Si mund ta deformojnë demokracinë pajisjet e reja të votimit
Shtetet e Bashkuara kanë zakonin shqetësues të të investuarit në pajisjet e reja të votimit me një prekje të ekranit, tani risi, por që më vonë provohen si katastrofike. Ndërsa zgjedhjet qëkonsiderohen më të rëndësishmet për një brez po afrohen, Kongresi duket se ka gati financimin e një gjenerate tjetër makinereish të tilla me prekje, universalisht të njohura si Ballot Marking Devices (BMD), të cilat funksionojnë si stilolapsa elektronikë, duke shënuar zgjedhjen në fletën e votimit në emër të votuesit.
Megjithëse shitësit, zyrtarët e zgjedhjeve dhe të tjerët shpesh i referohen kësaj si "fletë votimi", ajo ndryshon nga një fletë votimi e zakonshme e plotësuar me dorë në atë që shenjohet nga një makinë, e cila mund të hakohet pa u kapur në një rinumërim manual ose auditim. Këto sisteme të kushtueshme dhe të panevojshme shiten nga shitësit e financuar në mënyrë të hapur, të cilët përdorin donacione dhe dhurata të tjera për t'i joshur zyrtarët e zgjedhjeve që t'i blejnë ato.
Përkundrazi, shumica e ekspertëve kryesorë të sigurisë zgjedhore rekomandojnë fletëvotimet prej letre në të cilat zgjedhja shënohet me dorë, kjo si një sistem parësor votimi, me një përjashtim për votuesit me aftësi të kufizuara. Këta ekspertë përfshijnë profesorin Rich DeMillo të Georgia Tech, Profesor Andrew Appel të Universitetit Princeton, Profesor Philip Stark të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, Profesor Duncan Buell të Universitetit të Karolinës së Jugut, Profesor Alex J. Halderman të Universitetit të Miçiganit, dhe Harri Hursti, i cili është "konsideruar si një nga ekspertët kryesorë në botë për temën e sigurisë elektronike të votimit" dhe është "i njohur për përpjekjen e tij të suksesshme për të demonstruar sesi mund të hakohen makinat e votimit të Sistemeve Zgjedhore Diebold".
Këta studiues paralajmërojnë se edhe një auditim i fortë manual, i njohur si Auditim i Kufizimit të Riskut, nuk mund të zbulojë nëse një fletë votimi e shënuar me BMD është hakuar. BMD-të përkundrazi u ngarkojnë vetë votuesve të zbulojnë nëse fletëvotime të tilla përfshijnë shenja manipulimi ose mosveprime - edhe pse studimet tashmë tregojnë se shumë votues nuk do ta vinin re këtë parregullsi.
Për këtë arsye, shumë analistë kanë paralajmëruar mosblerjen e këtyre makinave të reja qëbëjnë markimin e fletëve të votimit, për përdorim të përgjithshëm, por zyrtarët e zgjedhjeve në të paktën 250 juridiksione në të gjithë vendin e kanë injoruar këtë paralajmërim. Xhorxhia (të gjitha njëqind e pesëdhjetë e nëntë qarqet e saj), Karolina e Jugut (të dyzet e gjashtë qarqet) dhe Delaware (të tre qarqet) tashmë i kanë zgjedhur këto sisteme për përdorim mbarëkombëtar në vitin 2020. Të paktën një ose më shumë qarqe në shtetet e mëposhtme e kanë bërë këtë gjë: Pensilvania (për qarkun më të populluar, plus të paktën katër të tjerë), Wisconsin (për Waukesha, Kenosha, Chippewa dhe ndoshta më shumë), Ohio (për qarkun më të populluar dhe të tjerët), Tenesi (për të paktën dhjetë qarqe), Karolina Veriore (për qarkun më të populluar), Virxhinia Perëndimore (për qarkun më të populluar dhe të paktën një tjetër), Texas (për të paktën qarqet Dallas dhe Travis), Kentucky (për qarkun më të populluar), Arkansas (të paktën katër qarqe), Indiana (për qarkun më të populluar dhe të paktën tetë të tjerë), Kansas (për qarqet e parë dhe të dytë më të populluar), Kalifornia (përsëri, për qarkun më të populluar), Montana (të paktën një qark, megjithëse jo deri në vitin 2022), dhe Kolorado (për votim të parakohshëm). Shteti i New York-ut ka certifikuar (d.m.th., ka votuar për ta lejuar) një sistem të tillë gjithashtu.
Ndërgjegjësimi ndaj këtij problemi është ndërlikuar gjatë viteve të fundit nga shitësit, zyrtarët e zgjedhjeve dhe grupet e lobimit të sistemit të zgjedhjeve si Verified Voting, të cilët e kanë mjegulluar këtë çështje duke iu referuar të dy fletëve të letrës të shënuara me dorë dhe ato tëmarkuara me pajisjet e mësipërme si "fletëvotime letre", "fletëvotime rezervë letre", "fletë votimi të shenjuara nga votues" dhe "fletëvotime që verifikohen nga votuesit." Përderisa votuesit nuk janë të informuar në mënyrë të veçantë, ata nuk kanë arsye të dinë që këto kumtesa të përsëritura nga Kongresi dhe media, madje edhe "Unë jam John Oliver" — mund t'u referohen pajisjeve të reja e të rrezikshme të votimit.
Përhapja e shpejtë e këtyre makinave të reja të panevojshme për plotësimin e fletë-votimit vjen në një kohë kur shumë votues e kanë humbur besimin në sistemin zgjedhor të Amerikës. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka pranuar se Rusia kishte në shënjestër sistemet zgjedhore në të pesëdhjetë shtetet para zgjedhjeve të vitit 2016 dhe "prishi" me sukses tre ofruesit e shërbimit zgjedhor dhe sistemet e regjistrimit të votuesve në Florida dhe Illinois. Por numri i përgjithshëm i qarqeve të prekura në këtë mënyrë (dy ose më shumë) mbetet i paqartë dhe Byroja Federale e Hetimit (FBI) nuk do t'i identifikojë të gjithë me emër. Është e paqartë nëse qeveria do ta kishte pranuar edhe kaq, po të mos ishte për aksionin e sinjalizuesve të Reality Winner, ish-gjuhëtarit të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe kontraktuesit të NSA, i cili po vuan një dënim më shumë se pesë vjet burg për nxjerrjen në publik të një raporti të klasifikuar mbi sulmin e Rusisë në infrastrukturën zgjedhore të Amerikës.
Ky sulm raportohet se filloi në qershor 2016, disa vjet pasi Rusia sulmoi kompjuterët për raportimin e zgjedhjeve në Ukrainë. Raporti i Komitetit të Inteligjencës së Senatit për ndërhyrjet ruse përfshin një seksion të titulluar "Aktiviteti rus i përqendruar në Kompanitë e Makinerive të Votimit", i cili thotë se Rusia gjithashtu "skanoi" një "shitës të përdorur gjerësisht të sistemeve zgjedhore [SHBA]" para zgjedhjeve të vitit 2016. Por emri i shitësit është rishikuar, dhe pjesa e paprekur e raportit nuk shpjegon se çfarë do të thotë "skanim".
Përderisa votuesve u është thënë se nuk ka "prova" se shenjat në fletën e votimit në SHBA u ndryshuan, asnjë rinumërim domethënës manual nuk u krye pas zgjedhjeve të vitit 2016 sepse, ndër arsye të tjera, shumica e qarqeve të mëdha të Wisconsin refuzuan, ligji i Miçiganit e bëri të pamundur një gjë të tillë, gjykata në Pensilvani e bllokoi, dhe disa qarqeve u munguan fletëvotimet. Në vitin 2017, Departamenti i Sigurisë së Brendshme pranoi se nuk kishte kryer asnjë analizë për të parë nëse shumatoret e votave ishin hakuar dhe tha se nuk kishte ndërmend ta bënte këtë as në të ardhmen.
Eksperti për sigurinë e zgjedhjeve, profesor Rich DeMillo i Institutit të Teknologjisë së Xhorxhia, thotë se, "si të gjitha makineritë e votimit, BMD-të marrin programim para çdo zgjedhjeje përmes kartave të memories ose USB-ve të përgatitura në sistemet e centralizuara të menaxhimit të zgjedhjeve që mund të lidhen me internetin. Kështu, një haker ose një i brendshëm i korruptuar mund të transferonte viruse në çdo BMD brenda qarkut ose shtetit duke i kompromentuar këta kompjutera të centralizuar, kartat e memories ose USB-të.
Eksperti për sigurinë e zgjedhjeve, profesor Alex J. Halderman i Universitetit të Miçiganit pajtohet që sistemet e menaxhimit të zgjedhjeve "ndonjëherë janë të lidhura me internet ose të dhënat që programohen në to kalojnë përmes një sistemi të lidhur me internet", në mënyrë që "ne jemi vetëm një ose dy hapa larg një sulmuesi në internet. Siç ai dëshmoi në fillim të këtij viti, "hakerat që komprometojnë një sistem të menaxhimit të zgjedhjeve mund të përhapin një sulm vjedhës të votuesve në një numër të madh pajisjesh". Për më tepër, ai thotë se:
Një numër i vogël shitësish të teknologjisë zgjedhore dhe kontraktuesve mbështetës programojnë dhe operojnë sistemet e menaxhimit të zgjedhjeve të përdorura nga shumë qeveri lokale. Më i madhi nga këto shërbime shtrihet në mbi 2 000 juridiksione dhe u përhap në tridhjetë e katër shtete. Sulmuesit mund të synonin një ose disa nga këto kompani dhe tazgjeronin veprimin e tyre në pajisjet zgjedhore [përfshirë BMD] që u shërbejnë miliona votuesve.
Javën e kaluar, senatorët demokratë Elizabeth Warren, Ron Wyden, dhe Amy Klobuchar, dhe Përfaqësuesi Mark Pocan (Demokrat i Wisconsin) njoftuan se kanë hapur një hetim mbi "dobësitë dhe të metat e industrisë së teknologjisë zgjedhore me lidhje me kapitalin privat." Arsyeja pse ka rëndësi çështja e kapitalit privat është se dy shitësit kryesorë të këtyre makinave për markimin e votave, Sistemet Zgjedhore dhe Softuerët LLC (ES&S) dhe Dominion Voting, përbëjnë më shumë se 80 për qind të pajisjeve zgjedhore në SHBA. Kështu, ata mbajnë me njëri-tjetrin një pothuajse monopol të kësaj industrie, dhe forma e tyre e pronësisë do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të zbuluar detajet se kush i zotëron me të vërtetë ato apo edhe nëse janë konkurrentë të ligjshëm.
***
ES&S u themelua në vitet 1970 nga dy vëllezër, Bob dhe Todd Urosevich, nga Omaha, Nebraska. Në korrik 2000, Bob Urosevich u emërua president i një shitësi tjetër, Global Election Systems (Sistemet Globale të Zgjedhjeve). Aksioneri i saj më i madh dhe nënkryetari i vjetër që nga shtatori 2000, ishte një përvetësues i dënuar i quajtur Jeffrey Dean, shkeljet e të cilit përfshinin ato që kanë të bëjnë me kompjuterat. Në 2002, prodhuesi ATM Diebold Inc e bleu Global dhe i ndryshoi emrin në Diebold Election Systems. Diebold i tha Associated Press se Dean ishte larguar nga kompania, por dokumente të brendshme të kompanisë Diebold treguan se ai kishte mbetur konsulent. Përfshirja e Dean me Global / Diebold u zbulua nga Bev Harris, autori i "Kutia e Zezë e votimit: Abuzimi me votat në Shekullin 21 (2004). Vendndodhja e tij sot nuk dihet.
Kompania Diebold e shiti degën e saj të zgjedhjeve për ES&S në 2009. Por në vitin 2010, Divizioni i Antitrustit në Departamentin e Drejtësisë detyroi ES&S të shesë disa prej pasurive të Diebold sepse totali i kompanisë përbënte më shumë se 70 për qind të pajisjeve zgjedhore në SHBA. Dominion Voting, një kompani kanadeze që i zhvillon sistemet e saj programuese në Serbi, i bleu ato pasuri në të njëjtin vit, si dhe një shitës tjetër, më të vogël të quajtur Sequoia Voting. Vitet e fundit, ES&S ka bërë një seri deklaratash çorientuese në lidhje me qasjen në distancë në disa nga sistemet e saj zgjedhore dhe lidhje në internet. Nga ana e saj, Dominion nuk do të thotë nëse ka instaluar apo jo një program me akses të largët në sistemet e tij.
Ekspertët pajtohen që të gjitha pajisjet e kompjuterizuara të zgjedhjeve, përfshirë makinat e numërimit të votave (skanuesit dhe tabulatorët qendrorë) dhe këto pajisje të reja për markimin e votave - mund të hakohen. Por mundësitë për hakim janë më të vogla kur përdoren vetëm makinat e numërimit. Pajisjet për markimin e votave në përdorim tëpërgjithshëm janë një shtesë e panevojshme elektronike në këto sisteme ekzistuese (jo një zëvendësues i tyre), dhe kështu rritin ekspozimin e sistemit ndaj sulmeve të mundshme në internet.
Aftësia për të zbuluar dhe rikuperuar nga çdo sulm i tillë është thelbësore për integritetin e zgjedhjeve. Sidoqoftë, çdo përpjekje për analizë për të zbuluar një shkelje të mundshme të sigurisë, megjithatë, zakonisht pengohet ose parandalohet nga pretendimi i shitësve për tëdrejtën e pronësisë së softuerit të tyre. Kjo është ajo që zbuloi ish-kandidati presidencial John Kerry, kur kërkoi një analizë të ligjshme të pajisjeve përpara zgjedhjeve të 2004-s (dhe kërkesa e tij drejtuar gjykatës u refuzua). Ekspertët e sigurisë zgjedhore, përfshirë Halderman, thonë se hakerat e sofistikuar mund t’i zhdukin provat në çdo rast. Ata gjithashtu thonë se një numërim me këto pajisje, i cili thjesht rivë në punë pajisjet potencialisht tëhakuara të votimit, nuk do të ketë gjasa të zbulojë provat e ndërhyrjes.
Në vend të kësaj, ata këshillojnë që nëse duam të zbulojmë hakimin, duhet të bëjmë një rivlerësim manual ose një kontroll, siç është Auditimi i Kufizimit të Riskut, i cili krahason fletët e letrës me rezultatet elektronike. Por siç ka sqaruar profesori Philip Stark, shpikësi i Auditimit të Kufizimit të Riskut, duke krahasuar fletëvotimet e letrës me rezultatet elektronike të raportuara mund të zbulohet vetëm hakerimi i pajisjeve të numërimit të votave (skanuesit dhe tabulatorët); nuk mund të zbulojë ndërhyrje të ngjashme në makinat për shënimin e votave (d.m.th. BMD). Po kështu, megjithëse një llogari e kujdesshme e zinxhirit të ruajtjes midis natës së zgjedhjeve dhe kontrollit mund të sigurojë prova të besueshme që fletëvotimet prej letre dhe të plotësuara me dorë janë dokumente me burim të besueshëm për kryerjen e një kontrolli, ai nuk mund ta vërtetojë këtë për fletëvotimet e plotësuara nga makineria sepse nuk mund të zbulojë hakimin e BMD-ve.
Sistemet e markimit të votave gjithashtu mund të kenë probleme me ndërfaqen e ekranit me prekje: mbindjeshmëri ose ndjeshmëri nën normë, pamundësi për t’i përshtatur të gjithë kandidatët në një ekran të vetëm dhe gabim që rezulton në lëvizje të votave. Dhe ato mund të mbyllen ose të mos aktivizohen gjatë përdorimit, të mos u njohin të drejtën e votës votuesve ose të krijojnë radhë të gjata në qendrat e votimit. Muajin e kaluar në Xhorxhia, për shembull, BMD-të nuk mund të aktivizoheshin pa funksionuar librat elektronikë të votimit (të përdorur për të konfirmuar regjistrimet e votuesve dhe krijimin e "kartave të hyrjes" të BMD-ve në vendin e votimit), të cilat nuk funksionuan, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme.
Ky nuk është një problem që lind rishtas. Pas problemeve me kartat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 dhe fushatës së suksesshme të republikanëve për të ndaluar një rinumërim manual, Kongresi miratoi Aktin “Ndihmoni Votimin e Amerikës” i vitit 2002, duke përdorur një gjeneratë pajisjesh me ekran me prekje Electronic Record (DRE). Fillimisht, shumë prej këtyre pajisjeve ishin pa letra - gjë që përveç problemeve me pezullimin e votave dhe dështimin elektronik, i bëri të pamundura regjistrimet manuale dhe kontrollet manuale. Përkundër kësaj, disa pajisje të tilla mbesin në përdorim edhe sot.
Gjurmët e Auditimit të Letrave të Verifikueshme të Votuesve, listat në letër të regjistrimitbashkangjitur pajisjeve të votimit me ekrane me prekje ishin një përgjigje e industrisë ndaj shqetësimeve për votimin pa letër. Supozimi ishte se votuesit do të "verifikonin" se makinat e votimit kishin shënuar saktë zgjedhjet e tyre në VVPAT, të cilat më pas do të përdoren për të kryer auditime të rëndësishme manuale. Megjithatë, një seri studimesh të mëvonshme vërtetuan se këto supozime nuk ishin të sakta.
Një studim video i vitit 2004 mbi votuesit, gjatë zgjedhjeve në Nevada, zbuloi se më pak se 40 për qind e votuesve e verifikuan për së dyti pajisjen (VVPAT) për të parë nëse vota e tyre ishte shënuar saktë. Në 2005, një studim i kryer nga profesori Ted Selker dhe Sharon Cohen nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets zbuloi që "nga 108 zgjedhje që përmbajnë gabime [VVPAT] ... nuk u raportuan gabime [nga pjesëmarrësit]," dhe vetëm 8 për qind e pjesëmarrësve janë pajtuar me deklaratën se ka pasur gabime. Selker i MIT ka shpjeguar se si një aktor i keq mund të kryejë kështu manipulim:
Në një skenar më të mundshëm, ai që ka për qëllim të manipulojë mund të ndryshojë votimin elektronik dhe do të varet nga statistikat për leximin dhe kundërshtimin e fletëve të dyshimta. Nëse një person e kërkon të printuar veprimin e kryer, dhe kërkon që një tjetër kopje t’iprintohet, pajisja e hakuar VVPT mund të shtypë në mënyrë korrekte dublikatën, duke rregulluar gabimin. Me printimin e fletës së saktë, kur një person e kërkon atë për herë të dytë, mund të eliminohet fjalë për fjalë votimi i ndryshuar, duke eliminuar kështu mundësinë e zbulimit. Edhe pse programi duhet të heqë dorë nga ky fletëvotim i ndryshuar, kjo nuk do të ndodhë shpesh.
Gjetjet e studimeve të VVPAT në 2004 dhe 2005 janë përforcuar nga studime të ngjashme të mëvonshme. Në vitin 2007, një studim i Universitetit Rice mbi zgjedhje të simuluara raportoi se një shumicë e qartë pjesëmarrësish në studim nuk e vunë re se makinat e votimit kishin shtuar, fshirë ose ndërruar zgjedhjet e tyre, edhe pse kjo ishte e dukshme në opsionin e rishikimit në ekran. Sipas raportit: “mbi 60 për qind e votuesve nuk e vërejnë nëse votat e tyre në ekran janë të ndryshme nga ajo që kanë zgjedhur. Gara të tëra mund të shtohen ose hiqen nga fletëvotimet dhe zgjedhja e votuesve për kandidatët mund të anashkalohet dhe shumica e përdoruesve nuk e vëren këtë gjë."
Në vitin 2008, Profesori Doug Jones i Universitetit të Iowa-s kreu një studim që gjeti, në njëproces votimi të simuluar, se një e treta e votuesve të udhëzuar për të verifikuar opsionin e rishikimit të makinerisë së votimit nuk e vunë re që ekrani kishte ndryshuar zgjedhjet e tyre në krye të fletës nga Obama tek McCain (ose anasjelltas). Dhe shumica e atyre që e vunë re supozonin se mospërputhja ishte shkaktuar nga gabimi i tyre në përdorimin e makinës, në krahasim me një problem të vetë pajisjes.
Këto dhe shqetësime të tjera me sistemet e ekranit me prekje, përfshirë raportet për ndryshimin e votave, kanë bindur shumicën e ekspertëve që në vend të kësaj të rekomandojnë fletë votimi të plotësuara me dorë, të cilat nuk përfshijnë një pajisje të pasigurt midis votuesve dhe fletëvotimeve të tyre. Fletët e votimit të plotësuara me dorë mund të "ndihmojnë gjithashtu në uljen e radhëve në votime, duke i lejuar punëtorët të vendosin shpejt qendra shtesë votimi", siç pranoi vetë ES&S së fundmi. Ekranet me prekje kanë prirjen të krijojnë radhë më të gjata sepse ato kufizojnë numrin e votuesve që mund të shënojnë votat e tyre në të njëjtën kohë me numrin e pajisjeve në vendin e votimit, të cilat mund të krijojnë një ngërç të përkohshëm.
Sidoqoftë, nga viti 2016, rreth një e katërta e vendit ende përdornin ose pajisje votimi me ekranë me prekje, pa letra, ose makina votimi me ekranë me prekje, me mundësi verifikimi përmes printimit. Pjesa tjetër e vendit ende përdorte kryesisht fletë votimi prej letre tëplotësuara me dorë dhe skanera.
Pajisjet për markimin e fletëve të votimit, të cilat kushtojnë gati dy herë më shumë se fletët prej letre që plotësohen me dorë dhe skanuesit, janë lëvizja më e fundit e industrisë për t’ivendosur pajisjet midis votuesve dhe fletëve të tyre të votimit. Edhe pse ato kanë qenë nëpërdorim për vite me radhë për të ndihmuar votuesit me aftësi të kufizuara - dhe duhet të mbeten të disponueshme për këtë qëllim, versionet e reja janë menduar për t'u përdorur nga të gjithë votuesit, pavarësisht nga nevoja. Shumica krijojnë më tepër një letër të tipit "kartë përmbledhëse", sesa një fletëvotim të plotë.
Asnjë studim nuk sugjeron që këto letra përmbledhëse janë më të mira se gjenerata e mëparshme e pajisjeve që prodhuan një procesverbal që supozohej se bënte verifikimin e votuesve. Përkundrazi, një studim i kohëve të fundit (nga 2018, në pritje të rishikimit nga kolegët) zbuloi se shumica e votuesve nuk i rishikonin ato edhe kur udhëzoheshin ta bëninkëtë. Dhe nga ata që e bënë, shumica nuk vunë re ndryshime në to.
Ekspertët paralajmërojnë se disa nga këto BMD, ES&S ExpressVote XL dhe Dominion ICE, mund të programohen për t'u dhënë votuesve mundësinë që të heqin dorë nga printimi dhe verifikimi për së dyti i printimit. Ata paralajmërojnë gjithashtu se edhe nëse ky opison hiqet, pajisjet mund të programohen me qëllimin e keq për të shtuar shenja të tjera nga vullneti i votuesit në print, pasi të kontrollohen dhe të hidhen votat.
Një shqetësim tjetër është që pothuajse të gjitha BMD-të e reja vendosin një barkod të madh ose kodin QR, mbi tekstin që lexohet nga votuesi në kartën përmbledhëse. Barkodi, të cilin natyrisht njerëzit nuk mund ta lexojnë, është e vetmja pjesë e votimit që llogaritet si vota e tyre. Sipas ekspertit të sigurisë së votimit, Richard DeMillo, një profesor i shkencës kompjuterike në Georgia Tech, "individë keqdashës mund të manipulojnë barkodet për të bërë gjëra të ndryshme, të tilla si udhëzimi i skanuesve të për të ndryshuar votat, dhe votuesit nuk do ta kishin idenë". Profesor Jones më shkruante në një email:
“Ne prej kohësh e kemi bërë zakon në Shtetet e Bashkuara të miratojmë sisteme votimi për t’u përdorur në vendvotim, pa ndonjë studim real se sa mirë funksionojnë. Ne mësojmë për dështimet e faktorëve njerëzorë vetëm pasi makinat vendosen dhe përdoren gjerësisht ... Ne kemi ndjekur saktësisht këtë model me kalimin në sistemet e votimit në ekranin me prekje, e kemi ndjekur atë përsëri me kalimin në pajisjet shtesë të letrës verifikuese për pajisje me ekran me prekje, dhe ne po e ndjekim atë përsëri me teknologjinë e pajisjes për markimin e votave.
Atëherë, pse, duke pasur parasysh problemet e tyre të qenësishme të sigurisë, po merren këto pajisje të reja për markimin e votave në gjithnjë e më shumë raste? Përkrahësit e këtyre sistemeve ndonjëherë thonë se e bëjnë më të lehtë rikthimin e stileve të votimit në disa gjuhë. Por printerat e votave tashmë mund të printojnë fletëvotime në disa gjuhë në vendin e votimit, dhe skanuesit mund të paralajmërojnë votuesit për shenjat e veçanta. Gjatë një rinumërimi në Minesota në vitin 2008, një panel dypartiak u pajtua për gjithçka, përveç katërmbëdhjetë fletëvotimeve të shënuara me dorë nga 2.9 milionë të tilla.
Ion Sancho, i cili shërbeu si mbikëqyrës i zgjedhjeve në Leon County, Florida, për tetëmbëdhjetë vjet, më tha që pasardhësi i tij "përdor një sistem votimi mbi kërkesën" për vendet e votimit të parakohshëm, i cili prodhon një "fletëvotim të plotë, në anglisht ose spanjisht, që votuesi mund ta plotësojë me dorë dhe ta hedhë në tabulator. Kjo procedurë nuk përdor BMD, përveç atyre që nuk mund ta plotësojnë fletëvotimin me dorë. "Sipas Sancho," ata që nxisin përdorimin e BMD, injorojnë teknologjitë aktuale të disponueshme, të cilat janë të thjeshta për t'u përdorur dhe plotësisht të auditueshme", si dhe lehtësisht të verifikueshme nga votuesit, pasi ky i fundit sheh atë që numëron skaneri, jo barkodet ose kodet QR".
Si edhe me shumë gjëra të tjera në politikën amerikane, ndjekja e gjurmëve të parasë hedh dritë mbi motivimin e disa prej zyrtarëve të zgjedhjeve që zgjedhin këto sisteme. Kjo bën një kontroll të veçantë mbi auditimin.
Në vitin 2018, agjencia e lajmeve McClatchy publikoi një lajm, sipas të cilit ES&S "ka pasur për së paku nëntë vjet zyrtarë të lidhur me zgjedhjet vendore dhe lokale që kanë shërbyer në një "bord këshillues" që mblidhet dy herë në vit për konferenca të sponsorizuara nga kompanitë, duke përfshirë një vitin e kaluar në një hotel turistik të Las Vegasit. ”Në vitin 2017, ndërsa dhjetëra zyrtarë të zgjedhjeve morën pjesë në eventin e ES & S në Las Vegas, për të cilin ata përfituan “bileta avioni, strehim, ushqim dhe, sipas një pjesëmarrësi, një biletë për një shfaqje striptize”. Eventi përfshinte gjithashtu pije të pakufizuara në bar dhe shëtitje argëtuese.
Në vitin 2019, u raportua se drejtori i komisionit zgjedhor të Karolinës së Jugut, Marci Andino, kishte pranuar gati 20 000 dollarë shpenzime gjatë një dekade në detyrën e anëtarit të bordit këshillues të ES & S. Që atëherë, shteti ka nënshkruar një kontratë prej 51 milionëdollarësh për markuesit dhe skanuesit e fletëvotimeve ES&S ExpressVote, duke injoruar shqetësimet e ngritura nga Lidhja e Grave Votuese në Karolinën e Jugut.
Zyrtari më i lartë i zgjedhjeve të New York City, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e borditkëshillues të dhuratave sekrete të ES&S nga 2014 deri në dhjetor 2018, dëshiron t’i blejë pajisjet e ES&S ExpressVote XL për votimet preliminare dhe po e nxit bordin që t'i certifikojë ato, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve të sigurisë zgjedhore. Bordi i ka certifikuar tashmë pajisjet e markimit të Dominion ICE, pavarësisht këtyre paralajmërimeve.
Në Teksas, një administrator i zgjedhjeve në Dallas me emrin Toni Pippins-Poole, i cili ndoqi eventin ES&S në Las Vegas, i kërkoi ES&S të paguante për bluzat e fushatës, të cilat kompania pranoi t’i bënte, duke shkruar: "Në të kaluarën ne thjesht i plotësonim një çekTonit… Ne mund të ju dërgojmë një çek të bërë nga ju (Toni) për shumën 1500 dollarë. ”Kjo ishte në vitin 2017. Në vitin 2019, qarku firmosi një kontratë 30 milionë dollarë me ES&S për pajisjet e reja të markimit të votave ExpressVote. Një tjetër qark i Teksasit, Harris - më i madhi në shtet - aktualisht është në kërkim të propozimeve të shitësve për pajisje të reja.
Në Karolinën e Veriut, avokatët dhe ekspertët e integritetit të zgjedhjeve u përpoqën të ndalojnë shtetin të certifikojë pajisjet e shenjimit të votave të ExpressVote nga ES&S, agjenti i të cilit është një kompani e quajtur Printelect. Printelect është në pronësi të Owen Andrews, i cili raportohet se u ka dhënë donacione zyrtarëve të shtetit për vite me radhë. Në gusht të vitit 2019, shteti certifikoi sistemin pavarësisht problematikave të sigurisë, dhe Mecklenberg County, qarku më i populluar, vendosi menjëherë ta blejë atë. Me 6 dhjetor, megjithatë, gazetari Jordan Wilkie, ndërsa shkruante për “Carolina Public Press”, raportoi se ES&S i kishte kërkuar shtetit që "administrativisht" të aprovonte një version tjetër pa prova të certifikimit sepse thoshte se nuk do të kishte njësi të mjaftueshme të versionit të certifikuar për të kënaqur kërkesën. Shteti e dha kërkesën në 15 dhjetor, përkundër një furtune kritikash nga avokatët dhe ekspertët e integritetit të zgjedhjeve, të cilët ngulnin këmbë se sistemi i ri është edhe më shqetësues sesa ai i certifikuar fillimisht, dhe se sistemi do të ketë kosto më tëlartë se sa fletëvotimet e letrës të plotësuara me dorë dhe dhe pajisjet e skanimit.
Në fillim të vitit 2019, Audituesi Përgjithshëm i Pensilvanisë, Eugene DePasquale, raportoi se zyrtarët e zgjedhjeve në të paktën tetëmbëdhjetë qarqe të Pensilvanisë kishin pranuar donacione ose dhurata të tjera nga shitësit e makinave të votimit. Filadelfia atëherë vijoi të injorojë ekspertët dhe mbrojtësit e integritetit të zgjedhjeve duke zgjedhur pajisjet e markimittë votave ES&S ExpressVote XL. Kontrolluesi i Philadelphia-s, mbikëqyrësi zyrtar i financave të qytetit, zbuloi më vonë se lobistët e ES&S kishin dhuruar në fushatat e vendimmarrësve, duke siguruar baza për anulimin e kontratës. Qyteti e gjobiti me 2.9 milionëdollarë ES & S për mosdhënien e informacioneve që kishin të bënin me dhuratat e lobistëve, por kontrata u riafirmua.
Qarqe të tjera të Pensilvanisë ndoqën shembullin e Philadelphia-s, duke përfshirë Northampton County, ku pajisjet XL dështuan në mënyrë spektakolare në votimin e muajit tëkaluar, saqë duhej të goditeshin hapur, në mënyrë që printimet e markuara me pajisje të llogariteshin nëpërmjet pajisjeve të tjera, duke zbuluar se "një kandidat që pajisjet XL treguan se kishte vetëm pesëmbëdhjetë vota, kishte fituar rreth 1 000”. Disa votues gjatë atyre zgjedhjeve gjithashtu raportuan se pajisjet ishin të “mbindjeshme” dhe në mënyrë tëmistershme të prira për Partinë Republikane. Një votues i tillë i cituar nga “New York Times”tha:
Unë hyra në qendrën e votimit, dhe e dija se unë do të votoja Partinë Demokratike dhe do votoj në atë mënyrë derisa të kemi sërish ekuilibër në qeveri, por kur shtypa opsionin Demokratike, sistemi regjistroi një votë për republikanët.
Një ekzaminim pas kësaj konkludoi (ndër të tjera) se dhjetëra prej pajisjeve "nuk ishin kalibruar siç duhet", edhe pse një përfaqësues i ES&S kishte pretenduar më parë se "ju nuk duhet të shqetësoheni për kalibrimin. Ekziston një rutinë kalibrimi, por kurrë nuk na ështëdashur ta përdorim atë. Fjala e skautistit”.
Siç raportoi “Bloomberg”, zyrtarët republikanë në Northampton County nuk ishin më pak skeptikë ndaj këtyre pajisjeve — një kryetare lokale e partisë "tha se rezultatet nuk mund të besohen dhe përvoja ka tronditur besimin e votuesve ..." Ne mendojmë se votuesve u ështëhequr e drejta e votës," tha ajo. "Në vazhdën e kësaj, në Qarkun Northampton, kritikët e pajisjeve të reja kanë kërkuar zyrtarisht, për herë të dytë, që shteti të dekretojë sistemin. Kjo kërkesë është ende në pritje, siç është një padi e ngritur në 13 dhjetor, e cila kërkon të ndalojë përdorimin e këtyre sistemeve në të gjithë shtetin.
Edhe Kalifornia gjithashtu ka hipur në “trenin” e votimit të markuar. Qarku i Los Angeles, më i madhi në SHBA, ka ndërtuar sistemin e tij të shenjimit të votave me kode QR, me vlerë300 milionë dollarë, në partneritet me shitësin e pajisjeve të votimit Smartmatic. Megjithëse qarku ishte mburrur se sistemi i tij do të ishte me "burim të hapur", një kërkesë për regjistrimin publik për kodin u raportua se ishte refuzuar. Eksperti i sigurisë zgjedhore Alex Halderman kohët e fundit i tha revistës “Fortune” se sistemi "ngre pyetjet e veta të sigurisë për të cilat mendoj se qarku i Los Angelesit nuk i ka adresuar ende në mënyrë të kënaqshme."
Në Xhorxhia, avokatët e integritetit të zgjedhjeve arritën të ndalojnë deputetët e shtetit, nëvitin 2018, që të mos miratonin një projektligj (SB403), i cili do të mundësonte përdorimin e pajisjeve universale për markimin e votave. Por deputetët i paraprinë duke miratuar një projektligj të ri (HB316), që i mundëson ato në vitin 2019. Xhorxhia ka blerë që atëherë BMD nga kompania Dominion, lobisti i të cilës, Jared Thomas, ishte shefi i personelit të Guvernatorit Brian Kemp dhe sekretari i shtypit në 2012-2015, kur Kemp ishte sekretar shteti. Partneri i Dominion në shtet është KNOWiNK, një furnizues i librave të zgjedhjeve, të cilat përdoren për të regjistruar votues dhe për të konfirmuar regjistrimet e tyre. Themeluesi dhe CEO i KNOWiNK, Scott Leiendecker, është një ish-zyrtar republikan i zgjedhjeve, gruaja e të cilit dhuroi 2 500 dollarë për fushatën e sekretarit aktual të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, në nëntor 2018.
Në zgjedhjet e simuluara për të testuar sistemin e ri të votimit të Xhorxhias muajin e kaluar, librat elektronikë të zgjedhjeve nga KNOWiNK dështuan në katër nga gjashtë qarqe. Megjithëse një gjykatë federale kishte urdhëruar shtetin e Xhorxhias që të mbante lista të regjistrimit të votuesve në letër si kopje rezervë, ato nuk përmirësuan ndonjë gjë sepse pajisjet e markimit të votave ishin instaluar në mënyrë të tillë që të mos aktivizoheshin pa funksionuar librat elektronikë të zgjedhjeve. Edhe pasi të zgjidhej ky problem, disa pajisje për markimin e votave u fikën dhe u ndezën disa herë gjatë përdorimit. Në përputhje me studimet e mëparshme të "faktorit njerëzor", vëzhguesit gjatë atyre zgjedhjeve, përfshirë Profesorin Rich DeMillo të Georgia Tech, raportuan se shumica e votuesve nuk i rishikoninprintimet e pajisjes për markimin e votave. Koalicioni për Qeverisje të Mirë, një OJF eintegritetit të zgjedhjeve, ka marrë tashmë një vendim gjyqësor të gjykatës federale që ndalon pajisjet e tanishme të votimit të Xhorxhias. Qëllimi përfundimtar i grupit është të sjellë në Xhorxhia fletë votimi që plotësohen me dorë, me pajisje për markimin e votave vetëm për ata votues që nuk janë në gjendje të votojnë vetë.
Sidoqoftë, në këtë përpjekje, avokatët e integritetit zgjedhor përballen me një betejë të ashpër - jo vetëm në nivel shtetëror, por edhe në Kongres. ES&S dhe Dominion i dhanë donacionefushatës së senatorit të vjetër të Kentucky dhe udhëheqësit të shumicës së Senatit, Mitch McConnell, në fillim të këtij viti. McConnell më vonë ra dakord të përvetësojë 250 milionëdollarë për financimin e supozuar të "sigurisë së zgjedhjeve", që në të vërtetë nuk ka mandatuar asnjë kërkesë të sigurisë zgjedhore. Senatori Ron Wyden, demokrat që përfaqëson Oregonin, i cili mbështet fletë-votimin e plotësuar me dorë, e ka quajtur këtë financim (parashikuar në një ndryshim në projektligjin 2524 të Senatit) një "turp", duke theksuar se paratë "mund të përdoren për çdo gjë që lidhet me zgjedhjet. Përfshirë dhënien e parave tëtaksapaguesve për të blerë pajisje të pasigurta votimi".
Verified Voting, një organizatë e fuqishme kombëtare që lobon në Kongres dhe shtete për reformën e sigurisë së zgjedhjeve ka mbështetur makinat e kontrollit me letra të verifikueshme nga votuesit, e ka quajtur projektligjin e ri të financimit "pa hile" të McConnell si një "hap në drejtimin e duhur". Presidenti i Verified Voting gjithashtu e ka prezantuar ndryshe nga ç’është kapacitetin e pajisjeve të markimit të votës dhe aftësinë e tyre për të siguruar prova të besueshme për një Auditim të Kufizimit të Riskut, që rezultatet elektronike të quhen të ligjshme. Më 21 nëntor 2019, Profesori Stark, në shenjë proteste dha dorëheqjen nga bordi i drejtorëve të Verified Voting, duke përmendur përfaqësime të tilla "false" të përsëritura nga organizata, për të cilat ai thotë se kanë shërbyer për të zbardhur dështimin e juridiksioneve të shumta për të përmbushur "kërkesën themelore" të një "verifikimi të besueshëm në letër”. Stark shkroi që organizata në fakt ka thënë: "Mos u shqetëso: Verified Voting do t'ju mësojë të përhapni pluhurin magjik RLA dhe fantazitë për testimin paralel në zgjedhjet tuaja jo fort të besueshme. Gjithçka do të shkojë mirë; ju mund të përdorni autoritetin dhe reputacionin tonë për mbytur zërin e kritikëve".
Më 1 dhjetor 2019, një ekspert tjetër, profesor DeMillo, dha dorëheqjen nga Verified Voting, duke përmendur shqetësime të ngjashme në lidhje me deklaratat "e paparashikueshme" dhe "kontradiktore" me politikat e organizatës lidhur me përdorimin e BMD-ve dhe atë që një Auditim për Kufizimin e Riskut mund të bëjë me printime BMD në krahasim me fletëvotimet e plotësuara me dorë.
Ligji për Sigurinë e Zgjedhjeve Federale në SHBA, Safe Act (S. 2238), i cili u hartuakryesisht nga Wyden, është ligji i vetëm federal që do të ndalojë të paktën disa sisteme pajisjesh për markimin e votave në vitin 2020 - ato që numërojnë votat me barkod, që zbatohet për shumicën e sistemeve aktuale, dhe hibride që mund të shtojnë shenja të pajisjes në printim pasi votimi është bërë, të tilla si ES&S ExpressVote XL dhe Dominion ICE. Safe Act gjithashtu do të lejojë që autoritetet t'u japin votuesve mundësinë të plotësojnë me dorë fletëvotimet e tyre në vitin 2020, megjithëse do t'i lejonte ata ta plotësonin këtë kërkesë me votë përmes postës; nuk do të kërkonte që qendrat e votimit t'u japin votuesve mundësinë e shenjimit me dorë, një lëshim ky që shqetëson disa avokatë. Sidoqoftë, kjo do të kërkonte që autoritetet të kryejnë Auditime për Kufizimin e Riskut për zgjedhjet federale të mbajtura brenda një viti nga data e miratimit të këtij ligji.
Dje (16 dhjetor 2019), negociatorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit arritën një marrëveshje për të rritur në 425 milionë dollarë fondet e dakordësuara më parë për sigurinë e zgjedhjeve. Njësoj si më parë, ky financim (që supozohet se është një pjesë e S. 2524) nuk përfshin kushte për sigurinë zgjedhore. Nëse votuesit dëshirojnë që projektligji të përjashtojë fondet e pajisjeve të votimit me ekran me prekje DRE dhe Pajisjet e Markimit të Votave (me një përjashtim për votuesit me aftësi të kufizuara), koha për t'ua thënë këtë senatorëve dhe përfaqësuesve të tyre është tani.
Basti nuk mund të ishte më i madh se kaq. Pajisjet e votimit që e bëjnë të vështirë ose të pamundur zbulimin e hakerave mund t’i bëjnë votuesit të dyshojnë jo vetëm për vjedhjen e zgjedhjeve, por edhe për pretendime të rreme të manipulimit të zgjedhjeve. Ky është një çmim i lartë për t’u paguar në këmbim të stilolapsave të panevojshëm elektronikë.
Burimi: The New York Review of Books
Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment