Dokumentet ruse për Stalingradin, 10 mijë të vrarë vetëm nga snajperat

Postuar në 30 Gusht, 2017 22:46

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklasifikuar një sërë dokumentesh deri më tani sekrete, që përshkruajnë aspekte të ndryshme të betejës së Stalingradit. Siç dihet beteja në fjalë nisi më 17 korrik 1942(23 gusht sipas një vlerësimi tjetër) dhe u konsiderua e përfunduar më 2 shkurt 1943 për të hyrë në histori si beteja më mizore që është zhvilluar ndonjëherë. Sovjetikët, pala fituese e saj, pësuan 1.1 milionë viktima njerëzore, pa lënë mënjanë se beteja u zhvillua në çdo rrugë dhe ndërtesë për muaj të tërë, në një dimër shumë të ashpër dhe me kushte logjistike, që për gjermanët e Armatës së Gjashtë të Von Paulus ishin katastrofike. 
Agjencia “Sputnik” sjell disa prej dokumenteve ku bëjnë pjesë edhe materiale sekrete të Wermachtit. Në një prej tyre gjermanët nënvizojnë se vetëm snajperat kanë shkaktuar 10 mijë viktima. Në materiale të tjera flitet për vlerësimet e palës gjermane për lëvizjet e trupave sovjetike ndëkohë që agjencia në fjalë nuk ka sjellë dokumentet sovjetike. 
Ndonëse është një prej betejave më të studiuara debati historik mbi të vazhdon të jetë intensiv. David Glantz, një kolonel amerikan, ndër studiuesit më të njohur të historisë së veprimeve ushtarake në Frontin Sovjetik gjatë LIIB, ka nënvizuar se historia e kësaj lufte, në Perëndim është shkruar sipas optikës gjermane, pasi ishin dokumentet e tyre që u shfrytëzuan pas mbarimit të konfliktit. 
Këto dokumente konfirmojnë se beteja në fjalë nisi nën emrin e koduar “Operacioni Blue”, por nuk njihet vlerësimi i sovjetikëve në atë kohë. Ka debat për qëllimet e Operacionit Mars të nëntorit 1942 si pasojë e të cilit sovjetikët arritën me humbje shumë të mëdha të dobësojnë rezervat e Grupit gjerman të Qendrës të cilat ishin parashikuar të zhvendoseshin drejt Stalingradit. Deri më sot rusët kanë deklaruar se operacioni ishte diversion, por numri i forcave të përdorura në të kalonte atë të operacionit Uranus që u ideua për rrethimin e Armatës së Gjashtë. Leximi i dokumenteve do të hidhte dritë nëse ajo që ndodhi në Stalingrad ishte një realizim perfekt dhe i planifikuar nga sovjetikët, apo rrjedhojë e disa rrethanave të paparashikuara siç ishte ajo që ndodhi me operacionin Mars. 

https://sputniknews.com/russia/201708301056928649-stalingrad-battle-secr...

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.