Katër milionë euro, por asnjë investim. Koncesionari i dializës i sjell të gjithë në Tiranë
Ishte planifikuar që kompania koncensionare e shërbimit të dializës të investonte mbi 4.2 milionë euro në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, e megjithëse kanë kaluar mbi 7 vjet nga firmosja e kësaj kontrate, këto investime nuk janë bërë realitet.
Në një raport për periudhën 2020-2022, Kontrolli i Lartë e Shtetit rendit disa shkelje që vijnë si pasojë e mosrespektimit të kontratës koncensionare, të cilat lidhen edhe me mungesën e shërbimit të dializës për pacientët që vuajnë nga problemet në veshka, nëse nuk janë në stadin më të rënduar të sëmundjes.
Shërbimin e dializës e përfitojnë pranë qendrave të koncensioanrit ku jetojnë, vetëm pacientët kronikë që vuajnë nga stadi i fundit i sëmundjes renale kronike. Ndërsa për pacientët që kanë raste akute të sëmundjeve të veshkave nuk mund të ofrohet shërbimi i dializës, pa kaluar më parë në një procedurë burokratike për marrjen paraprake të miratimit. Për këtë arsye, spitalet publike, pacientët me raste akute i dërgojnë për të marrë shërbimin e urgjencës në QSUNT.
KLSH raporton shkelje edhe lidhur me transportin e këtyre pacientëve, të cilët shpesh detyrohen të paguajnë kosto ekstra, edhe pse supozohet që të jetë spitali publik ai që kryen këto pagesa.
Vlerat e tarifave që i rimbursohen pacientit janë shumë të ulëta në krahasim me vlerën e transportit privat. Cilësia e transportit publik me autobus nuk siguron higjienën kaq shumë të kërkuar për këta pacientë si dhe në shumë rajone mungon transporti urban publik ndërqytetës. Më shqetësues është fakti se, sipas protokolleve mjekësore, pacientët që trajtohen me dializë u rekomandohet që të mos udhëtojnë në kushte të vështira dhe jo më shumë se gjysmë ore.
Nga auditimi u konstatua, se në rajonet e Matit, Bulqizës, Dibrës dhe Kukësit, nuk ka fare qendra për ofrimin e dializës. Pacientët nga këto zona janë të detyruar të udhëtojnë më shumë se njëqind kilometra për të marrë trajtimin në qendrën e Lezhës, gjë që rrit kostot dhe ngarkesën për këta pacientë.
Edhe mungesa e mjekëve nefrologë në qendra, ngrihet si shqetësim nga KLSH, ndërsa ata që janë, punojnë si në publik, ashtu edhe në privat.
Në të gjitha grupet e auditimit, rezulton se, për monitorimin e protokollit të HD dhe të transplantit, nuk ka në përbërje mjek nefrolog, (specialistë të fushës), por vetëm mjekë të përgjithshëm, për rrjedhojë këto auditime nuk mund të jenë funksionale dhe efektive. Mungon një numër i saktë i mjekëve nefrologë në vend.
Koncensionari, i cili përcakton spitalet jopublike që marrin financim për paketat e shërbimeve të dializës, sipas raportit nuk janë bërë me konkurrim, gjë që rrit rrezikun për ngritjen e monopolit nga kompani të caktuara të spitaleve private.
Add new comment