Mesazhi i G7 për Kinën: Perëndimi nuk bën hapa mbrapa

Postuar në 04 Maj, 2021 14:24

Shtatë demokracitë më të pasura diskutojnë sot mënyrën se si do të përballen sfidat si Kina dhe Rusia.

I themeluar në 1975 si një forum për vendet më të pasura të Perëndimit për të diskutuar kriza të tilla si embargoja e naftës OPEC, G7 po debaton mbi këto dy vende, por edhe mbi pandeminë COVID-19 dhe ndryshimin e klimës.

"Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi të kufizojmë Kinën", tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, të hënën para takimit të parë të ministrave të Jashtëm të G7 që nga viti 2019.

Ai tha se Perëndimi do të mbrojë "rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare" nga përpjekjet përmbysëse nga çdo vend, përfshirë Kinën.

Diskutimet do të përqendrohen edhe te Rusia, sidomos te çështje si manovra e trupave në kufirin me Ukrainën dhe burgosja e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Rritja spektakolare ekonomike dhe ushtarake e Kinës gjatë 40 viteve të fundit është parë nga diplomatët dhe investitorët si një nga ngjarjet më të rëndësishme gjeopolitike të kohëve të fundit, së bashku me rënien e vitit 1991 të Bashkimit Sovjetik që i dha fund Luftës së Ftohtë.

G7 në tërësi është një “grusht” i fuqishëm, pasi vendet anëtare kanë rreth 40 trilionë dollarë ndikim ekonomik dhe tre nga pesë fuqitë me potencial bërthamor.

Rusia u përfshi në atë që u bë G8 në 1997, por u pezullua në 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina. Kina, tani ekonomia e dytë më e madhe në botë, nuk ka qenë kurrë anëtare e G7.

Britania do të kërkojë një veprim vendimtar nga partnerët e G7 për të mbrojtur demokracitë në një kohë kur thotë se ndikimi ekonomik i Kinës dhe aktiviteti malinj rus kërcënojnë t'i minojnë ato.

Prej disa kohësh, Uashingtoni dhe kryeqytete të tjera të Perëndimit kanë shfaqur shqetësime ndaj Pekinit dhe Moskës, të cilat nga ana e tyre argumentojnë që kritikat perëndimore janë të pajustifikuara.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të preferonin lidhje më të qëndrueshme me Rusinë, por kjo varet shumë nga mënyra se si sillet Presidenti rus Vladimir Putin, veçanërisht në lidhje me çështje si Ukraina.

"Ne kemi rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës", citohet Blinken nga Reuters.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.