Barazim...

Postuar në 26 Nëntor, 2017 00:47

Shumëkush mund ta kujtojë atë spotin elektoral të kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Në rolin e një punonjësi policie që ndalonte dikë me makinë në shkelje të rregullave dhe që nuk pranonte asnjë kompromis. Madje duke i dhënë leksion qytetarit se me gjobat bëhen spitale, kopshte, shkolla etj..

Mesazhi ishte përzgjedhur i thjeshtë dhe i qartë: shteti ndërtohet duke ndëshkuar çdo shkelje dhe duke vlerësuar te ndëshkimet monetare një kontribut për të bërë disa punë.

Spoti u kritikua për shkak se ai përzgjidhte një gjuhë penale për të ilustruar shtetndërtimin. Mirëpo sidoqoftë, z. Rama kishte zgjedhur si përfaqësuesin më tipik të fytyrës së shtetit, policin e thjeshtë. Ishte koha kur z. Rama dhe qeveria e tij, e me ta edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri citonin vend e pavend një sondazh të BE-së, sipas të cilit Policia e Shtetit ishte insitucioni më i besueshëm në Shqipëri.

Nuk kanë kaluar 6 muaj dhe sot ky spot vështirë se ruan ndonjëfarë coherence. Ai sondazhi i BE-së me siguri që do t’i ketë të përmbysura rezultatet e veta, ndërkohë që në një farë mënyre, ne kuptojmë se në atë kohë edhe vetë z. Rama nuk ka gjasë të ketë ditur atë që do të ndodhte me çështjen “Tahiri”.

Sot ai drejton një qeveri që ka një pikë të dobët kritike: Ministrinë e Brendshme dhe me të rendin publik në Shqipëri. Është pak të thuash që Ministria është nën akuzë dhe e inkriminuar të paktën mediatikisht dhe politikisht.

Ish-ministri Tahiri është një i pandehur që po ushqen çdo dyshim në këtë vend. Kanabisi po rezulton kryeafera e mandatit të parë teksa 3 drejtorë policie janë në kërkim dhe janë larguar. Në dyshime është përfshirë edhe ish-zv.ministrja e Brendshme, Gjebrea, e cila njësoj si ish-eprori i vet nuk po di të menaxhojë veten përballë mediave.

Në këtë kaos dhe tension, edhe pozicioni I drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ngjan enigmatik. Asnjë prononcim, disa ditë largim nga vendi, heshtje, por asnjë lëvizje nga detyra.

Vallë ministri aktual, z. Xhafa, e deshifron dot këtë situatë ku ndodhet dikasteri që drejton?  

Është e vështirë të gjesh ndonjë periudhë tjetër implikimi të Ministrisë së Brendshme në afera të tilla apo në diskutimin politik që nga koha e Kadri Hazbiut. Janë të gjitha dyshimet për të menduar se trafiku i drogës ka qenë liçencë dhe administrim i kësaj ministrie, apo titullarëve të saj.

Nga kjo pikëpamje, z. Rama nuk mund t’i ikë përgjegjësisë së vet politike. Edhe duke marrë për metër qëndrimet e tij kur ishte në opozitë, ai është sot vetiu nën akuzë, të paktën për paaftësi për të kuptuar atë çfarë po ndodhte.

Dy ditë më parë, kryeministri mbrojti sërish Saimir Tahirin, duke mos cilësuar si prova ato që paraqiti prokuroria. Por është e qartë se në dritën e atyre që po dalin përditë, largimi i Tahirit nga PS-ja ishte vetëm vendosja e një distance sigurie nga ky gjyq i përditshëm që nuk po finalizohet me prangat në duart e ish-ministrit të Brendshëm.

Kjo që ka ndodhur në Shqipëri nuk mund të jetë faturë e një njeriu. Ajo është faturë dhe kosto e një qeverie për Shqipërinë. Z. kryeministër e ka mbrojtur disa herë ministrin e Brendshëm dhe nëse e ka bërë këtë qorrazi, aq më keq për të atëherë.

Nga ana tjetër, ende sot e kësaj dite, PS-ja nuk ka një qëndrim zyrtar për rastin Tahiri. Ka vetëm një mbledhje të Grupit Parlamentar, por jo një mbledhje kryesie, apo Asambleje. Jo se kjo do të kishte ndonjëfarë rëndësie, por ajo do të jepte të paktën një shenjë serioziteti dhe përgjegjësie.

Nëse PS-ja, forumet dhe baza e saj pajtohen me idenë se duhet heshtur për të mos rënduar pozitën e Tahirit, duke menduar se kjo është çështje e brendshme e saj, ndërkohë që shfajësohet se ka “lënë prokurorinë të veprojë”, atëherë ajo ka pranuar se droga është legalizuar brenda saj.

Dhe kjo sjellje, ky infektim masiv, nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të amnistuar çdo akuzë për qeverisjen 8-vjeçare të Sali Berishës, me të cilën tani duket se është arritur barazimi. Një barazim që konsolidohet me shifrat qindra milionëshe për 30 km rrugë, njësoj sikundër 200 milionëshi i famshëm i Lulzim Bashës. Ky është pazari i vërtetë që bllokon dhe pamundëson çdo akt drejtësie në këtë vend ku të gjithë janë njësoj në qeverisje. Dhe këtë nuk e përgënjeshtron dot më askush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.