Drejt një Polexit-i
Divergjencat me BE-së dhe Polonisë sa vijnë e thellohen. BE e sheh me dyshim legjitimitetin e reformave gjyqësore dhe kushtetuese të vëna në zbatim nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), një përplasje kjo që mund të çojë drejt daljes së Polonisë nga Unioni.
Qeveria polake thotë se reformat e ndërmarra janë të nevojshme për të luftuar korrupsionin, por kritikët thonë se ato thjesht zgjerojnë pushtetin e qeverisë dhe sfidojnë vlerat demokratike të mbështetura nga ligji i BE. BE dhe Polonia janë përplasur për të drejtën e abortit dhe qasjen ndaj komunitetit LGBT, por ndarja u thellua akoma më shumë të mërkurën, kur Gjykata Kushtetuese e Polonisë sfidoi një vendim të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian kundër reformave të diskutueshme gjyqësore të Polonisë. Gjykata Kushtetuese e Polonisë, gjykata më e lartë e vendit, tha se vendimi nuk ishte "në përputhje" me kushtetutën.
“Përplasja” mbi legjitimitetin e ligjit të BE-së nisi për herë të parë në shkurt 2020 kur Polonia miratoi masa të reja që u ndalonin gjykatësve të referonin çështje në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Polonia ngul këmbë që në lidhje me çështjet e brendshme që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe gjykatat e saj, u takon autoriteteve dhe legjislacionit polak, dhe jo Brukselit, të vendosin.
Ministri polak i Drejtësisë, Zbiginiew Ziobro, tha se vendimi është kundër “ndërhyrjes, uzurpimit dhe agresionit ligjor nga organet e Bashkimit Evropian".
Nga ana tjetër, në Bruksel këtë e shohin si një përpjekje të partisë në pushtet për të larguar vendin me BE.
Ish-shefi i Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili dikur ka mbajtur vetë postin e kryeministrit të Polonisë, thotë se ai që po largohet nga BE-ja është kryeministri Jaroslaw Kaczynski dhe partia e tij. “Vetëm populli polak mund ta kundërshtojë këtë lëvizje”, citohet nga France 24 Tusk, i cili i është rikthyer sërish politikës.
Ombudsmani polak për të Drejtat e Njeriut, Adam Bodnar, u tha gazetarëve se Polonia është "në procesin e një Polexit-i ligjor që po zhvillohet hap pas hapi".
Polonia u anëtarësua në BE në 2004, por mosmarrëveshjet që vijojnë prej kohësh i kanë vënë Varshavën dhe Brukselin në një kurs përplasjeje.
Njësoj si Polonia, edhe Hungaria ka pasur mosmarrëveshje me Brukselin dhe u ka ndaluar vendeve të tjera anëtare të ndërhyjnë në punët e saj të brendshme. BE ka kritikuar shpesh atë që e ka cilësuar ndalim i fjalës së lirë në universitetet e të dyja vendeve, dëbimin e think tank-eve dhe OJQ-ve të majta dhe vënien nën kontroll të mediave dhe gjyqësorit.
Disa shtete të BE-së, të tilla si Irlanda dhe Holanda, tashmë kanë ndaluar ekstradimet në Poloni, duke e agrumentuar vendimin me mosfunksionimin siç duhet të shtetit ligjor në vend. Shumë ekspertë juridikë ranë dakord se vendimi nga gjykata kushtetuese e Polonisë ishte një hap i qëllimshëm në minimin e fuqisë së ligjeve të BE-së.
Add new comment