Izraeli përballë një fronti të katërfishtë

Postuar në 15 Maj, 2021 16:37

Qindra raketa të Hamasit kanë rënë gjatë natës dhe sot paradite në Beersheva, Ashdad dhe Ashkelon. Dhjetëra të tilla, që kishin në shënjestër Tel Avivin, kapërcyen mbrojtjen ajrore, duke shkaktuar një të vdekur, që e çon në 9 numrin e viktimave izraelite. Ndërkohë, pak pas mesditës, një tjetër sulm me raketa shkatërroi ndërtesën ku kanë zyrat Al-Jazeera dhe Associated Press. Në periferitë arabo-izraelite, situata mbetet gjithashtu e rëndë.

Presion që vjen nga jashtë kufijve

Në Bregun Perëndimor, demonstrata të reja priten pasdite për Nakba, "katastrofën", siç e cilësojnë palestinezët lindjen e Izraelit dhe dëbimin e 700 000 banorëve arabë në vendet fqinje. Ato të djeshmet ishin përplasjet më të ashpra që nga Intifada e Dytë e vitit 2000. Njëmbëdhjetë protestues u vranë dhe mbi 500 të tjerë u plagosën. Policia kufitare dhe forcat e sigurisë izraelite qëlluan me plumba të vërtetë, veçanërisht kur një marshim në Jeriko u përpoq të bashkohej me demonstrues të tjerë palestinezë në anën tjetër të kufirit në Jordan. Diaspora është shumë e rëndësishme në këtë vend, ku gjysma e popullsisë ka origjinë palestineze. Demonstrata të tjera janë planifikuar edhe në kufijtë e Sirisë dhe Libanit, ku dje një militant i Hezbollahut u vra nga zjarri izraelit pasi u përpoq të kalonte kufirin, raporton “La Stampa” përmes korrespondentit të vet në Gaza.

Fronti i katërfishtë

Izraeli është gjendur përballë një fronti të katërfishtë, i cili bashkon katër popullata palestineze me fate deri tani të ndryshme. Për herë të parë, arabo-izraelitët, 1.9 milion, u bashkuan së bashku në protesta. Janë pikërisht ata që munden ta bëjnë një gjë të tillë, pasi në letër kanë të drejta të barabarta në raport me izraelitët me origjinë hebraike. Në realitet, ata ndihen si qytetarë të klasit të dytë dhe situata është përkeqësuar me pandeminë dhe kriminalitetin, pak të luftuar nga policia izraelite. Pastaj janë 350 000 banorët e Jeruzalemit, me status të veçantë, por pa shtetësi, nën presion për të zgjeruar vendbanimet. Ata janë në qendër të protestave për "mbrojtjen e Al-Aqsa", veçanërisht pas përpjekjes për të dëbuar disa familje nga periferia e Sheik Jarah, shkëndija që ndezi krizën e re. Krahas tyre janë 2.9 milionë të tjerë në Bregun Perëndimor, pa shtetësi dhe me perspektivën e prishjes së shtetit të tyre të pavarur dhe demokratik nga plani Trump, nga Marrëveshjet Abrahamike por edhe nga gerontokracia e Autoritetit Palestinez, e cila ka shtyrë për herë të pestë zgjedhjet e planifikuara për në 15 maj. Dhe në fund janë 2 milionë që jetojnë në Gaza, pa asnjë mundësi lëvizjeje dhe të qeverisur nga grupi ekstremist i Hamasit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.