Skandali i mikrokredive, BSH ndryshon politikat e licencimit
Banka e Shqipërisë ka ndryshuar politikat e licencimit të subjekteve bankare. Vendimi i ri Këshillit Mbikëqyrës të BSH shfuqizon rregulloren e vjetër të miratuar në nëntor të vitit 2003 dhe vjen vetëm pak kohë pasi BSH u hoqi licencën dy kompanive të mikrofinancës, Microcredit (MCA) dhe Final, në llogaritë e të cilave u bllokuan mbi 10 milionë euro.
Me politikat e reja, BSH synon t’u japë përparësi hyrjes së subjekteve të reja në treg, me qëllim ndërtimin e një sistemi bankar konkurrent, eficient dhe të shëndoshë.
Në mënyrë të veçantë, BSH synon të nxisë hyrjen e kapitaleve të huaja në tregun bankar vendas. Për licencimin e subjekteve të reja përcaktohen kritere si: mbështetja me kapitale, përshtatshmëria e aksionerëve (themeluesve),drejtimi i përgjegjshëm dhe me ekspertizë, praktikat më të mira për administrimin e rreziqeve, konkurrueshmërisë si dhe zbatimi i kuadrit rregullativ.
Rregullorja e re u jep përparësi subjekteve që kanë kapacitetin të aplikojnë metodat e avancuara të vlerësimit të rrezikut, forcimin e disiplinës së tregut, dhe zhvillimin e një numri kërkesash për dhënien e informacionit.
Aftësia për kapitalizim e subjekteve që aplikojnë pranë subjekteve të reja nuk është kusht domosdoshmërisht kualifikues në procesin e licencimit.
Kënaqja vetëm e kërkesës për kapitalin fillestar minimal të bankave do të vlerësohet si e pamja ftueshme për dhënien e licencës bankare. Aplikantët për licencë, duhet të jenë në gjendje të mbështesin subjektin në vazhdimësi me kapitale shtesë, në përputhje me profilin e rrezikut që do të ketë si dhe zhvillimet e ardhshme në treg, të paktën për një periudhë afatmesme.
Gatishmëria e subjekteve për të dhënë garanci dhe kapacitet për të siguruar kapitale shtesë në situata të pafavorshme, si nëpërmjet aksesit në institucione financiare ndërkombëtare, ashtu edhe nëpërmjet listimit në tregjet e kapitalit merret në konsideratë.
Rregullorja e re favorizon hyrjen në treg të subjekteve me vizion të qartë zhvillimi, konkurruese dhe me përvojë në industrinë bankare, dhe parashikon kujdes të veçantë në mënyrë që sistemi bankar të mos mbingarkohet me subjekte bankare të vogla, të cilat operojnë në një pjesë të kufizuar të tregut, pasi kjo mund të cenonte qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit.
Kriteret e reja të licencimit u miratuan vetëm pak kohë pasi zbulimi i një skeme mashtrimi kredidhënieje çoi në pranga nëntë persona, të cilët rezultuan të implikuar në marrjen e nga një bankë e nivelit të dytë të 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7 299 203.
Ata përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes, duke u imponuar debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin përmes shoqërive përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Ndërkohë që çështja është ende nën hetim, nuk kanë munguar akuzat në drejtim të guvernatorit të BSH, Gent Sejko, për masa të vonuara dhe të papërshtatshme.
I thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat me kërkesë të deputetëve të opozitës, Sejko i mohoi përgjegjësitë e tij për skandalin e mikrokredive, duke pretenduar se kishte marrë të gjitha masat që i lejonte ligji në rastin e shoqërisë financiare MCA - të përfshirë në një skemë të dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve.
Add new comment