Referendumi për sistemin zgjedhor, tallje nga frika e një klase politike të dështuar

Postuar në 06 Qershor, 2020 21:41

Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Politik Petrit Vasili e ka argumentuar kështu mospërfshirjen  e çështjes së sistemit elektoral në kuadër të diskutimeve për reformën zgjedhore:

Kam dëgjuar shumë fjalamanë, kanë thënë le të rrinë e të ngordhin atje për sistemin. Por ç’ndodhi me sistemin, një gjë e tmerrshme. Një sistem i vendosur me referendum në ’98. U ndryshua më pas prej partive politike. Duhet ricikluar si diçka e re apo me debat të hapura. 

Duhet të pyesim shumë shqiptarë, që s’mund të kërkojnë këtë sistem por diçka tjetër, a ka gjë më të mirë që t’i drejtohemi me referendum. Një çështje themelore është për sistemin, a do përfshihen ata që janë lënë jashtë nga kryetarët apo prap ata do jenë, se lista vendoset nga kryetari, dhe ju keni të drejtë të zgjidhni.

 Pra cili është mekanizmi. Rirendisim gustot e kryetarëve, apo të vendosim, pra për këtë nuk ka zgjidhje. Prandaj duhet diçka të re. Është diskutuar për sistemin. Nëse mua do më pëlqente një prej pesë modeleve, a do e donin shqiptarët, zgjidhja është referendare

Pra sipas z. Vasili një çështje teknike që kërkon vullnet politik duhet vendosur nga populli. Arsyetimi i z. Vasili për këtë është gati qesharak, pasi nëse sistemi i vjetër zgjedhor është vendosur me referendumin e kushtetutës atëherë në atë mënyrë duhet ndryshuar.

Mirëpo nëse është kështu le të na thotë zoti Vasili: pse të mos votohet me referendum vetë Kodi Zgjedhor, apo edhe reforma në drejtësi? Si do të mund të zhvillohet referendumi: duke renditur të gjitha sistemet e mundshme në fletë votimi? 

Zoti Vasili mund të luajë shumë role, por jo edhe atë që bën budalla një shoqëri të tërë. Përvoja me referendume të tilla është jopremtuese, pasi ne e kemi të qartë se në vitin 1998, 50.57% e atyre që votuan, dhanë një votë politike. Për këtë arsye edhe është parlamenti, aty delegohen të drejta për vendimmarrje të kualifikuar. 

Nga ana tjetër, LSI-ja mund ta kërkonte referendumin për këtë çështje por mesa duket kësaj radhe preferoi ta ndante veten nga populli të cilit përmes Vasilit i kujton se ka ca të drejta. 

 

Puna e solli që në Shqipëri i erdhi radha të tallet edhe Petrit Vasilit që përfaqëson asgjë veç humorit të prishur të LSI-së, ndërkohë që për çështje për të cilat vërtet ka vlerë referendumi, si p.sh Teatri, ai mohohet.

Mosndryshimi i sistemit është ndër ato çështje për të cilat klasa politike ka dakordësi të plotë për arsye se nuk do të lërë shteg për forca të reja. Të gjitha argumentet e dhëna janë pra thjesht kllounada për ta mbuluar këtë hall.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.