Nigeri: Franca po përgatit agresion ushtarak
Nigeri pretendon se Franca po planifikon një ndërhyrje ushtarake në ish-koloninë e saj, ku pak javë më parë një grusht shteti rrëzoi presidentin.
Zëdhënësi i juntës ushtarake që mori pushtetin thotë se Franca po mbledh trupa në disa vende të rajonit, për të realizuar qëllimin e saj.
Marrëdhëniet midis Nigerit dhe ish-fuqisë koloniale Francës u përkeqësuan pas një grusht shteti në korrik.
"Franca vazhdon të vendosë forcat e saj në disa vende ECOWAS (Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore) si pjesë e përgatitjeve për një agresion kundër Nigerit, të cilin ajo po e planifikon në bashkëpunim me këtë organizatë komunitare," tha kolonel Amadou Abdramane, zëdhënës i qeverisë në Niamey, në një deklaratë të transmetuar në televizionin kombëtar, cituar nga AFP.
ECOWAS ka kërcënuar se do të ndërhyjë në Nigeri për të rivendosur në detyrë presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum. Zyrtarët e lartë francezë kanë deklaruar gjithashtu disa herë se Parisi do të mbështeste veprimet ushtarake nga Blloku.
Megjithatë, sipas kryeministrit të emëruar nga ushtria e Nigerit, Ali Lamine Zeine, veprimi ushtarak nga ECOWAS nuk mbështetet nga të gjitha shtetet anëtare dhe për këtë arsye po tentohet arritja e një marrëveshjeje me bllokun në "ditët e ardhshme".
Udhëheqësit ushtarakë të Nigerit e kanë denoncuar më parë praninë e trupave franceze në vend si "të paligjshme" dhe kanë kërkuar tërheqjen e tyre të menjëhershme.
Ndërsa foli gjatë samitit të G20 në Nju Delhi, presidenti francez Emmanuel Macron tha se duke qenë se vendi i tij nuk e njeh qeverinë ushtarake të Nigerit, çdo rishpërndarje e forcave të saj mund të bëhet vetëm "me kërkesë të Presidentit Bazoum".
Parisi i ka tërhequr trupat nga Burkina Faso në fillim të këtij viti. Po ashtu, edhe forcat franceze nga Mali u tërhoqën pas tensioneve me qeverinë ushtarake që erdhi nga një grusht shteti.
Add new comment