Planeti ka hyrë në spiralen e vdekjes dhe për ta shpëtuar duhet të luftojmë me oligarkinë

Postuar në 30 Nëntor, 2018 15:26
George Monbiot

Ishte një moment nga ata që të ndryshojnë jetën. Javën e kaluar, në një konferencë shtypi mbi klimën që mbajtën aktivistë të grupimit “Rebelimi ndaj shfarosjes”, dy prej gazetarëve të pranishëm ngritën pyetjen nëse qëllimet e tyre ishin realiste. Ata kanë kërkuar, p.sh., që Britania e Madhe ta ulë në zero emetimin e gazit karbon para vitit 2015. A nuk do të ishte më mirë – ngritëm ne pyetjen – që të kërkoheshin objektiva më pak optimale?

Një vajzë e re e quajtur Lizia Woolf doli e para. Nuk kishte folur më parë, por pasioni, pikëllimi dhe tërbimi në përgjigjen e saj ishin krejtësisht bindëse. "Çfarë kërkoni që unë si 20-vjeçare të pranoj për të ardhmen time? Kjo është një emergjencë. Ne po përballemi me shfarosjen. Kur ju bëni pyetje të tilla, çfarë prisni që unë të ndiej?”. Nuk pati asnjë përgjigje.

Objektiva pak më të ulëta mund të jenë politikisht realiste, por fizikisht janë joreale. Vetëm ndryshime në përpjestim me shkallën e krizave ekzistenciale mund të kenë shans t’i shmangin ato. Realizimi i pashpresë, që qëndron në të dy polet e problemit, ka çuar në këtë kaos. Dhe nuk mund të dalim prej tij.

Figurat publike flasin dhe veprojnë sikur ndryshimet mjedisore të jenë lineare dhe graduale. Por sistemet e Tokës janë shumë komplekse, dhe sistemet komplekse nuk i përgjigjen presionit në mënyra lineare. Kur këto sisteme bashkëveprojnë (për shkak se atmosfera, oqeanet, sipërfaqja e tokës dhe format e jetës nuk janë të sistemuara në kuti që u vijnë për shtat studimeve), reagimet e tyre ndaj ndryshimeve bëhen shumë të paparashikueshme. Ndryshime të vogla mund të kenë pasoja të mëdha. Momente të rëndësishme ka gjasa të mbeten të padukshme derisa t'i kalojmë ato. Ne mund të shohim ndryshimet e situatës në mënyrë krejt të papritur dhe të thellë, saqë të mos kemi më siguri për atë që do të vijë më pas.

Unë nuk besoj se një kolaps i tillë është ende i pashmangshëm, apo se një përgjigje proporcionale është teknikisht ose ekonomikisht e pamundur. Kur SHBA iu bashkua Luftës së Dytë Botërore në vitin 1941, ajo e zëvendësoi ekonominë civile me një ekonomi ushtarake brenda disa muajsh. Ashtu si Jack Doyle shkruan në librin e tij, "brenda një viti, “General Motors” zhvilloi dhe ndërtoi nga zeroja 1 000 “Avenger” dhe 1 000 avionë “Wildcat” ... Vetëm një vit pasi kompania “Pontiac” siguroi një kontratë detare për të ndërtuar raketa kundër anijeve, ajo nisi dorëzimin e produktit të kompletuar në skuadrat e transportuesve në mbarë botën”. Dhe e gjithë kjo ishte para se teknologjia e përparuar e informacionit ta bënte gjithçka akoma më të shpejtë.

Problemi është politik. Një analizë shumë e mirë e profesorit të shkencave sociale, Kevin MacKay, thotë se oligarkia është bërë shkaku themelor i rënies së qytetërimeve më shpesh sesa kompleksiteti social ose kërkesa për energji. Kontrolli nga oligarkët, argumenton ai, pengon vendimmarrjen racionale, sepse interesat afatshkurtra të elitës janë rrënjësisht të ndryshme nga interesat afatgjata të shoqërisë. Kjo shpjegon pse qytetërimet e kaluara kanë rënë, pavarësisht zotërimit të njohurive kulturore dhe teknologjike të mjaftueshme për t’i zgjidhur krizat e tyre. Elitat ekonomike, të cilat përfitojnë nga mosfunksionimi social, bllokojnë zgjidhjet e nevojshme.

Kontrolli oligarkik i pasurisë, politikës, medias dhe diskursit publik shpjegon dështimin gjithëpërfshirës institucional që po na shtyn në drejtim të katastrofës. Mendoni për Donald Trump dhe kabinetin e tij të multi-milionerëve; ndikimin e vëllezërve Koch në financimin e organizatave të djathta; perandorinë Murdoch dhe kontributin e saj masiv për mohimin e rrezikut të ndryshimeve klimatike; ose kompanitë e naftës dhe ato motorike, lobimi i të cilave pengon kalimin te teknologjitë e reja.

Nuk janë vetëm qeveritë që nuk kanë reaguar, megjithëse ato kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Mediat e sektorit publik e kanë shmangur sistematikisht mbulimin e çështjes së mjedisit, duke lejuar lobistët e financuar të maskuar si think-tank për të formuar diskursin publik dhe për të mohuar atë me të cilën ne përballemi. Akademikët, me frikën se do të mërzitnin financuesit dhe kolegët e tyre, kanë kafshuar buzën.

Edhe grupet që pretendojnë se po kërkojnë zgjidhjen e vështirësive që na kanë dalë përpara, mbeten të mbyllura brenda kornizave shkatërruese. Të mërkurën e kaluar mora pjesë në një takim për mjedisin në Institutin për Hulumtime të Politikave Publike. Shumë të pranishëm aty dukej se e kuptonin se rritja e vazhdueshme ekonomike është në shpërpjestim me sistemet që garantojnë jetën në Tokë.

Siç thekson autori Jason Hickel, zhvendosja e PBB-së në rritje nga përdorimi i burimeve globale nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Ndërsa 50 miliardë tonë burime natyrore të përdorura në vit është përafërsisht limiti që mund të zëvendësojë Toka, bota po konsumon tashmë 70 miliardë tonë. Me ritmet e tanishme të rritjes ekonomike, kjo shifër do të arrijë në 180 miliardë tonë deri në vitin 2050. Eficienca maksimale e burimeve, e shoqëruar me taksat masive të karbonit, do ta zvogëlonte këtë shifër në rastin më të mirë, duke e ulur në 95 miliardë tonë: ende shumë përtej kufijve që toleron planeti. Rritja ekonomike miqësore me mjedisin, siç pranojnë anëtarët e institutit, është fizikisht e pamundur.

Megjithatë, në të njëjtën ditë, i njëjti institut njoftoi një çmim të ri të ekonomisë për "propozimet ambicioze për të arritur një përmirësim të ndryshimit të hapit në normën e rritjes". Këto janë në thelb ide që do të bëjnë të mundur që ritmet e rritjes ekonomike në Britaninë e Madhe të paktën të dyfishohen. Njoftimi u shoqërua me retorikën e zakonshme për qëndrueshmërinë, por asnjë nga anëtarët e jurisë së çmimit nuk ka një rekord të dallueshëm në aspektin mjedisor.

Ata, te të cilët ne kërkojmë zgjidhje, sillen asgjë nuk ka ndryshuar, sikur provat që mbledhim përditë nuk kanë asnjë ndikim në mendjen e tyre. Dekada të tëra të dështimit institucional garantojnë që vetëm propozimet "jorealiste" - zhvillimi ekonomik me efekt të menjëhershëm - tani kanë një shans realist për të ndalur spiralen e vdekjes në të cilën ka hyrë planeti. Dhe vetëm ata që qëndrojnë jashtë institucioneve të dështuara mund ta çojnë përpara këtë përpjekje.

Dy detyra duhet të kryhen në të njëjtën kohë: përpjekja për shmangien e kolapsit, siç po bën “Rebelimi ndaj shfarosjes”, ndonëse kjo mundësi mund të shfaqet; dhe përgatitja për dështimin e mundshëm të këtyre përpjekjeve, një perspektivë kjo që duket tmerruese. Të dyja këto detyra kërkojnë një rishikim nga e para të marrëdhënies sonë me planetin ku jetojmë.

Për shkak se ne nuk mund ta shpëtojmë veten pa iu kundërvënë kontrollit oligarkik, lufta për demokraci dhe drejtësi dhe lufta kundër shkatërrimit të mjedisit janë e njëjta gjë. Mos lejoni që ata të cilët e kanë kanë shkaktuar këtë krizë, të përcaktojnë kufijtë e veprimit politik. Mos lejoni që ata, mendimet “magjike” të të cilëve na sollën në këtë pikë, të na tregojnë se çfarë mund dhe nuk mund të bëhet.

 /The Guardian/TemaTv

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.