Survejim pa kufij/Mossad dhe policia izraelite, përgjim pa leje me "Pegasus"
Shërbimi izraelit Mossad, ka hakeruar telefona personalë të qytetarëve në mënyrë jozyrtare. Lajmi bëhet i ditur nga media në Izrael, që citojnë punonjës të prodhuesit të softuerit Pegasus, NSO, që konsiderohet si mjeti më efektiv në këtë drejtim. Veprimet e Mossad janë kryer në kohën kur agjencinë e drejtonte Yossi Cohen, ndonëse punonjësit nuk kanë njohje për arsyet e hakerimit.
Zyrtarët e Mossad e kanë vizituar në mënyrë frekuente shtabin e kompanisë në Herzliya, disa herë për të mësuar për softin dhe disa herë së bashku me zyrtarë nga vende të huaja si pjesë e një përpjekjeje për të shitur softin. Nën Cohen, Mossad dhe NSO kishin lidhje të ngushta dhe agjencia hapi dyert për kompaninë dhe marketoi kapacitetet e saj në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme
shkruan “Haaretz”.
Gazeta shkruan se ka paqartësi rreth faktit se pse Mossad ka kërkuar Pegasus për të hakeruar, përderisa dihet se shërbimi ka mjetet e veta për këto qëllime.
Një mundësi është se Mossad ka patur probleme në hakerimin e një telefoni të veçantë me mjetet që ka në dispozicion. Një tjetër mundësi është se është angazhuar në mbledhje jozyrtare informacioni
raporton më tej gazeta.
Sipas “Haaretz” ishte arsyeja e këtij qëndrimi të Izraelit në promovimin e spiunazhit kompjuterik një ndër arsyet që shtynë SHBA të vendosë në listë të zezë kompaninë të cilën e konsideron si minuese të interesave kombëtare të saj. Megjithatë shtohet se drejtori aktual i Mossad, David Barnea e ka distancuar shërbimin nga NSO.
Një muaj më parë, një tjetër gazetë izraelite, “Calcalist” publikoi raportime sipas të cilave “Pegasus” ishte përdorur edhe nga policia në Izrael për të hakeruar telefonat e izraelitëve që ishin ose kriminelë të provuar ose nën hetim.
Add new comment