Maxhoranca mbron mandatin e Olta Xhaçkës
Maxhoranca votoi sot kundër përcjelljes në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës.
Me 72 vota kundër dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi që mandati i ish-ministres Olta Xhaçka të mos kalojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Në fjalën e saj gjatë seancës, Xhaçka i mohoi akuzat për përfitime të paligjshme apo konflikt interesi, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, ka vetëm statusin e investitorit të asistuar dhe jo atë të investitorit strategjik të veçantë në ndërtimin e një resorti në Dhërmi në fillim të vitit 2022.
Një vit më parë, deputetët e opozitës, të ndarë në dy grupime iu drejtuan Kushtetueses me dy kërkesa të ndryshme për heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi për 30 vjet.
Gjykata pranoi kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, ndërsa pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit.
Add new comment