Kush mbetet garant i Kushtetutës?
Votimet e 30 qershorit kanë për të hyrë në historinë e pluralizmit shqiptar si shenja më e dukshme e rrokullisjes kushtetuese që ky shtet mund të ketë njohur ndonjëherë. Në veprim dhe burim legjitimiteti janë autoritete pa autoritet real që po ecin në kufijtë, në mos në shkele të të drejtave tëveta kushtetuese. Ka një dekret Presidenti që cakton datën e votimeve më 13 tetor. Ndërkohë votimet mbahen sot sipas një interpretimi shumë të paqartë dhe të tërthortë të Kolegjit Zgjedhor që nuk ka shqyrtuar dekretin e parë të kreut të shtetit si të tillë, por një kërkesë për çregjistrim nga zgjedhjet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një institucion ekzekutiv ka refuzuar një akt të Presidentit duke iu referuar në mënyrë arbitrare dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative, ndërkohë që vetë Presidenti, parë në një vështrim strikt teknik, ka ushtruar një kompetencë që nuk e ka. Ka shfuqizuar një datë zgjedhjesh në tagrin e kryetarit të shtetit dhe sipas tij informacioneve dhe të dhënave se vendi po shkonte në përplasje civile.
E gjithë kjo rrëmujë ka zhgraduar thuajse të gjitha hallkat vendimmarrëse nga autoriteti i tyre kushtetues, duke i reduktuar në njësi rivalizuese që veprojnë mbi bazën e forcës që japin instrumentet në dispozicion dhe agjencitë në varësi. Vetë Parlamenti është gjymtuar dhe nuk ka aftësinë për të vepruar në shina kushtetuese, teksa ajo që njihet si shumicë është njëjtësuar kaq shumë me direktivën politike saqë kufiri mes të drejtës idividuale të një deputeti për të shprehur mendimin e tij për çështje të caktuara dhe mandej votën, është fshirë për t’u shkrirë në masën anonime të parlamentarëve.
Atrofizimi i Parlamentit nuk është dukuri mbi të cilin mund të diskutosh hipotetikisht. Është një fakt i kohës sonë, ku e drejta nuk ushtrohet asnjë herë në raport me detyrimet e përfaqësimit siç parashikon Kushtetuta, por aplikohet si ritual besnikërie ndaj një subjekti. Kjo është e ligjshme dhe kushtetuese, por në kurriz të legjitmitetit. Nëse i referohemi Kushtetutës sonë, në nenet e para të saj përcaktohen qartë disa parime që janë shumë të rëndësishme jo vetëm se shprehin synimet e ligjvënësit, por edhe rregullojnë aspektin funksional të institucioneve. Po sjellim më poshtë përmbajtjen e neneve 1,2,3 dhe 4 të ligjit themeltar:
1. Shqipëria është republikë parlamentare.
2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.
3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.
Neni 2
1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.
…
Neni 3
Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’I respektojë dhe t'i mbrojë.
Neni 4
- E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit
Nëse sheh me kujdes këto dispozita aty kupton se ligjvënësi ka synuar të formulojë një shtet që ndjek parime të tilla si pluralizmi, demokracia parlamentare, që operon nën imperativat e së drejtës dhe kufizohet prej saj, ndërkohë që në pikpëmaje funksionale ia atribuon Popullit sovrantitetin.
Çfarë është Populli? Me përkufizim Popull quhet:
Tërësia e njerëzve që jetojnë në një bashkësi shoqërore e politike në një vend a në një shtet
Po Sovranitet?
E drejta që gëzon çdo popull e çdo shtet për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri ose kontrolli nga të tjerët
Ky sovranitet ushtrohet ose drejtpërsëdrejti, ose përmes pafaqësuesve. Nëse do të aplikojmë dispozitën kushteuese të nenit 2 me situatën e tanishme, mund të arrijmë në përfundimin se Shqipëria sot përballet me një krizë sovraniteti, në kuptimin se një formë e ushtrimit të tij, ajo përmes Përfaqësuesve të vet, ka dështuar. Këtë opinion e konfirmon mungesa fatkeqe e Gjykatës Kushtetuese që në finale i jep zgjidhje pretendimeve të caktuara dhe sanksionon përgjigjen për një të drejtë që është vënë në diskutim. Por edhe sikur Gjykata të ishte, e drejta për ta ushtruar sovranitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë prevalon mbi vendimmarrjen e saj që është e paankimueshme por që në fakt i përgjigjet një ushtrimi sovraniteti përmes Përfaqësuesve.
E thënë ndryshe: Cila gjykatë do të mund të anullonte apo skualifikonte prerogativën kushtetuese të popullit për të ushtruar sovranitetin drejtpërsëdrejti? Logjiisht në këtë rast gjykata nuk vihet në veprim, pasi burim i së drejtës, madje me gjasë burim i së drejtës pozitive që pasurohet në proces politik e sipër është vendimmarrja e përgjithshme.
Ky përcaktim në Kushtetutën tonë është shumë i përgjithshëm, pasi askush nuk di të thotë se në cilën mënyrë Populli ushtron sovranitetin drejtpërsëdrejti. Dhe si njihet kushtetueshmërisht një gjë e tillë. Ka së paku dy raste që vijnë në mendje: së pari 7 prill 1939, kur ikja e Mbretit Zog, por pa abdikuar, krijoi rrethanat e jashtëzakonshme të veprimit të armatosur me iniciativë të një bashkësie njerëzish, duke mos ushtruar Sovranitet, por duke afirmuar një vullnet Sovran përkundrejt një situate kërcënuese dhe të jashtëzakonshme në raport me çdo përkufizim kushtetues. Është kjo arsyeja që askush deri më sot nuk ka vënë në pikëpyetje aspektin legal dhe kushtetues të reagimit me armë të shqiptarëve të ndryshëm në 7 prill 1939, zhvilluar në kushtet një rrethane ndërkombtarisht të pranuar siç është pushtimi i vendit.
Rasti i dytë është viti 1997 dhe është më i komplikuar. Krijimi i Komiteteve të Shpëtimit Publik në disa zona të vendit, nuk është vlerësuar asnjëherë në aspektin kushtetues se çfarë përfaqësonte, por humbja e kontrollit shtetëror mbi pjesë të territorit krediton me legjitimitet vetëorganizime të tilla përderisa ato bëhen burim autoriteti. Por sigurisht jo burim të Drejte.
Dy rrethanat historike në fjalë, bashkë me shfaqje të tjera gjatë kohës së Mbretërisë, siç janë Kryengritjet e armatosura, vënë në dukje pikërisht krizën e përfaqësimit që mandej manifestohet si krizë sovraniteti ashtu siç kërkon ta përkufizojë ligji themeltar. Pyetja që shtrohet sot është: kush e ushtron sovranitetin? Dhe sa i ligjshëm është ky? Kjo pyetje çon natyrshëm në një pyetje tjetër: si sigurohet Mbrojtja e Kushtetutës dhe kush është garanti i saj në situatën e tanishme?
Nëse lexon ligjin themeltar aty përshkruhet se është Presidenti, më tej Gjykata Kushtetuese, Parlamenti, por asnjë situatë nuk parashikon se çfarë ndodh kur këto hallka, ose mungojnë, ose konfiliktohen mes tyre përmes interpretimeve dhe akteve zyrtare? Si qëndron raporti mes zbatimit faktik të sovranitetit kushtetues të Popullit dhe realitetit politik të tanishëm kur ky sovranitet është cenuar – pavarësisht se mund të ketë pasoja pozitive – nga ndërhyrje të huaja? Kujtoni më sipër përkufizimin e sovranitetit.
Këto nuk janë pyetje teorike, por pyetje që rrjedhin nga kriza e tanishme e cila e ka shdnërruar Kushtetutën në një aventurë interpretimesh që në fund e zhvlerësojnë atë. Koha po kërkon një Kushtetutë të re, ku kjo çështje duhet të zgjidhet edhe në dritën e përvojës shqiptare që na mëson se sovraniteti dhe populli janë dy nocione që ndonëse bashkëlidhen konstitucionalisht, nuk përputhen në prakitkë dhe as zbërthehen konkretisht.
Dy sugjerime mund të vijnë në vështrim në këtë rast: së pari është Amendamenti i Dytë i Kushtetutës Amerikane që parashikon:
Një forcë e rregulluar më së miri, e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë nuk duhet të cenojë të drejtën e popullit për të mbajtur armë
Mbi këtë amendament ka shumë interpretime, por në përgjithësi ai është vlerësuar si një e drejtë e popullit për të ushtruar sovranitetin mbi jetën e vet, sovranitet i cili nuk mund të ndahet nga mbajtja e armës. Sepse nëse shteti e siguron sovranitetin kryesisht përmes afirmimit të forcës dhe identitetit, pse individi duhet të shpresojë përherë në rrethanat fatlume dhe vullnetin e mirë të përfaqëesuesve?
Por edhe Shqipëria ka një precedent legjislativ në këtë drejtim, që i jep tjetër kuptim, ose rregullim sovranitetit. Në Statutin e zgjeruar të Lushnjes të viit 1922, në nenin 127 thuhet:
Mprojtja e këtij Shtatuti âsht e drejta e detyra e të gjith popullit shqiptar.
Të gjithë zyrtarët e nëpunsit e Shtetit, qivilë a ushtriakë qofshin, janë të përgjegjëshëm për veprat e tyne kundër këtij Shtatuti dhe dënohen mbas ligjevet në fuqì për sa këto parashofin, e për shpërdorim detyre për sa këto nuk parashofin.
Urdhëni i të parvet të tyne nuk i liron prej kësaj përgjegjësije.
Siç shihet mbrojtja e Kushtetutës është e drejtë dhe detyrë e qytetarëve, që përbën zgjerim të nocionit abstrakt të ushtrimit të sovranitetit siç e rregullon Kushtetuta e tanishme. Koha e kërkon që ky nocion të rishikohet duke marrë në konsideratë se sovraniteti nuk mund të lejohet që të shndërrohet në një formalitet kushtetues të paqartë dhe të humbasë në rrjedhat e interpretimeve të Kushtetutës. Sigurisht që çdo përkufizim ka mangësitë e veta, por duhet kuptuar se ligje të tilla si Kushtetuta duhet të konsiderojnë jo vetëm shembujt pozitivë nga vende të zhvilluara, por edhe përvojën e re dhe historinë e Popullit.
Ismail Kadare ofron diku një shpjegim personal për konvertimin e shqiptarëve në myslimanë. Sipas tij kjo lidhet me mbajtjen e armës. Pra shqiptarët dorëzuan fenë dhe armën jo. Ndoshta ky pohim, shumë i diskutueshëm historikisht do të mund të bëhej baza e një shndërrimi të dytë që e lidh mbajtjen e armës me kulturën demokratike të amerikanëve. Në fund të fundit asgjë nuk dhurohet, sidomos të drejtat dhe liria.
Add new comment