“Blloku” i Isuf Kalos
U bë më se një muaj që çdo ditë e çdo natë, nëpër faqet e gazetave dhe nëpër ekranet televizive gazetarët intervistojnë Isuf Kalon në lidhje me librin e tij “Blloku”, në të cilin personazhi kryesor dhe më i rëndësishëm është Enver Hoxha. Tashti disa televizione kanë filluar ta intervistojnë për herë të dytë, por është e kotë se ai ato që pati për të thënë dhe që mund t’i thoshte, i tha të tëra që në fillim. Ndërsa në emisionet e para gazetarët e të ftuarit nëpër studio televizive përpiqeshin t’i bënin vetëm elozhe Isuf Kalos dhe librit të tij, tashti kanë filluar edhe ta kritikojnë. Në emisionin e fundit të Blendi Fevziut pati vetëm kritika. Reklama shumë e tepruar për atë libër po luan tashti rol të kundërt dhe Isuf Kaloja bën mirë ta përfundojë misionin që pati dhe të largohet.
Ky libër nuk doli kot dhe rastësisht. Me kohë kishin dalë shumë fakte të reja për krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës dhe figura e tij kishte rënë mjaft. I duhej dhënë një impuls jetëdhënës dhe këtë u përpoq t’ia jepte Isufi.
Në libër vihet re shumë qartë shfaqja e admirimit të autorit për Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxhën dhe familjen e tyre si dhe e denigrimit ndaj Ramiz Alisë dhe Mehmet Sheut dhe familjes së tij. Nga kjo pikëpamje autori nuk del i paanshëm dhe rrjedhimisht as i besueshëm për ato që thotë në përgjithësi. Por, nuk është kjo kryesorja, sepse nuk ka shumë rëndësi se cili është më i mirë dhe cili më i keq nga personat për të cilët ai bën fjalë. Kryesorja është se autori nuk merret me gjëra esenciale, me gjëra të rëndësishme, por merret kryesisht me gjërat banale të jetës së bllokut. Ato që tregon Isuf Kaloja në pjesën më të madhe të librit janë të përshtatshme për t’u treguar nga punonjësit e rëndomtë të bllokut si bahçevanë, hidraulikë, elektricistë, kuzhinierë, infermierë, shoferë e të tjerë dhe jo nga një mjek profesor si Isuf Kaloja. Prej atij, si mjek personal i Enver Hoxhës, që u gjend pranë tij më afër se çdo njeri tjetër dhe për një kohë mjaft të gjatë, priteshin të thuheshin të tjera gjëra, edhe prej atyre që shumë njerëz brenda bllokut mund t’i shihnin dhe të mos i kuptonin.
Dikur kam parë një film në të cilin policia japoneze po ndiqte një person. Policia kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe po kontrollonte kudo për materiale komprometuese. Ndërsa të tjerët nuk lanë mur pa çarë e dysheme pa shqepur, njëri prej agjentëve u përqendrua te biblioteka. Kur të tjerët i thanë që të merrte pjesë edhe ai në kërkimin ndonjë sendi komprometues, ai u tha se nëpërmjet librave që lexonte personi që kërkohej, ai kuptonte se me ç’njeri kishte të bënte. Ai në atë mënyrë njihte botën e tij të brendshme që ishte shumë më me vlerë se bota e tij jashtme, se një revole që mund t’i gjendej në shtëpi. A ka bërë, për shembull, ndonjë vëzhgim Isuf Kaloja në bibliotekën e pasur të Enverit? Për shembull, a mendonte ai se Enveri ishte një lexues dhe studiues i pasionuar e serioz, apo ishte thjesht një bibliofil ekzibicionist? Ç’lloj librash lexonte më shumë ai?
Do të ishte me shumë interes që Isuf Kaloja të na fliste pak për botën e brendshme, për botën shpirtërore, për botën e padukshme të Enver Hoxhës. Për shembull: a kishin ndonjë efekt mbi të vrasjet që kryente, a i ndryshonte natyra para vrasjeve apo pas vrasjeve të kundërshtarëve apo të shokëve të tij, a tronditej ai nga vrasjet apo vrasjet i kryente dhe i kalonte me gjakftohtësi të plotë e s’i bënin fare përshtypje, pra a bëhej Enver Hoxha kriminel jashtë natyrës së tij, a vriste ai nga halli, apo vriste i nxitur nga impulset brendshme? Isuf Kaloja nuk na thotë fare nëse ka vërejtur ndonjëherë tek Enver Hoxha shenja të paranojës, për të cilat flasin të gjithë e që janë të qarta edhe për ata që nuk e kanë njohur nga afër, paranojë që ka qenë shkak i shumë krimeve të kryera prej tij.
Në një intervistë që i dha së fundi Monika Stafës, Kaloja thotë: “Unë kam bërë thjesht një fotografim të Bllokut nga brenda. Një fotografim pa aparat. Fotografim me anë të ndjesive, me anë të shqisave. Fotografi psikologjike për të kuptuar pse ndodhnin ato që ndodhën dhe përtej atyre që ndodhnin”.
Ku i ka këto fotografime me anë të ndjesive Isuf Kaloja? Ai nuk jep asgjë prej tyre.
Nuk na ka folur kurrë për gjendjen e Enverit, kur në Bllok apo në Shqipëri, me urdhër të tij ndodhnin gjëra të jashtëzakonshme që tronditnin të madh e të vogël, komunistë e antikomunistë. Ai thotë vetëm: “Mendërisht (“udhëheqësit”) ishin te zakonshëm, por kishin në dorë të bënin gjëra të pazakonta. Madje edhe disa gjëra të pajustifikuara, deri në vrasje njerëzish që për mendimin tim, ishte tejkalim i kodit moral… Por unë kam pasur kënaqësi të jetoja me ta. Kam udhëtuar me ta, kam ndenjur në ambiente me ta, i kam shoqëruar…kudo thuajse”.
Për Isuf Kalon, vrasja e njerëzve si të ishin insekte ishte thjesht një “tejkalim i kodit moral”, jo më shumë, jo krim dhe prandaj kjo gjë atij nuk ia pengonte kënaqësinë që e bënte të ndiente jetesa me të e me shokët e tij!
Duket qartë se mendësia e Isuf Kalos është e njëjtë me atë që ka pasur në kohën kur i shërbente Enverit. Ajo nuk ndërroi as pas njëzetepesë vjetësh të ndenjes dhe punës në një nga vendet më humane e më të qytetëruara të botës, as pas tridhjetë vjetësh pas shkërmoqjes së komunizmit tek ne dhe zbulimit më mirë të fytyrës dhe veprimtarisë së Enverit dhe as pas tridhjetepesë vjetësh pas vdekjes së Enverit.
Comments
Eshte mire qe veprat te
Eshte mire qe veprat te diskutohen pa u marre me jeten apo me cilesite negative apo pozitive te autoreve te tyre.
Kritika e mesiperme nuk ka shume te beje me vepren e Dr Kalos, por me idene qe autori i ketij shkrimi ka sesi duhet te ishte kjo veper po ta kishte shkruar ai vete: si ne skenarin e filmit japonez...
Dr Kalo ka qene nje deshmitar i shume momenteve ku protagonistet e historise se shemtuar te Shqiperise se gjysmes se dyte te shekullit XX kane treguar ane te tyre personale madje dhe intime. Veshtire qe Dr Kalo te kete qene prezent ne skena ku partiaket shendetplote te Shqiperise kryenin krimet e tyre. Ai ne tregon per ato skena qe i kane bere atij pershtypje, dhe ne nuk mundet ta paragjykojme se cfare duhet ti paskesh bere atij pershtypje me te vertete por qe botkuptimi i tij i kufizuar nuk pranon ti ndaje me ne.
Edhe pas tere kufizimeve te mundeshme te Dr. Kalos, prape nuk mund ti anashkalojme faktit qe ky liber deshmon se kush ishin ne brendi ata njerez qe banonin ne Bllok. Njerez te zakonshem qe besonin se ishin te jashtezakonshem. Njerez te vegjel qe kishin iluzione per gjenialitetin e tyre - sic ka ndodhur me shume dikatore dhe ne shume momente tragjike te historise se njerzimit. Pyetja eshte: a na interesojne ne keto fakte, apo tere komentet qe mund te bejme ne per to kane te bejne me autorin e tyre?
Add new comment