Avokati i familjes Rasha: Pati tentativë për manipulimin e vrasjes
Idenë e manipulimit të vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha, nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajadaraj, e mbështet edhe avokati i familjes Rasha, Sakip Lata. Për TvT, Lata shprehet se të dhënat e raportuara fillimisht nga policia, ishin të mjegullta, pasi linin të mendonin se fajtori ishte 25-vjeçari Klodian Rasha.
Sipas avokatit të familjes Rasha, vrasja e të riut është drejt zbardhjes, pasi siç thekson Lata, pamjet filmike vërtetojnë më së mirë ekzekutimin e Klodianit nga efektivi Hajdaraj.
“Që në fillim kemi pasur bindjen se ishte vrasje me dashje. Dëmtimi që ka marrë i ndjeri ishte një plumb në lartësinë e shpatullës, nga pas, i paarmatosur. Nuk linte dyshim për asnjë kualifikim tjetër të veprës ligjore. Kualifikimi më i lehtë është vrasja me dashje. Ka edhe dëmtime të tjera që mendohet që i ka në kokë, në pjesën e pasme. Ka dëmtim të fytyrës, thyerje të hundës. U krijua ideja jo me armë, jo me precedentë kriminalë, i drejtoi armën policit, të gjitha kanë rënë poshtë sepse janë filmimet. Janë dy gëzhoja në vendin e ngjarjes në distancë 3 metër nga njëra-tjetra. Mendohet që kanë gjuajtur dy herë në drejtim të viktimës, njëri ka qenë fatal. Distanca ka qenë e afërt, 7-8 metra. Referohet se ka pasur një përleshje për disa sekonda, por jo. Nuk ka pasur përleshje, nuk ka pasur kontakt fizik dhe nuk ka pasur dhunim të personit. Ai nuk ka qenë para asnjë lloj rreziku. Viktima ka qenë në largim e sipër. Edhe sikur të kishte mitraloz në shpinë, nuk mund të vepronte. Akti i ekspertimit përshkruan në detaje dëmtimet. Do t’i ballafaqojmë me prova të tjera që ka familja”.
Ndërsa dosja pritet të shkojë në gjykatë, tashmë prokurori i çështjes, Ardian Braho, ka bërë riklasifikim të veprës penale në ngarkim të efektivit Nevaldo Hajdaraj, nga vrasje në tejkalim të kompetencave, në vrasje me dashje.
Add new comment