Po vdesin masivisht lakuriqët. Një lajm i vjetër që ushqen panik
Në Indi raportohet një numër i madh lakuriqësh të vdekur në një kohë shumë të shkurtër dhe një gjë e tillë është përcjellë me panik në mediat sociale. Në Gorakhpur u regjistrua vdekja e 52 lakuriqëve brenda 60 minutave duke nxitur ide nga më të ndryshmet për atë që mund të jetë duke ndodhur. Mostrat janë çuar për analiza në Institutin Veterinar në Bareilly dhe pritet verifikimi i shkaqeve të vdekjes. Në media përflitet se lakuriqët mund të jenë duke vdekur nga koronavirusi duke i fryrë më shumë panikut të përhapur për epideminë aktuale mbi të cilën spekullohet se ka origjinë virusi i tanishëm që ka vrarë mbi 370 mijë njerëz.
Lajmi në vetvete është riqarkulluar nga agjencia ruse Sputnik e cila ka përdorur tituj alarmues për një ngjarje që nuk ngjan aq e pazakontë. Është vendosur një lidhje me një valë të nxehti në rajonin e Rajasthanit ku temperaturat në 25-26 maj kanë arritur deri në 47.5 gradë celcius.
Vdekja e lakuriqëve ka ardhur në vëmendje të specialistëve vitet e fundit për shkak të shifrave të larta. Në vitin 2006 në Albany të SHBA u vu re një sjellje e çuditshme e lakuriqëve që u shfaqën duke fluturuar edhe ditën. Hetimi i kryer nga autoritetet amerikane evidentoi se në verilindje të shtetit të New Yorkut, Connecticut, Maine dhe Vermont, kolonia e lakuriqëve ishte reduktuar me 97%, që në shifra absolute shkon në 100 mijë lakuriqë. Shkaku u identifikua sindroma e hundës së bardhë, një gjendje e provokuar me gjasë nga një kërpudhë mykotike që riprodhohet në katër gradë celcius dhe që nuk dihet nëse provokon direkt vdekjen, apo irritim ekstrem të lëkurës që ka çuar në gjendje pagjumësie dhe mandej vdekjen masive.
Në një studim të vitit 2018, tituluar: “Vdekje të shumta mes lakuriqëve: një vështrim global”, theksohet se ka raportime të shumta për vdekje masive të këtyre gjitarëve në Afrikë, Azi, Australi, Europë, Amerikë e Veriut, Amerikë e Jugut ku mes shkaqeve renditen ato abiotike, aksidentale, biotike, vrasje të qëllimshme, kontaminime, vdekje të pashpjegueshme, shkaqe bakteriale dhe virale, si dhe sindroma e hundës së bardhë. Mes këtyre shkaqeve të hetuar në harkun e viteve 1790 -2014, sindroma e hundës së bardhë konsiderohet si shkaku kryesor në një hark të shkurtër kohor. Numri i vdekjeve nga kërpudha mykotike është i paprecedentë dhe nuk është e qartë sesi ajo ka depërtuar në kolonitë e lakuriqëve.
Në këtë kuptim vdekjet në Indi nuk bëjnë ndonjë përjashtim nga incidenca e lartë e vdekjeve të verifikuara së fundmi në rajone të tjera, ndonëse ekspozimi i një specieje ndaj asgjësimit është një shfaqje shumë shqetësuese, sidomos kur bëhet fjalë për një specie si lakuriqi, që quhet si gjitari me sistemin imunitar më të fortë.
Add new comment