Suksese në jetë o peshkatar me rrjetën bosh!
Shqipëria politike përjeton këto kohë momente ngashërimi. Romana Vlahutin iku nga Shqipëria dke lënë pas fjalët më të mira për atdheun tonë.
Tashmë radha i erdhi Donald Lusë që të japë lamtumirën. Donald Lu, për ata që nuk e dinë ka qenë në pozicionin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë. Po rifreskojmë disi se çfarë do të thotë kjo gjë në kuptim të termave praktikë të këtij mandate. Në ndryshim nga paraardhësit e vet, misioni i zotit Lu në Tiranë ishte në thelb mision peshkatari. Por peshkatar thellësie. Z. Lu foli gjerë e gjatë, apo bukur mirë, sipas një tjetër mënyre të thëni për peshqit e mëdhenj që do të binin në rrjetën e drejtësisë së reformuar.
Në të vërtetë, drejtësia u reformua, falë edhe kërcënimeve të z. Lu që herë pas here dilte e u kujtonte politikanëve se ata nuk do ta pengonin dot drejtësinë e shumëkërkuar nga populli shqiptar. I cili po t’i besojmë statistikave që na servirte z. Lu, e donte reformën në drejtësi në të njëjtën përqindje – mbi 95% - në po atë masë që do edhe SHBA-në.
Ky përkim fatlum nuk u kurorëzua. Këto ditë e shohim z. Lu të takohet buzagaz me z. Berisha, të cilit i shkoi në zyrë, me presidentin Ilir Meta, me të cilin sot hëngri edhe një drekë. Takime të tjera nuk dimë, por ato nuk përjashtohen.
Le të sqarojmë këtu se me këtë rast, ambasadori që kaq shumë na deshi për 3 vjet na duhet të na thotë: Kur fliste për peshqit e mëdhenj për kë e kishte fjalën? Pyesim thjesht për kuriozitet pasi edhe si dele, siç na ka cilësuar dikur z. Lu, nuk jemi aq naivë sa të besojmë se ambasadori do të na e thotë. Sa për ne, ne ashtu si nëpër të kemi menduar se të paktën Rama, Meta dhe Berisha nuk do pranonin t'i quaje peshq të vegjël. Kështu që këto foto mirëkuptohen: nëse nuk i kap dot peshqit e mëdhenj, atëhere pozo me ta si në akuarium.
Udha e mbarë z. ambasador dhe pa e prishur mikpritjen – pasi në këtë katund zotrote je ndjerë si mbret për këto vite – po themi se nuk dole gjë. Si peshkatar kuptohet, sesi diplomat shkëlqeve. Bëre të besonin mijëra zemra shqiptarësh se me të vërtetë diçka po ndryshonte.
Add new comment