël, por me burime të pasura, që po shfaqte potenciale pa fund. Dikush e gjeti rrugën nëpërmjet emigracionit, me valën e parë të viteve 1990-2000 që pa largimin e 600-650 mijë personave (shifra e bazuar në të dhënat e shtesës natyrore dhe të Censeve 1989-2001.

Në një vend ku shtesa natyrore ishte 40-60 mijë persona në vit, kjo valë dha pak ndikim në popullsinë totale, që u zvogëlua me vetëm 100 mijë persona në dekadën e parë të pas tranzicionit. Të tjerë filluan të merreshin me biznes, në një vend që kishte uri për gjithçka. Kishte nga ata që falimentuan, apo dhe të tjerë që ecën përpara, u rritën gradualisht dhe filluan të diversifikoheshin. Të shumtë ishin investitorët e huaj që nxituan të shfrytëzonin krahun e lirë të fuqisë punëtore, duke sjellë njëkohësisht njohuri dhe kulturë të re pune. Zhvendosja nga zonat rurale drejt qendrës, që ofronte më shumë mundësi, ishte një tjetër tendencë e dukshme, që nxiti dhe një valë të fortë ndërtimesh. 

Dekada e dytë shënoi rritje të shpejtë ciklike, por ende pre e një zhvillimi të paqëndrueshëm, pa një model të qartë ekonomik. Emigracioni vijoi, me rreth 500 mijë të ikur në periudhën 2001-2011, por gjithsesi shtesa natyrore vijoi të ishte midis 15-20 mijë perona në vit, duke bërë që popullsia të reduktohej me rreth 300 mijë persona në dekadën e dytë të tranzicionit. Të ardhurat për frymë u rritën në krahasim me vetveten, por Shqipëria sërish mbeti pas në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, ku vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, që të kapin ato më të zhvilluara në një periudhë afatmesme e afatgjatë. Të ardhurat për frymë në vitin 2011 arritën në 4400 dollarë, por ishim më të varfrit në Europë (përveç Kosovës) dhe sërish shumë më e ulët se mesatarja e Europës prej rreth 30 mijë dollarësh, po atë vit.

Dekada e tretë e tranzicionit e gjeti vendin në një pozicion më të favorshëm. Vendi nuk ishte më ai i fillimviteve ’90, bizneset vendase ishin forcuar, sipërmarrjet e huaja po shfaqnin interes, pagat po rriteshin, për procesin e integrimit në Bashkimin Europian po flitej gjithnjë e më shumë. Por, sërish modeli i zhvillimit të vendit frymëzoi shumë pak.

Korrupsioni i lartë, shpërdorimi i fondeve publike, sistemi arsimor i dobët, shërbimi shëndetësor që detyronte pagesat më të larta në Europë nga xhepi, pagat e ulëta që reflektonin një ekonomi të dobët jokonkurruese, bënë që nga vendi të ikte një forcë vitale si ajo e të rinjve.

U larguan dhe familje të tëra e shtresa e mesme, pritshmëritë e të cilëve për jetën ishin shumë të ndryshme nga ajo që u ofronte realiteti. Në periudhën 2012-2023 rezulton që ikën nga vendi rreth 500 mijë persona. Por, me shtesën natyrore që vitet e fundit ka shkuar pothuajse drejt zeros, rënia e popullsisë ishte në nivele rekord me 400 mijë persona më pak, duke mbetur në 2.4 milionë shqiptarë.

Rreth 1.6 milionë të ikur në tre dekada, për një popullsi që në vitin 1989 numëronte 3.2 milionë banorë janë një protestë e heshtur për një qeverisje që nuk arriti të ngjallte shpresë, duke nxitur një emigracion me përmasa jonormale. Deri në fund të vitit 2023, Shqipëria renditej nga FMN-ja sërish ndër të fundit në Europë (duke lënë pas Kosovën), me të ardhura për frymë prej 8 mijë dollarësh, nga 35 mijë euro mesatarja europiane dhe sa gjysma e Europës Qendrore. Bullgaria, që ishte më e varfër se ne në 1991, tashmë pjesë e Bashkimit Europian, i ka çuar të ardhurat e qytetarëve të saj në 15.8 mijë euro/banor, dyfishi i Shqipërisë.

Censi i fundit duket se e shpëtoi qeverisjen nga halli i etiketimit si më i varfri në Europë. Të rishpërndara në më pak banorë, të ardhurat për frymë kanë arritur tashmë në 9.2 mijë dollarë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Madje, ende një pjesë të konsiderueshme të kontributit në ekonomi e japin emigrantët, me rreth 10% të PBB-së. Sot qeveria mund të “mburret” me një fitore si ajo e Pirros, që vërtet i bëri qytetarët e saj më të pasur (në letra), por e arriti këtë duke i përzënë ata nga vendi.

Është pikërisht largimi dhe refuzimi masiv i shqiptarëve për qeverisjen dhe perspektivën që u ofrohet, veçanërisht nga shuarja e shpresës te të rinjtë, që i dhuroi qeverisë aktuale statistikën e zbukuruar të ikjes nga vendi i fundit si më i varfri në Europë, por që në fakt rrezikon të jetë një “colpo di grazia” (goditje fatale) për vendin dhe të ardhmen e kombit, që nuk mund të imagjinohet pa një rritje të popullatës.

Burimi: Monitor

Titulli në origjinal: Goditja fatale për të ardhmen e vendit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.