Në gjyq me BE-në, Parisi kërkon t’i japë terren frëngjishtes
Franca nuk i ka hequr kurrë shpresat se burokratët e BE-së do të flasin frëngjisht. Pavarësisht se në kontinentin e vjetër përdoret masivisht nga folësit jobritanikë një anglishte e thjeshtuar, Parisi synon ta zgjerojë përdorimin e frëngjishtes.
Parisi tani po sulmon bllokun për punësimin e disa punonjësve të rinj bazuar në vlerësimet e bëra në anglisht.
Brukseli aktualisht po punëson zyrtarë të rinj në fusha të tilla si hapësira, mbrojtja dhe ekonomia, duke përdorur një proces përzgjedhjeje që përfshin disa teste që jepen vetëm në anglisht. Parisi pretendon se këto kritere favorizojnë kandidatët anglofonë ndaj rivalëve të tyre dhe ka paraqitur dy ankesa para gjykatës më të lartë të BE-së. Detaje të njërës u bënë të ditura nga Politico.
Franca pretendon se testet vetëm në anglisht përbëjnë diskriminim dhe shkelin traktatet e BE-së. Rregullat e bllokut në përgjithësi parashikojnë që të gjithë qytetarët e BE-së duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga kombësia. Rregullat për rekrutimin e zyrtarëve të BE-së gjithashtu ndalojnë diskriminimin e bazuar në gjuhë në përgjithësi dhe e pranojnë atë vetëm në kushte të caktuara.
Dhe duket se në këtë pikë, Franca ka mbështetje. Një diplomat i BE-së, i tha Politico- në kushte anonimati se Italia mbështet qëndrimin francez dhe thekson se "ky nuk është një qëndrim kundër një gjuhe specifike, por në favor të shumëgjuhësisë".
Përpjekja e Francës për të përhaur gjuhën e vet vjen në një moment kur ndikimi i saj në botë ka nisur në zbehet. Presidenti francez Emmanuel Macron është investuar në rritjen e përdorimit të frëngjishtes në mbarë botën.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se "një komponent i rëndësishëm i testeve të përzgjedhjes EPSO është tashmë i disponueshëm në të gjitha 24 gjuhët (domethënë testet e aftësive të arsyetimit abstrakt, verbal dhe numerik)" dhe vuri në dukje se "EPSO po kalon gradualisht në një regjim të plotë 24-gjuhësh për garat e saj të hapura të ardhshme.”
Në rastet e mëparshme, të ngjashme gjyqësore, Komisioni është mbrojtur duke vënë në dukje se ka përdorur disa teste në anglisht vetëm sepse shërbimet e tij të rekrutimit kishin nevojë për kandidatë që të punonin menjëherë në atë gjuhë.
Add new comment