Shqipëria po shkon në theqafje syhapur

Postuar në 19 Qershor, 2019 22:05
Veton Surroi

Po të ishte Shqipëria ndërmarrje ekonomike me aksione në bursë ndërkombëtare, menaxhmenti i saj do të duhej të mbante mbledhje urgjente e të përhershme alarmi me vetëm një pikë të rendit të ditës: si të ndalet rënia e vlerës së aksioneve? 

Në fillim të këtij viti përllogaritja e “bursës” do të ishte që të mbahej stabiliteti i çmimit, e madje edhe mundësia e hipjes së tij pas marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Tash, në gjysmëvit, Shqipëria shihet me sy dramatikisht ndryshe prej para gjashtë muajsh. 

“Menaxhmenti” i vendit, nëse mund të quhet ashtu, ku do të duhej të hynin kryeministri, presidenti dhe opozita, janë në luftë për ta përjashtuar njëri-tjetrin prej funksioneve. Përderisa të vazhdojë kjo luftë, aksionet e vendit do të vazhdojnë të bien me theqafje. Javën e kaluar isha në Berlin dhe nga qarqet e diplomatëve dhe vrojtuesve të Shqipërisë mora vetëm një rrudhje krahësh kur u shtrua Shqipëria. Me dëshpërim të madh dëgjova edhe “Nuk dimë ç’të bëjmë më”. 

2.

Ngritja e vlerës së aksioneve të Shqipërisë qe një proces i gjatë e me zigzage, por me një ngritje konstante ç’prej vitit 1997 e këtej. Pra, për njëzet vjet vendi ka pasur evolucion e me dy raste dhe ngritje jashtevolutive. Të parën me anëtarësimin në NATO së bashku me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit të bërë gjatë qeverisjes Berisha, dhe të dytën me energjinë e krijuar kryesisht nga kryeministri Rama për trajtim të veçantë nga Gjermania, që kulmoi me Procesin e Berlinit. Shqipëria kishte mbërritur atë nivel të respektit dhe të afërsisë, madje personale, me liderët evropianë, që nuk e kishte pasur ndonjëherë. 

Pse atëherë kjo rënie? Në formulimin më të shkurtër: sepse Shqipëria u largua nga loja në fushë të madhe e me gola të mëdhenj dhe u kthye në lojën me fushë të vogël e gola të vegjël. Brenda gjashtë muajsh kryeministri i vendit bëri së paku tri gabime që nuk përkasin me lojën në fushë të madhe, aty ku e kishte çuar vendin me të drejtë gjatë mandatit të tij të parë. Së pari, vazhdoi të ishte pjesë kryesore e një aventure antievropiane, me idenë e Vuçiqit, të adoptuar nga Thaçi, për këmbim territoresh e popullatash. 

Përgjatë tridhjetë vjetëve lëvizjet demokratike shqiptare u kishin rezistuar tundimeve që të marrin përgjegjësinë (pra, fajësinë) për ndryshimin e kufijve dhe shënuan suksesin e çlirimit të Kosovës nga NATO-ja dhe pavarësimit të saj nën ombrellën e Perëndimit. Kryeministri i Shqipërisë nuk kishte pse ta identifikonte vendin me një ide humbëse, që në instancë të fundit ka sponsorin në Moskë, me aksione në bursën politike evropiane që kaherë shënojnë vetëm rënie. 

Së dyti, shpërfilli opozitën e cila, në çfarëdo interpretimi - si provokim nga gjendja e pashpresë apo si intencë reformuese - ngriti shkallën e konfliktit me pushtetin, me rastin e zgjedhjeve vendore. Tallja me letra të bonsensit letrar mund të krijojë avantazh stilistik, por nuk bënë gjë për të ngritur mundësinë që të arrihet një nivel konsensusi me opozitën që do të garantonte legjitimitetin e zgjedhjeve. Dhe së treti, i vendosi veten e vendin në një pozitë që pothuajse simulon paranojën, gjendjen ku e tërë bota është kundër këtij pushteti. 

Në intervistat e debateve të mbrëmjes u bë edhe njëri prej panelistëve. Si i tillë i quante kazan mu ato medie ose edhe ato medie me pronarët e të cilave kishte krijuar afërsi personale që vrojtuesit e jashtëm mund ta quanin edhe varësi. Në origjinalitetin e analizave të “Bar Westit”, të viteve nëntëdhjetë, edhe Zëri i Amerikës do të bëhej kazan. E në mungesë të origjinalitetit gazetarin e “Bildit”, i cili botoi përgjimet tashmë të famshme, e kërcënoi me padi në Gjermani; një veprim që e kishte bërë më herët Hashim Thaçi me senatorin zviceran Dick Marty. Kryeministri do ta fitojë betejën me “Bildin”, po aq sa e fitoi Thaçi me Dick Martyn. 

3.

Ashtu si kishte vendi ngritje joevolutive me NATO-n, MSA-në dhe Procesin e Berlinit, rënia e tanishme mund të jetë njëjtë tejpërpjesëtimore. Insistimi që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor tashmë tejkalon çështjen e legjitimitetit (të cilin nuk do ta kenë nëse mbahen) dhe u afrohet vijave të kuqe të sigurisë kombëtare. 

Nëse mospjesëmarrja e opozitës e cungon legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve, insistimi që të mbahen, me gjithë vullnetin e opozitës (dhe çdekretimit të datës nga ana e presidentit) përbën thirrje për zgjedhje me instrumente të dhunës së shtetit. Policia e shtetit, kështu, shndërrohet në palë dhe zhytja e policisë në anime politike është diçka që shqiptarët e njohin e nuk quhet demokraci. Dhe insistimi i opozitës që zgjedhjet të mbahen atëherë kur kryeministri jep dorëheqje ka forcën e ultimatumit që shpie vetëm në një rrugë: te dhuna. 

Vetëbesimi - dhe ndoshta dehja - me zaptimin e dhunshëm të një Këshilli zgjedhor (në Tropojë) nuk duhet të shërbejë si inspirim për akte të mëtejme të ngjashme. Çdo akt i ngjashëm i radhës do të ftojë përgjigjen e dhunshme të pushtetit. Dhe çdo dhunë do të prodhojë më shumë sosh. Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira me legjitimitet demokratik. Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian ku zgjedhjet prodhojnë viktima njerëzore. 

4.

Përgjimet e zbuluara nga “Bild” tregojnë qartazi për keqpërdorimin e pushtetit në një proces zgjedhor, nga shfrytëzimi i policisë së shtetit për të penguar opozitën, përdorimi i administratës publike për kërcënime ndaj arsimtarëve që të japin votën për pushtetin e deri te blerja e votës me para të gatshme, madje me çmimore të njohur (prej 3-5 mijë lekë) që tregon se trajtohet si normale bursa e votës. Dhe përgjimet tregojnë se legjitimiteti demokratik i zgjedhjeve është me pikëpyetje. 

Por kjo nuk është e re: kur ishin socialistët në opozitë vënë në pikëpyetje (me dyshime të bazuara) legjitimitetin e zgjedhjeve të fituara nga demokratët. Dhe, këto përgjime nuk duhet të shërbejnë për shkarkim qeverie. Juridikisht, përgjimet duhet të iniciojnë një procedurë gjyqësore që do përcaktojë përgjegjësinë penale të aktorëve të përfshirë. Vetëm atëherë do të krijohen kushtet edhe për përgjegjësitë politike. 

E kjo gjë do të kërkojë kohën e vet dhe institucionet që nuk varen nga diktati politik. Ndërkohë, rënia e lirë e Shqipërisë do të kërkojë masa politike. Masa urgjente është që të mblidhet menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Të pajtohet që zgjedhjet do të mbahen kur të merren vesh. Të pajtohen që zgjedhjet duhet të kenë besueshmërinë e ndërsjellë. Dhe se kjo është vetëm njëra prej pikave të një marrëveshjeje që duhet t’i rilegjitimojë demokracinë dhe shtetin.

Burimi: Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.