Policia: Vetëvritet Olsi Ibro! Viktima, një prej të akuzuarve për skandalin e mikrokredive
Drejtuesi i firmës ligjore ADCA dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësia. 45-vjeçari Olsi Ibro ishte në kërkim për skandalin e mashtrimit me mikrokreditë. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur sot në një pallat në ndërtim e sipër në rrugën “Ramazan Shijaku”.
Një ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës u vunë nën sekuestro “Micro Credit Albania” dhe “Final”. MCA, një institucion financiar jo bankë i licencuar në vitin 2016, administrohej nga bashkëshortja e Olsi Ibros, Elda Ibro, aktualisht në arrest shtëpie. Ndërsa vetë Olsi Ibro ka qenë drejtues i studios ligjore ADCA.
Sipas hetimeve, MCA në bashëpunim me shoqërinë “Final” dhe me ADCA kanë, krijuar një skemë mashtrimi përmes të cilës u kanë zhvatur miliona euro qytetarëve. Në maj, gjykata caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Elda Ibron, Jorsida Dervishin, Alketa Tanushin e Kejda Seferin, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, ndërsa në kërkim Alban Kote.
Prokuroria e Tiranës ka vënë nën sekuestro llogaritë bankare të dy shoqërive në vlerë 10 milionë euro. Dy javë më parë, Pal Trashaj, një prej personave të dëmtuar nga kjo skemë i dha fund jetës duke u vetëhelmuar para SPAK.
Add new comment