Duan ta krahasojnë me Trump, por ironikisht rasti i Berishës ngjan me atë të Biden

Postuar në 19 Korrik, 2024 00:23

Ka një përpjekje të pakuptimtë nga disa aktorë të opozitës për të krahasuar rastin e Donald Trump me atë të Sali Berishës. Në aspektin gjyqësor dhe mandej atë politik, duke supozuar se njësoj si Trump në ShBA edhe Berisha qëndron i vetëm përballë establishmentit në Shqipëri. 

Nëse heqim kullat e Tiranës, ky krahasim edhe mund të kalonte si një argument i mendjeve të irrituara të asaj që sot edhe z. Berisha e quan “partia më e madhe e opozitës” në mbështetje të një teorie viktimizimi dhe analogjie të Davidit me Goliatin. 

Mirëpo problemi këtu është diku tjetër: Donald Trump është instrumenti i vetvetes për rigjenerimin e perceptimit publik për të si alternativë ndaj një administrate që nuk ka se çfarë të premtojë veçse të ngrejë alarmin për të ardhmen e ShBA.

Sali Berisha nuk premton asgjë të re që nuk e ka premtuar së paku dy herë: herën e parë dekomunistizimin, herën e dytë dekriminalizimin e vendit nga shteti i Padrinos Fatos Nano. Përralla. Sot ai bërtet përballë narkoshtetit të Edi Ramës. 

Edhe sikur të gjitha tezat t’i ketë të drejta z. Berisha duhet të fitojë që të nisë revolucionin dhe të shpëtojë Shqipërinë. E që ta bëjë këtë atij i duhet një konsensus më i gjerë sesa ai i militantëve të partisë së vet. Nuk ka asnjë gjasë teorike tashmë që Berisha ta përfaqësojë atë konsensus edhe të elektoratit aktiv. Edhe me Ilir Metën në krah. Ose: sidomos me këtë në krah. 

Ndryshimi, që të jetë i besueshëm duhet të nisë nga ai që e premton. Dhe z. Berisha e di shumë mirë se që nga maji 2017 kur ai u bë avokati i paktit të bashkëqeverisjes atij i mungon një emër dhe një ekip i besueshëm për të qeverisur, por edhe për të fituar. E vetmja mënyrë që të ndodhte kjo janë zgjedhjet reale dhe efektive në parti, pa të si pjesë. 

Nuk po flasim për legjitimitetin e tij si kryetar i PD-së, por për legjitimimin e ndryshimit në shkallë vendi. Por z. Berisha as që ka ndërmend të lëvizë. Sepse fundja këtë di të bëjë edhe më mirë. Është ironike por rasti i tij sot i ngjan atij të Joe Biden, të cilit po i thonë të tërhiqet sepse  nuk fiton dot. 

Por Biden po qëndron dhe mundet edhe ta bëjë mrekullinë përballë Trump. Edhe Berisha mund ta bëjë mrekullinë, vetëm se në të dyja rastet do ishte një mrekulli që do e ndante vendin thellë.

Ndaj sërish mençuria politike dikton tërheqjen, që nuk është detyrimisht braktisje. Biden nga të tjera premisa nuk po ikën, Berisha mesa duket o për delir, ose për bythën e vet. Nuk ka asgjë serioze në këtë vend, të mos kemi iluzione. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.