Rindërtimi, në Krujë prishet një nga lagjet e vjetra

Postuar në 08 Maj, 2020 15:51

Bashkia e Krujës ka vendosur prishjen e një prej lagjeve më të vjetra të qytetit të Krujës, për t’i hapur rrugë një projekti për ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26-nëntorit.

Përpara se të ndërmerrte vendimin për prishjen, siç duket pushteti vendor nuk e ka marrë parasysh faktin se aty bëhet fjalë për lagjen “Subashi”, me një histori qindravjeçare.

Në banesën e familjes së Asllan Subashit, arkitektuara otomane është prezente edhe sot. Për TvT, Asllani tregon se për këtë arsye Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë e futi banesën e tij në listën e monumenteve të kulturës.

Teksa e gjithë bota përpiqet të ruajë vlerat historike dhe trashëgiminë kulturore, e kundërta ndodh në vendin tonë. Një dokument që daton në vitin 1979 dhe vë në mbrojtje shtetërore katin e sipërm të banesës ku ndodhen dy dhoma dhe një qoshe, deri në miratimin e saj si monument nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

 

Monumenti duhet të ruhet të mos pësojë dëmtime sipas dekretit 4874, neni 3. Për ruajtjen e monumenteve ngarkohet komiteti ekzekutiv i Këshillit Popullor të asaj kohe. Qeveria, ashtu sikurse edhe Bashkia e Krujës ka vendosur të bëjë të kundërtën e asaj që thotë dokumenti.

Banorët shprehen të indinjuar për këtë vendim të pushtetit lokal dhe atij qendror, duke paralajmëruar ta mbrojnë dhe me jetë, të drejtën që ua ka garantuar Kushtetuta, atë të pronës.

Listës për prishjen e banesave i bashkangjiten afro 20 familje, ndërsa numri i pallateve që janë dëmtuar nga tërmeti është shumë më i paktë se ai i banesave familjare.

Për të çuar në fund të drejtën e garantuar me kushtetutë e ligj, banorët autoktonë të lagjes “Subashi” në Krujë, kanë paralajmëruar protestë përpara bashkisë, në mënyrë që të mos lejojnë çrrënjosjen qindravjeçare të historisë që banesat e tyre mbartin ndër shekuj.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.