Seksi i mërzitshëm
Andrew Gotzis, psikiatër në Manhattan me një përvojë të gjatë në psikoterapi, ka trajtuar për disa vite me radhë një çift heteroseksual. Për të ruajtur anonimatin, partnerët po i quajmë Jane dhe John. Ata kryejnë marrëdhënie seksuale mesatarisht tre herë në javë. Shumë prej nesh mund t’i kenë zili, nëse marrim parasysh faktin që John dhe Jane - të cilët janë në të 40-at - janë bashkë prej gati dy dekadash. Vetëm duke bërë llogarinë e numrave, dikush mund të pyesë pse ata kanë nevojë t’i drejtohen një terapisti.
Por vetëm njëri prej tyre është i kënaqur me jetën seksuale. Dhe ai nuk është Jane.
“Problemi nuk është se ata janë funksionalisht të paaftë për të bërë seks, ose për të arritur orgazmën. As frekuenca nuk është problem. Problemi është se seksi që ata po bëjnë nuk është ai çka Jane dëshiron”, më thotë Gotzis në një bisedë telefonike. Dhe si gratë e tjera hetero që ai sheh, "ajo është e hutuar dhe e demoralizuar nga kjo gjë. Ajo mendon se ka diçka që nuk shkon me të”.
John, ndërkohë, ndihet i kritikuar dhe deri diku i paaftë. Ajo që ai nuk mundet ta kuptojë është pse, nëse gruaja e tij po bën seks me të dhe po kalon orgazma, ajo dëshiron diçka më shumë. Ose diçka ndryshe.
Pavarësisht nga "frika për t'u dukur e varur nga seksi, e pabesë ose kurvë" (Gotzis nuk i pëlqen këto terma, por ato tregojnë ankthet e pacientit të tij, shpjegon ai), Jane është përpjekur t'i tregojë Xhonit, në terapi dhe jashtë saj, atë që ajo kërkon.
Ajo do ta dëshirojë John-in dhe të jetë e dëshiruar në sytë e tij, pikërisht ajo gjendja kur nuk ke të ngopur me tjetrin, që ekspertët e fushës e njohin me termin "limerence". Është periudha fillestare e një marrëdhënieje, kur gjithçka është e re dhe përvëluese. Jane ka blerë të brendshme dhe ka rezervuar dhoma hoteli. Ajo ka sugjeruar mënyra të tjera edhe më radikale, si martesa e hapur.
Këmbëngulja e Jane mund ta bëjë atë shumë gjëra: idealiste, ëndërrimtare, stratege të çuditshme të seksit, madje – nëse ia kanalizojmë shqetësimet tipike – edhe jorealiste apo egoiste. Por betejat e saj seksuale në një marrëdhënie afatgjatë, orgazmat dhe frekuenca e seksit e bëjnë atë asgjë tjetër veçse një njeri normal. Edhe pse shumica e njerëzve që janë në partneritet seksual përfundojnë duke u përballur me enigmën që biologët e quajnë "zakon i stimulit" me kalimin e kohës, shumë studime sugjerojnë që gratë heteroseksuale, ka të ngjarë të përballen me këtë problem më herët sesa burrat. Dhe kjo pabarazi tenton të mbetet e tillë me kalimin e kohës. Përgjithësisht, burrat mund të arrijnë ta dëshirojnë atë që tashmë e kanë, ndërsa gratë e kanë më të vështirë.
Marta Meana nga Universiteti i Nevada në Las Vegas e bëri krejt natyrshëm një komënt të tillë gjatë një interviste me mua në konferencën vjetore të Shoqërisë për Terapinë dhe Kërkimin mbi Seksin, në 2017. "Marrëdhëniet afatgjata janë të vështira në raport me dëshirën, dhe veçanërisht me dëshirën e femrës", tha ajo. U trondita nga ky pohim, i cili kundërshtonte pothuajse gjithçka që unë kisha mësuar gjatë viteve rreth asaj se kush dhe si janë gratë seksualisht. Në një farë mënyre, unë, së bashku me pothuajse të gjithë të tjerët që njihja, isha i fiksuar në idenë se gratë i duan përqafimet po aq sa orgazmat, dhe - përveç kësaj - në të vërtetë kërkojnë lidhje emocionale dhe familjaritet për të lulëzuar seksualisht, ndërsa burrat tentojnë t’i ikin monogamisë.
Por Meana zbulon se "institucionalizimi i marrëdhënies, familjariteti i tepërt dhe deseksualizimi i roleve" në një partneritet heteroseksual afatgjatë ndikon në pasionin e femrës veçanërisht - një përfundim që është në përputhje me studimet e tjera të kohëve të fundit.
"Bashkëjetesa me të dashurin mund të vrasë dëshirën tënde seksuale" ishte tituli me të cilin Neësëeek përmblodhi një studim të vitit 2017 me më shumë se 11 500 të rritur britanikë të moshës 16 deri në 74 vjeç. Studimi konkludoi se për gratë, mungesa e interesit për seks ishte më e lartë te ato që ishin në një marrëdhënie me kohëzgjatje mbi një vit, dhe se" gratë që jetojnë me një partner kishin më shumë gjasa të ishin më pak të interesuara për seks sesa ato në marrëdhëniet e kategorive të tjera". Një studim i vitit 2012 me 170 burra dhe gra të moshës 18 deri në 25 vjeç të cilët ishin në marrëdhënie për rreth nëntë vjet zbuloi në mënyrë të ngjashme se dëshira seksuale e grave, por jo e burrave, ishte e parashikueshme nëse merrej parasysh kohëzgjatja e marrëdhënies.
Dy studime gjermane, të cilave u referohen shpesh, të botuara në 2002 dhe 2006, tregojnë se dëshira e femrave bie në mënyrë dramatike gjatë 90 muajve, ndërsa burrat qëndrojnë relativisht të qëndrueshëm. Një studim shtatëvjeçar finlandez me më shumë se 2 100 gra, botuar në 2016, zbuloi se dëshira seksuale e grave ndryshonte në varësi të statusit të marrëdhënies: Ato që ishin në të njëjtën marrëdhënie gjatë periudhës së studimit raportuan më pak dëshirë, eksitim dhe kënaqësi. Annika Gunst, një nga bashkautoret e studimit, më tha që ajo dhe kolegët e saj fillimisht dyshuan se kjo mund të kishte lidhje me të pasurit fëmijë. Por kur studiuesit verifikuan për atë variabël, doli se nuk kishte asnjë ndikim.
Shumë gra duan monogami. Është një gjendje komode, që kultura jonë e miraton, për ta thënë më butë. Por ta duash monogaminë nuk e njëjta gjë me dëshirën seksuale në një partneritet afatgjatë monogam. Psikiatrja dhe praktikuesja e shëndetit seksual Elisabeth Gordon më tha se në përvojën e saj klinike, siç tregojnë edhe të dhënat, gratë paraqiten në mënyrë disproporcionale me dëshirë më të ulët seksuale sesa partnerët e tyre meshkuj prej një viti ose më shumë dhe ky mbetet faktor i pandryshuar edhe në planin afatgjatë. "Ankesa historikisht i është atribuar një libidoje më të ulët te gratë, por ky shpjegim injoron faktin se në nisje të një marrëdhënieje gratë janë po aq të ngazëllyera për seksin sa edhe burrat". Gratë në marrëdhënie heteroseksuale afatgjata dhe të përkushtuara mund të mendojnë se kanë "braktisur" seksin - por më shumë ato kanë lënë seksin me të njëjtin person.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo për Jane dhe gratë e tjera hetero që ndihen të shtrydhura nga ekskluziviteti afatgjatë, pavarësisht se u është mësuar se janë krijuar për të dhe se ishin natyrshëm të prirura drejt kësaj lloj marrëdhënieje? Çfarë duhet të themi për mundësinë që gratë, larg gardianëve të monogamisë, mund të jenë më shumë viktima të saj?
"Kur çiftet duan të qëndrojnë në një marrëdhënie monogame, ajo me të cilën mund të ndihmohen është t’u sugjerosh të kërkojnë risi," këshillon Gordon. Tammy Nelson, terapist seksi dhe autor i “Monogamia e Re” dhe “Kur je ti ai që tradhton”, pajtohet me këtë: "Gratë dhe jo burrat janë konsumatoret më të mëdha të teknologjisë dhe lubrifikantëve që lidhen me seksin, vajin e masazheve dhe të brendshmet".
Sigurisht, siç tregon shembulli i Jane, të brendshmet mund të mos bëjnë punë. Nelson shpjegon se nëse "përpjekjet e tyre fillestare nuk funksionojnë, gratë mund të mbyllen në vetvete plotësisht ose do të “arratisen” në një lidhje sekrete reale apo online”. Kur e pyeta Gotzis se cila mund të jetë e ardhmja e John dhe Jane, ai më tha se nuk është i sigurt që ata do të qëndrojnë së bashku. Në një përmbledhje të narrativës mbi rolet që burrat dhe gratë luajnë në një marrëdhënie, do të ishte etja e Jane për aventurë dhe lufta e Jane me ekskluzivitetin ajo që do t’i ndajë. Sigurisht, gratë që tradhtojnë nuk janë asgjë e re – i kanë shërbyer si “material” Shekspirit dhe muzikës bluz. Por e ndarë mes të dhënave dhe dëshmive anekdotale, Jane duket më pak e jashtëzakonshme dhe më shumë Një Grua, dhe monotonia seksuale e femrave pothuajse mund të bëhet “bezha e re”.
Nuk është e pazakontë që gratë të lënë partnerët e tyre hetero të luajnë në një "zonë gri monogamie", për t'u dhënë atyre akses në mjedise që i lejojnë ata të tradhtojnë pa e bërë këtë gjë në kuptimin e plotë të fjalës. Që nga masazhet me "fund të lumtur", te seksi oral në festat e beqarisë, kërcimet në prehër apo eskortat në konferenca… të ndikuara nga sugjerime të kudogjendura pop-kulturore… Shumë njerëz besojnë se burrat kanë nevojë për këto mundësi që kthehen në "njëfarë seksi" rekreativ sepse "kështu janë burrat". Por mesa duket, edhe gratë kështu janë.
Gratë nuk mund të bëjnë përjashtim; e bukura e seksualitetit njerëzor është ndryshimi dhe fleksibiliteti i tij. Pra, kur të flasim për dëshirë tani e tutje, duhet të pranojmë se dëshira për dikë tjetër dhe diçka të re, është njësoj edhe e grave si e burrave, nëse jo më shumë.
Add new comment