Raportime mediatike për vrasjen në Baghdad të Qasem Soleimanit, një nga drejtuesit e Gardës Revolucionare Iraniane
Media shtetërore irakene raporton se në sulmin e fundit ajror ne aeroportin e Baghdadit ka mbetur i vrarë edhe kreu i forcave Quds, përgjegjëse për operacionet klandestine në Gardën Revolucionare Iraniane, gjenerali Qasem Soleimani.
Aeroporti u godit nga tri raketa ndërkohë që Soleimani ndodhej në një takim me përfaqësues të Forcave të Mobilizimit Popullor një milici shiite filoiraniane e cila është përgjegjëse për sulmin ndaj ambasadës amerikane në kryeqytetin iraken. Mediat raportojnë se gjatë sulmit ka mbetur i vdekur edhe Abu Mahdi al-Muhandis, numri dy i milicisë.
Irakenët akuzojnë ShBA dhe Izraelin për sulmin dhe një arsye që e shton dozën është kërcënimi i para disa ditëve i presidentit amerikan Donald Trump se Irani do te paguajë një çmim shumë të lartë për orkestrimin e sulmit ndaj ambasadës së ShBA në Baghdad.
Soleimani konsiderohej njeri shumë i rëndësishëm për regjimin iranian. Në muajin tetor u ndaluan tre persona që dyshoheshin se po përgatisnin atentat ndaj tij, ndërkohë që forcat Quds të drejtuara prej tij shihen si instrumenti më efikas i politikës së jashtme iraniane në rajon përmes mbështetjes së milicive të trajnuara, përgjigjes së shpejtë ndaj krizave dhe mbajtjes së gjendjes së destabilizimit.
Deri në këtë moment vdekja e Soleimanit është e pazyrtarizuar.
Add new comment