Pak bojë për në fund…
I dashur Edi,
Të pashë atë ditë në Fier me poture të varuara dhe sepse mu duke ashtu siç thosht dikur një socialist, vërsnik me mua, pra pak më pak se 40 vjeç, i Yni. Jo në atë kuptim që ke qejf ta përdorësh në letra dhe apo mesazhe, promovime apo kartolina. Mu duke i yni në kuptimin e gjizës, të turshisë, të këpucëve me baltë, erës së qepës. Me taban dhe i mençur se ato poture me siguri që edhe janë ventilator i mirë për djersën që të zë ullukun duke bredhur lart e poshtë.
Ta them hapur: nuk e di pse disa të quajnë manipulator! Dhe më bën çudi kjo sidomos kur e dimë që ne jemi të gjithë pak a shumë Flamurtarë të Mësimeve të Shokut Enver që ishte mano e kaluar manos. Aq sa fytyra e tij nuk na shqitet nga kujtesa, karizma e tij na është bërë si standardi ISO në përjtësi.
Jo. Për mua ti je një marifetçi. I lezetshëm duhet thënë. Disi si ata personazhet e filmave vizatimorë, pak i pacipë, se ke problem të të kapin duke shkelur syrin, të ndërrosh muhabetin dhe të luash role me shpata kundër mullinjve. Respekti zero për çdo gjë. Më shumë se kaq nuk të jap dot dhe as të vë faj se në këtë kohë kur të shohin me lupë edhe qerpikët, është e vështirë që të bëshesh artist i manipulimit. Suksesi kërkon që rrugës të jesh gënjeshtar i zakonshëm dhe po kalove nga ky profesion, të del boja shpejt.
Ti në fakt e shtyve mirë. Duket që ke patur bojë cilësore, ose je kujdesur që mos të të zërë shiu në këto 20 vjet. Unë që ditën e parë që nxore fytyrën në një ekran për të premtuar Kopshtin Shkëmbor, nuk të honepsa dot dhe as të besova për asnjë çast. Kam dëshmitar për këtë, edhe pse kush del sot të dëshmojë kundër teje? Dua të them që pavarësisht kësaj, ti e shtyve mirë 20 vjet. Ca Doktor Rrumpalla, pastaj një këngë, ca këmisha me ngjyra, tre pemë, dy lulishte, fasadat po e po, shkrime pa hesap dhe ja ku jemi i nderuar. Ikën dy dekada. Por siç e ke kuptuar edhe vetë je në fund të rrugës. Dhe je vetëm.
I shpenzove për 4 vjet municionet e marketingut; ekspozitat, fasadat, batutat, veshjet, takime me president, përballje me ta etj.. Politikën e madhe, kthesën në Ballkan. Të gjitha lajka ndaj vetvetes. Tani po thërret veteranët për të bërë ca punë të fundit, po rehabiliton varrezat e dëshmorëve. Do ta kesh një hall me siguri. Mendja më shkon tek ata dëshmorët rilindas të korrupsionit. E di që janë të bezdisur kur i shikon pranë, kur flasin dhe të imitojnë, kur zihen dhe ngërdheshen intrigueshëm ndaj njëri –tjetrit. Kur në çdo gjë që thonë dëshmojnë se nuk dinë të lexojnë gjë tjetër veçse termat e referencës.
Një pyetje: je zhgënjyer me veten për këto zgjedhje? Për këta “dëshmorë milionash” dhe koncesionesh? Për këta firmëtarë mbi 7 zero? Apo ti nuk mund t’ja lejosh vetes këto thellime në ndërgjegje?
Më habit si e bëre këtë punë anapulla! E nise me 20 vjeçarë për të hequr qafe ata që “qelbnin zyrat me duhan dhe raki”, tani heq ish-20 vjeçarët tashmë 30 vjeçarë milionerë për të sjellë sërish xhaxhot e ndrequr dhe të gustuar mirë rrugës. Nuk do çuditesha që je duke mësuar këngët partizane për t’u shtruar vëndçe qosheve dhe fshatrave, ashtu si mes njerëzve të thjeshtë që nuk të gërvëlisin kokën me ato që nuk do të dëgjosh. Mirë ja bën. Dhe sidomos mirë ja bënë me poturet e varura. Se me ca lekë më shumë sesa kur nise rrugën je, por edhe i mundur tërësisht nga Shqipëria. Kështu si ajo funksionon, si e rrok kohën për ta frenuar në normat e veta. I mundur, dhe identik me ata që ke sharë gjithë jetën për t’u dukur si i ndryshëm. Dhe ndoshta me pak bojë të mbetur sa për ta mbyllur këtë davet të madh që e quan qeverisje. Suksese pra i dashur në këto pak metra të fundit...
PS: Letër pa pikë zilIe, madje dashamirëse, dërguar në redaksinë e “Të Kripura” nga një emigrant, ish-student i Pikturës në ILA
Editoi me disa redaktime: Shaptilografisti
Add new comment