Sozia e liderit

Postuar në 18 Shtator, 2020 23:02

Dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një intervistë televizive përmes së cilës ka tentuar të sillet si dikush që është i sigurtë se do të bëhet kryeministër i vendit.

Zoti Basha ka premtuar ato që janë dëgjuar prej tij disa herë; ulje taksash, hetim administrativ të koncesioneve, luftë ndaj krimit etj..

Sigurisht z. Basha po përsërit ato që dikur, Sali Berisha premtoi dhe deri diku bëri. Premtoi luftë ndaj krimit dhe në fakt e prishi bashkëjetesën e organizatave kriminale me politikën që aq shumë e përfaqësonte në dukje qeverinë e Fatos Nanos.

Anulloi privatizimin e Albtelekom nga Nano dhe pas një viti ia kaloi të njëjtës dorë me çmim të rritur.

Uli taksat, ose më mirë bëri sistemim fiskal pa hequr dorë nga tipologjia e sjelljes prej xhandari të administratës, megjithë përmirësimet teknologjike.

Premtoi duar të pastra, nuk e bëri. Mirëpo në planin ekonomik Shqipëria bëri hapa para edhe pse krijoi një borxh të madh.

Zgjedhjet e vitit 2005 ishin një bast personal i Sali Berishës që mbante barrën e ngjarjeve të vitit 1997, për të cilat fajësohej si përgjegjësi kryesor.

E megjithatë besimi ndaj figurës së tij, dominuar nga vetësiguria dhe ambicia për fitore si dhe dëshira për të qenë në betejë permanente, e kualifikonin përherë Sali Berishën si rival për pushtet.

Sot me Lulzim Bashën po shohim një eksperiment atipik për historinë e asaj partie. Z. Basha nuk përfaqëson asgjë nga ambiciozi tipik që hyn në politikë me energjinë dhe vrullin për të kapur majën. Ai u ul në majë dhe në çdo lëvizje të karrierës së tij ka dëshmuar se nuk di çfarë të bëjë me pushtetin që i është dhënë. Se çfarë të bëjë me besimin e mijëra njerëzve që aderojnë në atë parti. Aq sa me kalimin e kohës ka lënë përshtypjen, në mos e ka kultivuar atë, të njeriut që nuk e do pushtetin, që paraziton mbi kredencialet e të tjerëve dhe që flirton përherë me pushtetin.

Intervista e fundit e z. Basha nuk bën përjashtim nga ky rregull. Menjëherë pas saj u shfaqn mbrojtësit dhe mësuesit e “së djathtës” që shpjegojnë Bashën që ne të tjerët nuk e pamë. Se ai është njeriu i Perëndimit, se ai ka formulën e zgjidhjes së krizës së tanishme, apo se ai do e fuqizojë rolin e qytetarit. Pse vallë z. Basha nuk arrin të bindë në vetë të parë për të gjitha këto dilema të shoqërisë?

Kjo është një pyetje që nuk fsheh ndonjë dashakeqësi ndaj tij apo partisë që drejton, sikundër thonë njerëz që duan të afrohen apo janë pranë lidershipit demokrat. Është një pyetje që rrjedh natyrshëm nga pasiguritë që manifeston z. Basha, nga mosbesimi që ushqen dhe nga apatia thuajse mpirëse që e ilustron me ftohtësinë ndaj çdo problemi.

Shqipërisë i duhet një njeri normal. Kjo është teza tjetër. E vërtetë është. Jemi lodhur me gjenitë e politikës, me ata që “japin përgjigje spektakolare”, me manovratorët e papërsëritshëm, apo me demostenët e vetshëpallur. Na duhen njerëz normalë, që flasin pak shtruar, që kanë objektiva që përputhen me shtratin tonë, që flasin me sinqeritet për çështje si shkollimi, uji, dritat, punësimi etj..

Por për të mbërritur te ky normalitet që kaq shumë na mungon nuk mjaftojnë njerëzit normalë. E kundërta madje është e vërtetë. Në arritjen e këtyre standardeve ka përpara shumë pengesa dhe kalimi i tyre ka vetëm një shans: t’i shkatërrosh. Duhet vullnet, energji dhe gatishmëri për ta bërë këtë. I ka z. Basha këto? Cili është ekipi i tij që më së paku të besojmë se do të ketë garancinë e profesionalizmit në drejtim – nëse vjen në pushtet – në dallim nga qeveria e shokëve dhe farefisit politik që qeveris tani?

Ne nuk dimë asgjë. Ne nuk arrijmë – megjithë dëshirën e mirë – t’i besojmë këtij njeriu. Për faj të tij kryesisht.

Nëse ai nesër bëhet kryeministër, patjetër që PD-ja do të ketë regjistruar patentën e një eksperimenti politik të ri: atë se mundet edhe TË TË bëjnë Kryeministër, në vend se TË bëhesh. Deri aty do të duhet që partia dhe çka rrethon atë të shpenzojnë energji dyfish: të denoncojnë qeverinë e z. Rama – të paktën si në rastin e faturave të Carlo Bollinos dhe Igli Gjelishtit – dhe të bindin miletin se Lulzim Basha është lider, jo sozia e një lideri.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.