Shkenca shpjegon Omicron-in: Dëmton më pak sepse nuk arrin në mushkëri    

Postuar në 31 Dhjetor, 2021 19:02

Disa studime të reja shpjegojnë se pse varianti Omicron është më i lehtë se versionet e mëparshme të koronavirusit. Eksperimentet e kryera me minjtë treguan se Omicron prodhon infeksione më pak të dëmshme, që shpesh kufizohen kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes: hundë, fyt dhe grykë. Varianti i ri dëmton më pak mushkëritë, të cilat ishin shënjestër e varianteve të mëparshme.

“Është e drejtë të thuhet se po shfaqet ideja e një sëmundjeje që manifestohet kryesisht në sistemin e sipërm të frymëmarrjes”, citon New York Times Roland Eils, biolog në Institutin e Shëndetit në Berlin, i cili ka studiuar se si koronaviruset infektojnë rrugët e frymëmarrjes.

Në nëntor, kur varianti u shfaq për herë të parë në Afrikën e Jugut, shkencëtarët vunë re menjëherë se ai sillej ndryshe nga format e mëparshme të virusit. Por gjithçka ata arritën të mësonin ishte se varianti në fjalë kishte një kombinim alarmues prej më shumë se 50 mutacionesh gjenetike.

Hulumtimet e mëparshme kishin treguar se disa nga këto mutacione u mundësonin koronaviruseve të kapeshin më fort mbi qelizat. Të tjerë lejonin që virusi të shmangte antitrupat, të cilët shërbejnë si një linjë e hershme e mbrojtjes kundër infeksionit. Por nuk mori përgjigje pyetja si varianti i ri mund të sillet brenda trupit.

Gjatë muajit të kaluar, Ravindra Gupta, virologe në Universitetin e Kembrixhit, dhe ekipi i saj e kanë vëzhguar patogjenin e ri në laborator. Ndërsa ata punonin, Omicron u përhap në gjithë planetin, duke infektuar me lehtësi edhe njerëzit që ishin vaksinuar ose ishin shëruar nga forma të mëparshme.

Por ndërsa rastet u rritën, shtrimet në spital patën rritje modeste. Studimet e hershme të pacientëve sugjeruan se Omicron kishte më pak gjasa të shkaktonte sëmundje të rënda sesa variantet e tjera, veçanërisht te njerëzit e vaksinuar.

Disa eksperimente të bëra publike ditët e fundit, të gjitha arrijnë në të njëjtin përfundim: Omicron është më i butë se Delta dhe versionet e tjera të mëparshme të virusit.

Të mërkurën, një konsorcium i madh shkencëtarësh japonezë dhe amerikanë publikuan një raport mbi minjtë e infektuar ose me Omicron ose me një nga disa variantet e mëparshme. Ata të infektuar me Omicron kishin më pak dëmtime në mushkëri, humbën më pak peshë dhe kishin më pak gjasa për fatalitet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.