Ndalohet me ligj vetëvrasja!
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka lëshuar një urdhër të fshehtë për autoritetet lokale, me të cilin synon të ndalojë vetëvrasjet, pasi fenomeni ka marrë përmasa të frikshme. Lajmin e bën të ditur Free Asia, e cila u referohet zyrtarëve qeveritarë, të cilët kërkuan të mbeten anonimë.
Numri i saktë i vetëvrasjeve në Korenë e Veriut është i vështirë për t'u përcaktuar për shkak të izolimit total të vendit. Megjithatë, Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut vlerësoi në maj se vetëvrasjet ishin rritur me rreth 40% nga një vit më parë.
Kim e quajti vetëvrasjen një "akt tradhtie kundër socializmit" në direktivë dhe deklaroi se zyrtarët lokalë do të ngarkohen me përgjegjësi për dështimin në parandalimin e këtij fenomeni brenda juridiksionit të tyre.
Një zyrtar në provincën verilindore të Hamgyong-ut në Korenë e Veriut i tha Radios Free Asia se atje ka familje të tëra të vetëvrara.
Letrat e lëna pas janë kritika të ashpra për vendin dhe sistemin shoqëror.
Një zyrtar tjetër nga provinca fqinje e Ryanggang - i cili gjithashtu flet në kushte anonimati - i tha Radios Free Asia se vetëvrasja po ndikon në komunitet më shumë sesa uria.
"Shumica e vetëvrasjeve u shkaktuan nga varfëria e rëndë dhe uria, kështu që askush nuk mund të dalë me një kundërmasë tani", shtuan ata, sipas shërbimit të lajmeve.
Sipas të dhënave të vitit 2019 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Korenë e Veriut kishte 8.2 vetëvrasje për çdo 100,000 njerëz, shifër kjo që e vendos atë në vendin e 45-të në renditjen botërore të shkallës së vetëvrasjeve.
Add new comment