Lufta me "bindje" ndaj Presidentit
Ka një përpjekje që çështja “Lleshi” të banalizohet si aspekt llastimi i Presidentit të Republikës. Si tekë e tij për të imponuar një faktorizim fiktiv me shumicën e drejtuar nga Edi Rama, që i bën hije të gjithë Shqipërisë. Po flitet për Republikën e Bindjeve e të tjera terma të sforcuar kafenesh, që sipas disave kanë zëvendësuar Kushtetutën. Përsëritja e kësaj teze në fakt synon të likujdojë me një faturë mediatike për Ilir Metën atë që në fakt ishte karabushllëku i Edi Ramës.
Presidenti refuzoi një propozim por ai nuk mund ta bëjë këtë me dekret sepse nuk parashikohet një dekret refuzimi. Në këtë moment, apologjetët e pushtetit dolën me termin në fjalë duke i bërë hosana idesë se presidenti vetëm pranon propozime. Kjo tashmë ka rënë si ide, sepse në fakt Presidenti firmos me bindjen e vet dhe në emër të Kushtetutës, garant i së cilës është. Për më tepër, sazet mediatike po flasin kur edhe kryeministri po hesht pasi e bëri sallatën të pangrënshme.
Nga ana tjetët, akuzohet presidenti se luajti keq kur nuk dekretoi shkarkimin e Sandër Lleshit si ushtarak aktiv, propozuar si i tillë nga kryeministri, fakt që sipas analistit Skënder Minxhozi është “pakujdesi e Ramës”. Si mund të jetë pakujdesi një element që përjashton cilësisht kandidatin nga e drejta për të qenë ministër? A do quhej e tillë nëse do ta bënte Berisha? Apo Berisha nuk ia fal vetes pakujdesi të tilla, kurse artisti Rama, aq ia thotë?
Për dekretin e lirimit presidenti priti propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe kjo shënohet qartë në akt. Dhe një gjë të tillë që duhet ta bënte qeveria e pakujdesshme e z. Rama, tani ia ngarkojnë si manovër Presidentit ndaj të cilit kërkohet faji se rastis që është Ilir Meta. Pra nëse dikush tjetër do të ishte aty do të kishim të tjera akuza: nëse do të ishte Nishani, atëherë atë e ka komanduar Berisha, nëse do të ishte Moisiu, atij me shumë dashamirësi do t’i thuhej që “Gjeneral duhet ta dekretosh” se "jemi tanët". Tani që është Ilir Meta - që e dimë kush është - atëherë kemi të bëjmë me lojëra të pista politike. Secilit te vetën dhe Kushtetutën sipas kuvendit.
Përtej këtyre gërmave të shpenzuara kot së koti, fakt është se procesi i dekretimit të Sandër Lleshit në detyrën e ministrit u pastrua dhe legjitimua nga Presidenti, pavarësisht se brenda këtij institucioni qëndron Ilir Meta. Nuk e bëri këtë për dashamirësi, as për sqimë juridike, por për lojë politike. Por duke korrigjuar një budallalëk të Kryeministrit të cilin po e mbrojnë me bindje në media. Por jo edhe aq me arsye.
Add new comment