Në Serbi protestohet kundër karantinimit
Serbët kanë dalë dje në rrugët e Beogradit pasi presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi se masat kufizuese dhe karantinimi i fundjavës do të rikthehen. Sipas raportimeve të ndryshme mediatike, nga përplasjet ka patur të lënduar, 17 protestues dhe 43 policë.
Destinacioni i protestës ka qenë parlamenti dhe RTS, televizioni publik që akuzohet se raporton përherë në favor të qeverisë. Sipas zëdhënësve të qeverisë serbe, protesta nuk përjashtohet të ketë patur si synim rrëzimin e saj, mirëpo lidhur me këtë do të duhet një hetim.
Nuk mund të mos shihet në këtë përplasje një menaxhim mediatik i ngjashëm me atë në Shqipëri, ku protetstat përfundojnë në versionin zyrtar të adoptuar edhe nga selitë diplomatike.
Nga ana tjetër në Serbi ka raportime të paqarta. Një ditë më parë presidenti Vuçiç doli në media dhe e përshkroi situatën si kritike, të paktën në Beograd. Sot kryeepidemiologu, Predrag Kon deklaroi se situata po shkon drejt përmirësimit, duke zbuluar dy qëndrime kontradiktore.
Ajo që ka rëndësi në këtë situatë është fakti se mesazhi i autoriteteve që mund të niset nga premisa të shëndetit publik nuk po mirëkuptohet dhe po interpretohet si dhunim të drejtash në një vend që ka rënë në gjendjen e kënetës së sundimit të një njeriu të vetëm.
Add new comment