Mungon vetëm kënga për aeroportin dhe vizionin për "kombinatin e mishit "Labëria""
Gazeta “Tema” përcjell sot një lajm disi ndryshe. Në Vlorë është protestuar pro qeverisë dhe kundër shoqatave ambientaliste që kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit. Argumenti i dikujt që citohet pa emër, por që referohet si pjesë Unionit Turistik të Vlorës është karakterial:
Në radhët e protestuesve nuk ka asnjë protestues vlonjat, duke lënë qartazi të kuptohet se protestat ‘kryeqytetase’ nxiten nga qarqe të tjera ekonomike.
I kuptojmë përpjekjet e mjedisorëve për të mbijetuar, por për ne zhvillimi ekonomik i rajonit prevalon. Mes zogjve migratorë dhe zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit, zgjedhim zhvillimin
thuhet në reagimin pa adresë nominale.
Tani ka disa vende nga të cilat rrihet me artileri verbale çdo lloj ideje dhe nuk ka pse të çuditemi. Puna është se rëndësinë e zogjve migratorë nuk e kuptojnë dot vetëm banorët e zonës ku zogjtë ulen në stacionin e tyre stinor. E kuptojnë edhe të tjerë, pasi nëse ecim me logjikë të tillë, atëherë edhe investimet për tunele e lloj- lloj marifetesh në Vlorë mirë është t’i paguajë ai qytet.
Si vizion ekonomik, është që Labëria të shndërrohet në “kombinat mishi” për eksport, pra me Cargo, ashtu siç mandarinat më në jug
vijon gazeta «Tema».
Vizioni turisitik për Vlorën mund edhe të pranojë si pjesë të paketës natyrën e egër siç është, ndërkohë që aeroporti nuk është diçka e domosdoshme pikërisht aty ku është zgjedhur të bëhet. Episode të tilla që bashkojnë një lloj rreshtimi militant dhe injorance krahinarisht krenare tek ata që vetëshpallen si përfaqësues dhe flasin, janë shembuj sesi kauzat që duhet të jenë detyrimisht publike në Shqipëri kontaminohen nga politika me ndihmën e çdo mjeti siç është kjo deklaratë që flet për zhvillimin e zonës dhe kombinatin e mishit «Labëria».
Është për të ardhur keq sesi mundet që një protestë mjedisore, e cila nuk ka me vete të Vërtetën, por është një mundësi për të hapur një diskutim serioz për një çështje që fundi i fundit u përket të gjithëve në kuptimin e pasojave, se nuk mori kënd malli ta gdhijë e ta ngrysë në Vlorë, shndërrohet befas në muhabet tavoline. Këtu mungon vetëm kënga për aeroportin dhe kombinatin e mishit si dhe grafitet në pemë e mure: "robtë zogjve që gjetën Nartën të migrojnë", që panorama të plotësohet mirë e bukur.
s.zaimi
Add new comment