Lindin bebet e para të fekonduara nga një robot

Postuar në 27 Prill, 2023 15:20

Një vit më parë, inxhinierët spanjollë krijuan robotin e parë për injektimin e spermës. Testi i parë për efikasitetin e shpikjes së tyre u bë në Nju-Jork, pasi fekonduesi artificial u dërgua me postë nga Barcelona.

Në klinikën New Hope Fertility Center, roboti u përdor për të fekonduar dhjetëra vezë. Rezultati i eksperimentit janë sot dy vajza të vogla.

Kompania start-up që zhvilloi robotin, Overture Life, thotë se pajisja e saj është një hap fillestar drejt automatizimit të fekondimit in vitro, ose IVF. Risia do ta bëjë procedurën më pak të kushtueshme dhe shumë më të zakonshme se sa është sot.

Aktualisht, laboratorët e fekondimit in vitro janë biznese shumëmilionëshe me staf të përbërë nga embriologë të trajnuar, të cilët paguhen afërsisht 125 000 dollarë në vit për të trajtuar me delikatesë spermën dhe vezët, duke përdorur gjilpëra boshe ultra të holla nën  mikroskop.

E gjithë puna e tyre, tani do të zëvendësohet nga një robot. Overture ka dorëzuar aplikimin për patentë për shpikjen e re.

"Imagjinoni një kuti ku futen sperma dhe vezët dhe një embrion del pesë ditë më vonë," thotë Santiago Munné, gjenetist i vlerësuar me çmime, i cili drejton departamentin e inovacionit në kompaninë spanjolle. Ai beson se nëse IVF mund të kryhet brenda një instrumenti desktop, pacientët nuk do të kenë nevojë të shkojnë në një klinikë të specializuar, ku një përpjekje e vetme për të mbetur shtatzënë mund të kushtojë 20 000 dollarë.

Në vend të kësaj, vezët e një pacienteje mund të ushqehen drejtpërdrejt në një sistem të automatizuar fertiliteti në zyrën e një gjinekologu dhe procedura do të kushtojë shumë më pak.

Deri më tani, Overture ka mbledhur më shumë: rreth 37 milionë dollarë nga investitorët, përfshirë Khosla Ventures dhe Susan Wojcicki, ish-CEO e YouTube.

Synimi kryesor i automatizimit të IVF-së, thonë sipërmarrësit, është i thjeshtë: të vijnë në jetë më shumë fëmijë. Rreth 500 000 fëmijë në vit lindin përmes IVF në gjithë botën, por shumica e njerëzve që kanë nevojë për ndihmë në këtë pikë, nuk kanë në ilaçet dhe procedurat e fertilitetit ose nuk mund të paguajnë për to.

"Si mund të arrijmë nga gjysmë milioni foshnje në vit, në 30 milionë?", thotë David Sable, ish-mjek i fertilitetit që tani drejton një fond investimi. “Nuk mundeni nëse e drejtoni çdo laborator si një kuzhinë artizanale me porosi dhe kjo është sfida me të cilën përballet IVF. Janë 40 vjet shkencë e jashtëzakonshme dhe inxhinieri sistemesh në nivele mesatare”, citohet ai nga Technology Review.

Megjithëse një makineri fertiliteti gjithëpërfshirëse nuk ekziston ende, automatizimi i disa segmenteve të procesit, si injektimi i spermës, ngrirja e vezëve ose ushqyerja e embrioneve, mund ta bëjë IVF-në më pak të shtrenjtë dhe përfundimisht të mbështesë inovacione më radikale, si modifikimi i gjeneve apo edhe mitra artificiale.

Si çdo risi, edhe roboti fertilizues ka skeptikët e vet. "Ti merr një spermatozoid, e fut në një vezë me traumë minimale, sa më delikate të jetë e mundur," thotë Zev Williams, drejtor i klinikës së fertilitetit të Universitetit të Kolumbisë. Tani për tani, "njerëzit e bëjnë këtë shumë më mirë se një robot”, thotë ai.

Një vezë njerëzore është rreth 0.1 milimetra e gjerë, në kufirin e asaj që syri i njeriut mund të dallojë pa ndihmën e një xhami zmadhues. Për momentin, për ta zhvendosur një të tillë, një embriolog do ta fusë atë në një gjilpërë të zbrazët dhe do ta nxjerrë sërish jashtë. Me shpikjen e re, vezët mund të fekondohen dhe të kthehen në embrione, duke lëvizur nëpër stacionet e një laboratori robotik sikur në një transportier.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

PO mire o vlla, tha, ajo metoda e vjeter nuk perdoret me apo si? Ate qe nuk ta jep Zoti, nuk mund te ta jape Roboti. Nen masken e te ashtuquajturit perparim te shkences, njerezimi po shkon drejt vetvrasjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.