Basha: Tahiri ka fakte që implikojnë Ramën
PS ka vendosur një status neutraliteti ndaj Tahirit, pas përgjimeve në dosjen Habilaj ku përmendet emri i ish-ministrit të Brendshëm. As mbrojtje dhe as distancim i qartë, qëndrim që hamendësihet se është i kushtëzuar nga marrdhënia e Edi Ramës me ish-ministrin e tij, njëkohësisht edhe drejtues i Partisë Socialiste të Tiranës.
Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi për mediat se Saimir Tahiri dhe Edi Rama po negociojnë arritjen e një marrëveshje, pasi sipas tij ish-ministri i Brendshëm disponon filmime të cilat implikojnë kreun e qeverisë. "Edi Rama dhe Saimir Tahiri po përpunojnë një marrëveshje. Tahiri disponon fakte të vëna, përgjime, dokumente, filmime të Ramës në marrëdhënien me bandat mafioze. Ndaj Edi Rama e ka jetike marrëveshjen me Tahirin, i cili do përpiqet t’ia hedhë dhe të dy të shpëtojnë paq. Kjo s’duhet të ndodhë. Ndaj, as arrestimi i Tahirit, as procedimi i tij penal nuk do ketë sukses, përsa kohë peshku më i madh është ulur në karrigen e Kryeministrit”- tha Basha.
shqiptarja. com raporton për një takim dy orësh mes Ramës dhe Tahirit të mërkurën, ku kryeministri mësohet se i ka kërkuar ish-ministrit të Brendshëm të japë dorëheqje nga funksionet drejtuese në PS. Nuk dihet ende cili do jetë qëndrimi i ish-ministrit të Brendshëm i cili përveçse deputet, aktualisht mban edhe detyrën e koordinatorit kombëtar për bashkëqeverisjen e njëherazi edhe atë të kryetarit të degës së PS për Tiranën.
Add new comment